Tetë vite pasi iu nënshtrua Rilindjes Urbane, bulevardi i qytetit të Peshkopisë do të prishet, për t’u rindërtuar nga e para.
Bashkia ka kërkuar 182 milionë lekë për rifinancim të projektit, pasi ai i marsit 2016, me vlerë 105 milionë lekë, u shkatërrua brenda një viti nga përfundimi i punimeve.
Dali Ndoka zgjedh me kujdes, ku ta hedhë këmbën mes pllakave të thyera të bulevardit të ri të qytetit të Peshkopisë.
Dikur i shtruar me asfalt, pllakat, që veshën shëtitoren kryesore, “Elez Isufi”, në vitin 2016, u kthyen në një shqetësim për banorët e kësaj zone.
Sidomos gjatë stinës së dimrit, si pasojë e ngricave, pllakat e gurit përbënin rrezik për ata që ishin në moshë.
“Për moshën e tretë dhe për mua personalisht bulevardi i ri është një katastrofë. Atje nuk mund të ecësh në kohë normale”, – thotë Dali Ndoka, banor i Peshkopisë.
“Ai bulevard është bërë një rrezik për të gjithë qytetarët. Në Peshkopi ka ngrica gjatë gjithë dimrit dhe aty nuk ke më mundësi që të futesh”, – shton Daliu, pa e fshehur zhgënjimin për ndërhyrjen, së cilës iu nënshtrua bulevardi i qytetit të tij.
I njohur për pemët e larta të blirit në të dyja anët e rrugës, bulevardi i qytetit të Peshkopisë iu nënshtrua projektit të Rilindjes Urbane në vitin 2016.
Me një fond prej 105 milionë lekësh, kantieri vetëm 600 metra u hap në prag të zgjedhjeve të pjesshme, lokale të shtatorit të po atij viti, që përfunduan me fitoren e kandidatit socialist, Muharrem Rama.
“Shkatërruan historinë e Peshkopisë. Bulevardi i dikurshëm i blirëve, i cilësuar si një ndër më të bukurit në vend, u bë një bulevard i shëmtuar, pikërisht nga kjo ndërhyrje”, – thotë Femiu, një tjetër banor që e sheh me shqetësim degradimin e shëtitores së qytetit.
Sheshet supozohet që të kenë një jetëgjatësi mesatare nga 50 deri në 100 vite, por vetëm 8 vite më pas bulevardi është shkatërruar plotësisht dhe pritet që t`i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje rehabilituese, që përfshin heqjen e pllakave si pasojë e degradimit dhe zëvendësimin e tyre nga e para.
Projekti i ri, që përfshin rikualifikimin e sheshit së bashku me fasadat, do të kushtojë 182 milionë lekë të reja dhe do të mbështetet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Punimet pritet që të nisin gjatë muajit gusht dhe do të përfundojnë vitin që vjen, që është sërish një vit elektoral.
Ekspertët sugjerojnë se këto projekte po përdoren si mekanizma për të joshur elektoratin, por edhe për përfitime financiare.
“Qeveria zgjodhi që të zhvillonte qendrat e qyteteve, por, në momentin që këto projekte fillojnë dhe përdoren për përfitime elektorale apo personale, financiare të personave afër pushtetit apo vetë personave me pushtet, këtu kemi problem pastaj”, – thotë Pano Soko, ekspert i ekonomisë.
“Fondet e destinuara për miradministrimin e procesit, pra të ndërtimit të një qendre cilësore qyteti, që do t’i rezistonte kohës, që do t’i jepte një imazh të ri qytetit, u keqpërdorën”, – thotë Soko.
Qeveria shqiptare, shpenzoi rreth 600 milionë euro për transformimin e shesheve të qyteteve në të gjithë vendin në kuadër të Rilindjes Urbane.
Mes debateve për uniformitet dhe cilësi të dobët të pllakave, që nuk përshtaten me qytetet ku janë vendosur, një sërë qendrash qytetesh, që i janë nënshtruar këtij projekti, kanë shfaqur probleme.