Dy poetë të mirënjohur, Perikli Jorgoni dhe Vasil Tabaku, në dekadën e fundit të jetës së tyre qenë ndër frekuentuesit më të rregullt të redaksisë të të parës gazetë opozitare shqiptare “Rilindja Demokratike”, ku pata fatin të punoj edhe unë për 13 vjet rresht. Jo vetëm si kontributorë me krijimtarinë e analizat e tyre të mirëfillta letrare në faqet e kësaj gazete, por edhe si mbështetës, inkurajues dhe promovues të talenteve të reja.
Nga Halil Rama – Mjeshtër i Madh
Dy poetë të mirënjohur, Perikli Jorgoni dhe Vasil Tabaku, në dekadën e fundit të jetës së tyre qenë ndër frekuentuesit më të rregullt të redaksisë të të parës gazetë opozitare shqiptare “Rilindja Demokratike”, ku pata fatin të punoj edhe unë për 13 vjet rresht. Jo vetëm si kontributorë me krijimtarinë e analizat e tyre të mirëfillta letrare në faqet e kësaj gazete, por edhe si mbështetës, inkurajues dhe promovues të talenteve të reja.
E kam të freskët në memorie, vlerësimin që P.Jorgoni i bëri kolegut Rexhep Polisi, ditën që kishte botuar një cikël me poezi në faqen speciale letrare të “RD”-së.
“Poezia juaj Rexhep, është jetësore, e ndjerë, e kthjellët dhe të befason. Përvoja si gazetar të ka mprehur shikimin, të ka bërë të jesh më jetësor e ta përqendrosh vëmendjen në thelbin filozofik të dukurive”, – do të shprehej ndër të tjera përkthyesi dhe poeti i mirënjohur Jorgoni në atë takim mes miqsh të poezisë.
Pak a shumë, të njejtin vlerësim do të shprehte edhe poeti i ndjerë Vasil Tabaku, për të cilin: “Poeti Rexhep Polisi vjen jashtë çdo skeme dhe jashtë çdo maniere poetike. Ai shfaqet si një njohës i mirë i figurës dhe ngjyrimit emocional të fjalës duke i dhënë asaj ngarkesën e duhur semantike me sens dhe masë me një ngjyrim magjie brenda”.
Kam qenë me fat që i njoha nga afër, kur punoja në këtë gazetë si redaktor i kulturës. Dhe ajo që më ka bërë përshtypje ishte sinqeriteti i tyre në vlerësimin e talenteve të reja. Ndryshe nga disa të vetëquajtur “të mëndhenj”, Jorgoni dhe Tabaku ishin miq të vërtetë të poetëve të rinj, çka dallohej jo vetëm në vlerësimin, por edhe në promovimin e tyre.
Pikërisht, këto veçori të spikatura, të evidentuara vite në parë nga këto dy poetë të mirënjohur si qartësia e mendimit, jetësorja, pasqyrimi artistik i ndjenjës nëpërmjet vargut “jashtë çdo skeme dhe jashtë çdo maniere poetike”, janë evidente thuajse në 86 poezitë e pesë cikleve të vëllimit të tretë të Rexhep Polisit “S’di ç’ngjyrë kanë ditët atje”.
“S’DI Ç’NGJYRË KANË DITËT ATJE”
Vargjet e kësaj poezie nga ka marrë titullin edhe vetë libri i tretë i këtij poeti janë vërtetë një shpërthim poetik i guximshëm.
“S’di ç’ngjyrë/ Kanë ditët atje;/ A djeg dielli,/Apo shtegton/ Bashkë me ty/ Në të tjera vise,/ Nëpër largësi?!/ S’di a gulçon deti,/ A ka stuhi/ Brenda teje?!/ Ndërsa ndjej/ Se dallgët/ I tërbojnë/ Ditët e mia, / Ujë bëhem krejt/ Dhe mbytem/ Nga dashuria…”
Një poezi Lasgushiane kjo, ku poeti R.Polisi shfaq ndjenjat e mendimet për të kapur të thellën, të gjërën dhe të largëtën. Krijimi i tij ka një linjë të pandërprerë të enëve të gjakut, që poezia e tij të marrë jetë. Kësisoj, nëpër dallgët memece të kohës, aty ku bashkëjetojmë, poeti qartëson të bukurën, të dhimshmen por edhe të pazgjidhurën.
Pak a shumë, të këtij profili poetik janë edhe 16 poezitë tjera të kapitullit të parë “Ftohtë në Tiranë” të këtij libri, ku poeti e përçon mesazhin edhe përmes titujve intrigues të tyre, siç janë: “Fjalët”, “Edhe në dimër vjen pranvera”, “Grua”, “Bota më rrotullohet në duar”, “Ftohtë në Tiranë”, “Me ty në udhëtim”, “Diell i çoroditur”, “Shpërbërje”, “As dielli nuk ngroh”, “Më trego diçka për luftën”, “Pulëbardhat”, “Nënë”, “Kur ti nuk je”, “Kohë e pakohë”., “Gjithësia ndizet në flakë”, “Një qershizë” dhe “Mes dy botëve”..
Dhe ashtu si te “Ftohtë në Tiranë”, poeti vargëzon trishtimin: “Mbuluar me tis trishtimi,/ Dita zvarritet e mpirë./ Ti ndrin si rreze agimi,/ Si pikë vese e dlirë…”. Këtë ndjenjë e shpreh fare qartë edhe tek poezia “Kohë e pakohë” me vargjet impresionuese: “Më mbyti kjo kohë e pakohë,/ Ky shi që bie me ngashërim,/ Mendime të lagura vërtiten/ Në qiellin pa ngjyrë,/ Ndërsa ajri mpikset në fytyrë…”.
POEZI ME VLËRA TË MIRËFILLTA IDEOARTISTKE DHE NATYRSHMËRI TË THELLË POETIKE
I frymëzuar nga thënia proverbiale e presidentit të 16-të amerikan Abraham Lincoln: “Gjithçka që jam apo shpresoj se do të jem, ia kam borxh nënës time engjëllore!”, R.Polisi do t’í qasej si askush tjetër kësaj dashurie të pamatë. Mjaftojnë për këtë qoftë dhe vëtëm këto vargje të poezisë “NËNË”: “Është dimër/ Dhe fjalët kanë ngrirë,/ Nga qielli/ Si breshër më bëhen…/ Në ajrin e qelqtë/ Vizatoj portretin tënd/ Dhe thellë,/ Thellë,/ Së brendshmi/ Ndjej puhizën e ngohtë,/ Buzëqeshjen tënde/ Që më ngroh/ Në këtë natë polare…”.
Dhe s’ka se si R.Polisi të mos i qaset edhe ndjenjës së dhimbjes njerëzore kur sjell në kujtesë pushkatimin e një gjeniu si Vilson Blloshmi, për të cilin ka shkruar profile in memoriam çdo përvjetor të asaj dite të zezë, jo vetëm për familjet e dy poetëve martirë dhe Bërzeshtën, por për të gjithë Shqipërinë, për fatin tragjik të pushkatimit të dy poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi nga regjimi komunist, pas një gjyqi politik farsë me prova të montuara. Kësisoj, teksa shkruan vargjet:
“Unë s’kam qenë në Sahara,
As Vilsoni nuk pat shkuar;
Veç kur shkroi vargjet për të,
Fundin kurrë s’e kish menduar.
Çdo vargu plumba i lëshuan.
Poetin ndanë nga kjo jetë.
Mu në zemër e qëlluan…”
Saharaja, ç’ferr i nxehtë!”
Poeti Rexhep Polisi padyshim që i qaset edhe kullës emblematike të Blloshmëve në Bërzeshtë të Librazhdit që qëndron hijerëndë dhe kreshnike. Kullë kjo, që ka parë mjaft tragjedi, por i ka rezistuar stuhive dhe furtunave për vite e vite me radhë.
Profilin krijues origjinal të Rexhep Polisit e dallojmë fare qartë edhe në poezitë e tre kapitujve të tjerë: “Vjeshtën sonte do ta deh”, “Mes malesh pa kuptim” dhe “Më pushton me flokët e gjata”…
Ashtu siç vlerëson shkrimtari dhe poeti Roland Gjoza, në dhjetra prej poezive të këtyre cikleve dallohet fare qartë vargu intim, i drejtëpërdrejtë, muzikal… si në vargjet: “Ka ditë që s’jemi parë/ Dhe trishtueshëm/ Mendoj:/ Mos vallë ti s’je/ Si më parë,/ Apo ditët e mia janë/ Tjetërsoj?!/ Sjell ndërmend kohën e shkuar/ Rrahjet e zemrës në arrati…/ Çastet që fluturonin/ Harbuar,/ Mbështjellë/ Në ëndrrat pa kufi…/ Ka ditë që s’jemi parë/ Dhe ku të kërkoj,/ S’e di…”
Më tej, nostalgjinë për vendlindjen poeti Polisi e përçon përmes meditimeve, duke afirmuar prirjen artistike drejt ndjeshmërisë shpirtërore dhe duke na dhënë imazhe poetike emocionuese si në vargjet e poezisë: “SHKUMBINI”.
“Gjarpëron Shkumbini
Mespërmes shpirtit tim,
Shkumëzon uji i kristaltë
Dhe përmbyt mallin jetim…”.
Në tërësinë e këtij vëllimi lexuesi do të gjejë poezi me vlera të mirëfillta ideoartistike dhe natyrshmëri të thellë poetike, ç’ka e “legjitmon” edhe analiza që i kanë bërë librit të tij disa poetëve të njohur me rrezatim mbarëkombëtar.