Anulimi i seancës, reagon PD: Kuvendi nuk është qelia personale në burg e Pëllumb Gjokës!

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar ashpër pas vendimit të mazhorancës për të anuluar seancën e sotme parlamentare, teksa pretendojnë se ky vendim është marrë pa u bërë asnjë konsultim, ndërsa thuhet se është antikushtetues dhe bie ndesh me çdo parim demokratik.

Grupi parlamentar i PD shkruan se, seanca plenare dhe plani i punës së Kuvendit miratohen nga Konferenca e Kryetarëve me mirëkuptim apo nga seanca plenare, që ka përcaktuar me vendim se dita e enjte, datë 10 Tetor 2024, është ditë për mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare.

REAGIM I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

Kuvendi i Shqipërisë është institucion kushtetues, që funksionon sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Seanca plenare dhe plani i punës së Kuvendit miratohen nga Konferenca e Kryetarëve me mirëkuptim apo nga seanca plenare, që ka përcaktuar me vendim se dita e enjte, datë 10 Tetor 2024, është ditë për mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare. Kryetarja e Kuvendit ka vetëm detyrimin për të caktuar çështjet qe trajtohen, pra Rendin e Ditës.

Anulimi i seancës me vendim personal të Elisa Spiropalit është antikushtetues dhe bie ndesh me çdo parim demokratik të funksionimit të Parlamentit. Kuvendi nuk është qelia personale në burg e Pëllumb Gjokës, që për shkak të lidhjeve me pushtetin, ai e hap e mbyll sa herë dëshiron. Kuvendi është tempulli i përfaqësimit të qytetarëve, që nuk mund të trajtohet kurrë si qelia e Pëllumb Gjokës.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë sjelljen e Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, që hap e mbyll punimet e Kuvendit, pa asnjë konsultim, pa ndjekur asnjë rregull, duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, dhe duke e shndërruar zyrtarisht Parlamentin e Shqipërisë në qelinë personale në burg ku strehohet Pëllumb Gjoka apo të ngjashmit e tij.

About Redaksia

Check Also

Një tjetër ish-ministër në kërkim nga drejtësia arratiset nga vendi/ A do të flasë si Ahmetaj?

Një tjetër ish ministër i Ramës në kërkim nga drejtësia ka marrë arratinë. Kërkohet për …