Skandali/Bashkia shkrin skuadrën e Tiranës në këmbim të kullave te “Selman Stërmasi”

Alba KEPI

Bashkia e Tiranës dhe Kryetari i saj Erjon Veliaj po kryejnë krimin e radhës në qytet.

Pasi shkatërruan historinë e qytetit, identitetin e tij, artin, kulturën, trashëgiminë kombëtare, kinematë, pasurinë monumentale dhe tokat e autoktonëve, sot në Këshillin Bashkiak pritet të merret vendimi i radhës për ta kthyer Klubin Sportiv Tirana në një Qendër Sportive drejtuar nga një Bord Drejtorësh.

Është një tjetër akt kriminal ndaj qytetit për ta shndërruar sportin dhe skuadrën autoktone në një biznes dhe aferë kompanie me borde drejtorësh si 3D, 4D, 5D, 6D, Djegësat etj.

Gjithçka kryhet në kundërshtim katërcipërisht me ligjin e sportit, i cili përcakton se asnjë klub sportiv nuk mund të drejtohet nga një bord drejtorësh, por nga një Asamble ekzekutive anëtarësh.

“Në kundështim të plotë me legjislacionin me dispozitat e Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, ligjit nr. 8788, datë 07.05.2001 ‘Për organizatat jofitimprurëse’, të ndryshuar, dhe ligjit nr. 80, datë 24.06.2021 ‘Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse’, të ndryshuar, ligjit nr. 79/2017 ‘Për sportin’”, siç thekson dhe analiza e ekspertëve të Departamentit të Sporteve pranë Partisë Demokratike.

Gjithçka po bëhet pa informuar Klubin e Futbollit, i cili është 50% ortak bashkë me Bashkinë.

Si këshilltare bashkiake, kam denoncuar çfarë po ndodh që në mbledhjen e muajit shtator të Këshillit Bashkiak.

Sot, në mbledhjen e tetorit, jemi para aktit të kryer, se me forcën e kartonit pushteti socialist do të aprovojë aferën e radhës për xhepat e klientelizmit të tyre, investitorëve strategjik të Partisë dhe oligarkisë që pastron paratë e grupeve kriminale.

Klubi i Tironës i duhet për riciklimin e parave të pista, për stadiumin Selman Stermasi, që duan ta bëjnë kullë dhe për të fundosur historinë bardhë e blu.

Tirona nuk është thjesht skuadër; është frymë dhe himn i autoktonëve kundër çdo diktature.

Në shkallët e stadiumit, tifozët bardhë e blu nisën revolucionin antikomunist, dhe në këto shkallë ushtojnë edhe sot thirrjet “Rama Ik – Veliaj në qeli, Poshtë Diktatura”.

Ndjeshmëria ndaj këtij vendimi është jo vetëm si autoktone, jo vetëm si tifozë, jo vetëm si këshilltare opozitare, por edhe sepse klubi i Tironës ka qenë pjesë e pandashme e jetës time. E vesha këtë fanellë qysh e vogël si thirrje gjaku, e vesha këtë fanellë të babait tim, i cili ka shkruar historikun e këtij klubi dhe që e gjeni edhe në portalin zyrtar të KS Tirana. Tirona është amanet!

Është histori e krenari e sportit shqiptar. Larg duarve nga Sporti!

PS. Historia jonë, historia bardhë e blu, Autor Bedri Alimehmeti.

15 gusht 1920, dita kur një grup intelektualësh tiranas, me në krye: Bahri e Said Toptani, Stefan Shundi, Anastas Koja, Anastas Shundi, Irfan Gjinali, Reshat Tafalla, Jonuz Tafaj etj., mbledhur në kafe “Kursal”, vendndodhja e së cilës ka qenë në qendër të Tiranës, gati ballë për ballë me godinën e Bankës, formuan Sport Klub Tirana.

Pas këtij akti, u hartua programi, statuti dhe u caktua emblema, që kishte rrënjët në bardheblunë e flamurit të oxhakut toptanas dhe në thellësitë oqeanike të genit tiranas, që karakterizohet nga bardhësia e shpirtit dhe çiltërsia e ndjenjave qiellore. U caktuan kuotizacionet e anëtarëve. Të gjitha familjet tiranase sipas dëshirës e mundësive kontribuan financiarisht për Sport Klubin Tirana. Sidomos tregtarë të njohur derdhën të ardhura të konsiderueshme në arkën e klubit (mes tyre stërgjyshi im).

Në një mbledhje tjetër të kryesisë, zhvilluar pak ditë më vonë, iu kërkua, nëpërmjet një shkrese bashkisë, drejtuar konkretisht kryetarit z. Fuat Toptani, madje njëkohësisht e njëjta kërkesë iu paraqit edhe kryeministrit të asaj kohe z. Sulejman Delvina, leja për caktimin e një sheshi, ku Sport Klub Tirana të ushtronte normalisht aktivitetet e veta sportive. Interesimi i vetë kryetarit të bashkisë së asaj kohe, z. Fuat Toptani, bëri të mundur dhënien me qira të truallit në Shallvare.

ImageImage

 

About Krye Redaktor

Check Also

Raporti: Rama dhe Veliaj kanë pushtuar mediat kombëtare, zënë 27% të kohës të të gjithë programacioneve

Të dhënat e AMA-s të analizuara nga BIRN tregojnë se kryeministri, anëtarët e kabinetit qeveritar …