Berisha paralajmëron fillimin e protestave: Do dalim në shesh

Sali BERISHA

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju qëndrestare dhe qëndrestarëve të pamposhtur, misionareve dhe misionarëve të kauzës së drejtë të çdo qytetari shqiptar.

Përshëndetje të përzemërta oratorëve të kësaj tribune të fjalës së lirë, që përcjellin në të katër anët e vendit të vërtetat e Shqipërisë së sotme, besimin dhe shpresën tek e ardhmja.

Një përshëndetje të përzemërt të gjithë atyre që sot detyruan Erion Veliaj t’ia mbathë nga bashkia.

Përshëndetje për protestën e tyre të pamposhtur.

Të dashur miq, dje demokratët dhe qytetarët e Tiranës përcollën në banesën e fundit Gerti Bogdanin, njërin nga përfaqësuesit më të virtytshëm të qytetarisë së Tiranës, të PD-së, të rinisë shqiptare.

Ju ftoj ta nderojmë me një minutë heshtje kujtimin e ndritur, veprën e pavdekshme të Gerti Bogdanit.

I përjetshëm kujtimi i mikut tonë!

Të dashur miq, dje në Bruksel një i ri shqiptar, i lindur dhe i rritur në Greqi, i drejtoi një pyetje kreut të narkoshtetit shqiptar.

Ky djalë greqishtfolës, anglishtfolës me shpirt dhe zemër shqiptar, e pyet kreun e Meduzës: zoti kryeministër, çfarë do bëni ju për të rinjtë që të kthehem në vendin tim?

Ato fjalë në anglisht të tij, ajo kërkesë në anglisht, e cila kësaj here nuk buronte nga gjuha, por nga zemra dhe shpirti i tij ishin një thirrje dhe kushtrim për çdo shqiptar.

Kurse kreu i Meduzës, kryehajduti i kombit, zyrtari më hajdut i të gjitha kohërave në këtë vend, iu përgjigj të riut: unë, tha, i ri, nuk kam pyetur se çfarë do bësh, por kam bërë. Dhe ti si i ri, përpiqu pra të bësh se asgjë nuk do bëj për ty.

Nuk kishte përgjigje më cinike, më arrogante, më antishqiptare, më shpresëvrasëse se një i ri, i cili ishte shkolluar në Greqi, po shkollohej dhe në Bruksel, por prapë ëndrrën nuk e kishte në Greqi, nuk e kishte në Bruksel, ëndrrën e jetës e kishte në Shqipëri.

Ndaj sot miqtë e mi, jam këtu për t’u betuar para qindra mijëra të rinjve dhe të rejave, të cilët ndodhen sot në Europë dhe në botë, janë shkolluar, janë bërë ekspertë, specialistë nga më të mirët e fushave të ndryshme, por që prapë ëndrrën, siç e kishte Gerti Bogdani, që përfundoi studimet me rezultatet më të larta në shkollën e tij, ëndrrën e kanë për t’u kthyer në Shqipëri.

Do bëjmë gjithçka që ju të ktheheni në këtë vend.

Do bëjmë gjithçka që të shpëtojmë këtë vend nga njeriu që u përgjigj se bëj ç’të mundesh vetë.

Do mbledhim forcat, do dalim në shesh të mejdanit, do përballemi dhëmb për dhëmb me këtë hajdut që nuk ka asgjë shqiptare.

Me këtë armik të egër të qenies shqiptare.

Që në vend që të ndjehej 100 herë i obliguar, në vend se të ndjehej 100 herë mirënjohës për dëshirën e atij të riut që të ndërtonte ëndrrën në Shqipëri, i përgjigjej si harbut.

I përgjigjej me ndjenjën e armiqësisë së etërve të tij ndaj shqiptarëve jashtë.

Ndaj miqtë e mi, kjo betejë nuk është pra vetëm për veten tonë, vetëm për familjet tona, për fëmijët tanë, por kjo betejë është për qindra e mijëra të rinj dhe të reja, qytetarë shqiptarë që u larguan, u dëbuan, u zbuan dhe boshatisën këtë vend gjatë këtyre tetë viteve nga një platformë që përbën gjenocid të vërtetë ndaj shqiptarëve.

Unë garantoj shqiptarët në emigracion dhe diasporë se programi i PD-së bashkon një seri masash, të cilat të bëjnë të mundur rikthimin tuaj të butë, të suksesshëm në dheun tuaj të dashur kudo që jeni.

Unë ju jap fjalën ju se kthimi juaj në Shqipëri do shoqërohet me një periudhë 5-vjeçare pa taksa në qoftë se do hapni biznese.

Do shoqërohet me vendosjen tuaj në vendet që meritoni, në vendet ku mund të kontribuoni më shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Do bëjmë gjithçka që Shqipërinë ta ngjisim, do ta bëjmë sërish vendin e parë për rroga dhe pensione në Ballkan.

Së bashku me ju, do rikthejmë përsëri Shqipërinë në rrugën e Europës.

Do krijohen të gjitha kushtet, me kredi dhe mjete të tjera për strehimin, për punësimin, për biznesin, për aktivitetin në fushën ku ju jeni më afër, më të specializuar.

Gjatë vitit 2008-2013, 180 mijë familje emigrantësh erdhën në Shqipëri.

Por prapë Shqipëria nuk kishte rrogat e atyre vendeve prej nga erdhën ata, por Shqipëria ktheu besimin se ky vend do bëhet nga shqiptarët.

Shqipëria nuk do jetë çiflig i mafies së Edi Ramës.

Shqipëria nuk do jetë çiflig i hajdutëve të tij.

Jo, Shqipëria do jetë vend i garës së ndershme, konkurrimit të ndershëm, barrës së ulët fiskale.

Shqipëria do jetë vend i ligjit. Ligji dhe vetëm ligji, kodi i mafies nuk do ketë më kurrë vend në Shqipëri.

Miqtë e mi, degradimi i këtij vendi është jashtë çdo imagjinate.

Është zëvendësuar tërësisht me narkoshtetin.

Sot, mediat informojnë se kandidat për drejtor të përgjithshëm të policisë është një person në arrati me mandat arresti.

Miq, pse e solla këtë shembull?

E solla këtë shembull sepse kjo është Shqipëria!

Shqipëria është në duart e mafies dhe vetëm mafies.

Dy muaj më parë u njoftova këtu se Skrapi i partisë njoftoi klanet mafioze dhe familjet mafioze që të largohen dhe isha shumë i sigurt në atë që u thashë.

U arrestua në Kosovë këto kohë një përfaqësues i rrezikshëm i klanit Çopja.

Anëtarët e organizatës kriminale të Skrapirt të partisë, me në krye mercenar Dumanin, u vërsulën si qen të tërbuar kundër oficerëve të policisë që u dekonspiruan.

Shkuan dhe i kontrolluan telefonin pa gjykatë drejtorit të përgjithshëm të policisë. Po atij mirë ia bënë, ai e meritonte.

Po kush thoni ju, e kishte dekonspiruar?

Organizata kriminale e Skapit të partisë me BKH-istat e tij.

Sa shkuan me e marrë në Kosovë, u tha haptas, ata më njoftuan.

A e shihni pra si e kanë shndërruar Skrapin në një çerdhe trafiqesh, pazaresh, gjobash dhe me radhë?

Miq, u ndala në këto shembuj jo rastësisht, por vetëm për të faktuar, për të vërtetuar dhe njëherë dhe 100 herë se krimi është sundimtari i gjithëfuqishëm i këtij vendi me gjithë Edi Ramën.

Ndaj dhe qytetarë dhe qytetare, kurrë në jetën tuaj nuk keni pasur një shans të tillë të madh që me guximin, me qëndresën, me atdhetarinë tuaj, me besnikërinë tuaj, të ngrihemi së bashku për dinjitetin tonë.

Të ngrihemi së bashku për përmbysjen e këtij regjimi antishqiptar për t’i rikthyer shqiptarëve votën e lirë.

Të ecim drejt qeverisë teknike, zgjedhjeve të lira, fitores së sigurt të opozitës.

Miqtë e mi, mos harroni kurrë se qytetarët shqiptarë janë në një agresion të egër propagande dhe censure, censure dhe propagande.

Sot, me diktat lajmet mbushen me mashtrimet e Edi Ramës.

Lajmet mbushen me suksese imagjinare.

Lajmet mbushen duke shpallur disfatat si arritje.

Për t’u mbushur mendjen shqiptarëve se narkoshteti i Edi Ramës është republika e lumturisë.

Ndërkohë që narkoshteti i Edi Ramës është pushtim i egër për qytetarin shqiptar, për të rinjtë shqiptarë, për pensionistët shqiptarë, për të sëmurët shqiptarë.

Miq, sot hajduti Rrjepaj, shikoni se çfarë deklaron, në komisionin hetimor parlamentar për shëndetësinë, të kryesuar nga zonja Vokshi, është zbuluar se drejtoria e përgjithshme e spitaleve i kishte dërguar një letër Ilir dhe Edvin Hajdutit.

Çfarë i thoshte në letër për sterilizimin? I thoshte se aparatura e sjellë në vitin 2011, e blerë mbi 800 mijë euro, aparaturë ultramoderne, me një kat kushtuar vetëm asaj aparature dhe sterilizimit, përballon 60 mijë operacione në vit në të gjithë Shqipërinë.

Përballon pra dy herë më shumë se të gjitha operacionet që kryheshin në vend.

Por kërkonin që të specializoheshin, sepse në të vërtetë ajo ishte një aparaturë ultramoderne, ishte një aparaturë dixhitale.

Ilir Beqaj, ai hajdut kriminel, me Edi Ramën, e fshehin letrën në mënyrë që sterilizimin t’ia besonin njerëzve të tyre. Mjekut murator me dy punëtorë.

Dhe Edi Rama si lëngaraq, ju kujtohet apo jo kur kalonte nga studio në studio me gërshërën me një bisht, kur u thoshte se ja me çfarë operoheshit, në një kohë kur Shqipëria dispononte mijëra e mijëra komplekse kirurgjikale. Ua them këtu, ata të kirurgjisë së fëmijëve, të praruara me florinj, të cilësisë më të lartë. Dhe i përdorte një mjek duarartë.

E fshehu dokumentin Edi Rama. Dhe çfarë ndodhi? Për sterilizimin e një seti veglash për një operacion, kostoja u rrit 83 herë.

Dhe çdo vit mbi 1 mijë shqiptarë mbeteshin pa operacion sepse spitalet nuk kishin fonde për të paguar setet e sterilizuara tmerrësisht të kushtueshme.

Vdiqën ose shisnin banesat, shtëpitë për t’u operuar në spitale private.

Kjo ishte barbari, kjo nuk është mjekësi.

E megjithatë, me gjithë këto, Altin Mercenari me anëtarët e tjerë të organizatës kriminale, nuk arreston Ilir Beqën dhe Edi Ramën për këtë krim të shëmtuar, por e arrestojnë për 120 mijë euro që ka vjedhur donacione të BE.

Ndaj dhe ju bëj thirrje të ngrihemi në betejë të pandalshme, pa kthim, krijimin e qeverisë teknike, zgjedhje të lira, fitore, fitore, fitore.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

About Krye Redaktor

Check Also

Kompania e konteniereve që operon në Portin e Durrësit u bllokua në SHBA me 20 ton kokainë

Një nga kompanitë që kanë ndenjur në hije është kompania e kontenierëve që është marrë …