Sistemi ynë vijon të bazohet në sentencën bolshevike, duhet reformë tjetër në drejtësi!

Nga Ylli MANJANI

Që duhet reformë tjetër në drejtësi, duhet.

Drejtësia penale dhe, bashkë me të reforma e vërtetë në drejtësinë penale, do bëhen vetëm kur prokurori të dalë nga zyra për të rrëmuar e gjetur provat. Kur puna e prokurorit të matet me prova dhe jo me vendime arrestesh.

Përndryshe, kur prokurori trashet nga barku, ose bëhet sa i gjerë aq edhe i gjatë në zyrë me kondicioner dhe duartrotiket kur arreston pa gjetur provat nuk kemi gjë në terezi.

Shiheni me vemendje, prokurorët të thërrasin, pra janë pasivë. Presin… kur them prokurorët kam parasysh edhe OPGJ. Të paktën këta të fundit duhet të mos jenë pasivë.

Sistemi i derisotëm i ndjekjes penale këtë praktikë ka. Ka krijuar një prokuror dembel që vetëm shet autoritet me masa arresti.

Një prokuror që gjendet në qendër të opimionit publik pa qenë vetë fare prezent aty. As për të dalë në publik nuk del nga zyra!!!

Një prokuror që e ka të sigurtë gjyqin sapo nxjerr në media një përgjim, të cilin ligji ja ka dhënë si mjet për të gjetur prova dhe jo për ta shitur në popull si provë!!!

Për pasojë në dallim nga çdo sistem tjetër i vendeve të tjera, që edhe i quajmë aleatë, në sistemin tonë quhet normale që të gjëmohet penalisht personi dhe jo sjellja penale e tij/saj.

Turma nxehet me fjalët e përgjimit, partitë kundërshtare gjithashtu, bën thirrje për arrestime dhe prokurori ka vetëm mundin të shkojë fshehtas në gjykatë dhe bum! Arrest!

Sistemi ynë vijon të bazohet në sentencën bolshevike se nga personi shkohet tek prova, kur duhet të ishte e kundërta, dmth vetëm me prova shkohet tek ndjekja e personit.

Reforma jo vetëm nuk e zgjidhi por e përkeqësoi këtë praktikë.

Të gjithë, edhe ata që e lavdërojnë këtë reformë, mendojnë se meqë duhet të godasim disa njerëz që si godasim dot me prova duhet ti godasë SPAKu, me mbështetje amerikane biles.

Ndaj dhe duhej reforma!!!!

Ky është kompromisi më i frikshëm që shqiptarët kanë pranuar dhe pranojnë ende të bëjnë me drejtësinë penale.

Pra godasim dikë për politikë se prova s’gjejmë dot dhe kështu pastrohet vendi, politika.

Por çuditërisht të gjithë harrojnë se pikërisht këtë gjë bëri Enver Hoxha!!!

Edhe sistemi i atij kështu funksionoi, kundër kujtdo përveç atij vetë. Si mund ta pranojmë sot të njëjtin standard?!

E pabesueshme është kur e dëgjon të ta artikulojnë si arritje këtë pocaqi bolshevike edhe njerëz që kanë dy paré mend!!

Jo ore jo, sistemi i ndjekjes penale duhet të shkojë në standardet e Europës, po të doni edhe të Amerikës. Jo më të bolshevizmit.

Pandëshkueshmëria goditet me prova, jo me goditje penalo-politike. Me këtë të fundit goditen vetëm kundërshtarët.

Prandaj unë jam për një reformë reale në drejtësi, një reformë që buron edhe nga gabimet e të shkuarës e të sotmes.

 

About Redaksia

Check Also

Ata që nuk kënduan…

Nga Lutfi DERVISHI Çfarë do të ndodhte nëse do të reagonim po aq shpejt dhe fuqishëm …