Ndodh në PS, Drejtori i Veliajt fut në burg babanë për aferën e tij

Në muajin maj, larg vëmendjes mediatike, Gjykata e Tiranës ka firmosur një vendim përmes të cilit e cilëson fajtor dhe dënon administratorin e shoqërisë “Arb&Trans 2010”, Shyqyri Maloku, me akuzën e ndërtimit të paligjshëm kryer në bashkëpunim. Maloku, babai i Arben Malokut, zyrtar socialist, është dënuar për këtë çështje me 3 vite burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i reduktohet në 2 vite.

Bëhet fjalë për një pallat 13 katësh pranë rrugës Myslym Shyri në kryeqytet, i cili u zbulua me shkelje të rënda të lejes së ndërtimit. Ngjarja e ka zanafillën tek denoncimi i ministrit të Brendshëm asokohe, Bledi Çuçi, gjatë fushatës së qeverisë për denoncimin e shtesave pa leje në gratacielat e Tiranës. Këto shtesa u sekuestruan, por më pas iu rishitën sërish pronarëve të tyre me çmim reference.

“Ky subjekt ka jo vetëm kate pa leje, por edhe një ndryshim skandaloz të projektit nga ai i miratuar,” deklaroi Çuçi teksa ndodhej para pallatit, ndërkohë që krah tij ishte Dallëndyshe Bici, që në atë kohë drejtonte IKMT-në.

Pallati në fjalë rezultoi se ishte ndërtuar nga kompania “ARB & TRANS-2010”, e themeluar nga Arben Maloku, i cili për disa kohë ka mbajtur detyrën e kryetarit të Partisë Socialiste në njësinë administrative Zall-Herr. Sikurse rezulton nga historiku i kompanisë, Arben Maloku e themeloi atë në 2010 dhe 8 vite më vonë ia shiti aksionet vjehrrit të tij. Në 2021, ky i fundit ia dhuroi aksionet Shyqyri Malokut, babait të Arben Malokut, tashmë i dënuar nga Gjykata e Tiranës për ndërtim të paligjshëm.

Lidhur me pallatin në fjalë, leja e ndërtimit është firmosur nga Bashkia Tiranë. Arben Maloku është shfaqur shpeshherë krah kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në aktivitete të ndryshme politike. Kompania, që tashmë është në pronësi të familjarëve të tij, ka përfituar tenderë publikë nga Bashkia e kryeqytetit përgjatë viteve 2019-2022. Madje, në një dalje publike përkrah Malokut, vetë Veliaj nuk i ka kursyer fjalët e mira për të.

Megjithatë, fjalët e mira të Veliajt nuk e kanë ndihmuar Arben Malokun të shmangë dënimin nga gjykata. Maloku është shpallur fajtor për “Arb&Trans 2010” sh.p.k dhe është dënuar me gjobë prej 1 milion e 400 mijë lekë, të cilën duhet ta shlyejë brenda afatit 1-vjeçar nga dita që vendimi merr formë të prerë.
“Në bazë të nenit 10 të ligjit nr. 9754 ‘Për përgjegjësinë penale të personit juridik’, ndalohet marrja pjesë ose përdorimi i licencave, autorizimeve, koncesioneve, subvencioneve,” thuhet në vendimin e gjykatës.

Nga hetimi i prokurorisë rezultoi se “nga analiza e të gjitha rrethanave, të gjithë të dyshuarit kanë qenë në dijeni të kryerjes së ndërtimit në shkelje të rëndë të lejes së ndërtimit dhe në këto kushte kanë vijuar të japin secili kontributin e tij për të vijuar me situatën e paligjshmërisë”. Ky vendim është ankimuar në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm.

Në përfundim, ajo që shihet qartë është se lufta e klaneve brenda PS dhe interesat e individëve brenda saj vijojnë në mënyrë selektive të penalizojnë ish të preferuarit e “shefave”. Rasti në fjalë, si denoncim i ish-ministrit të Brendshëm, ngre pyetjen e madhe: Si është e mundur që denoncimet publike me kamera përdoren nga shtetarët, të cilët kanë hapësirën ligjore të monitorojnë punën dhe biznesin e gjithkujt? A është kjo një mënyrë propagande apo selektimi të denoncimeve të qeverisë për bizneset që qartazi janë përfituese të fondeve shtetërore?

About Krye Redaktor

Check Also

“Reporter”: Edi Rama dhe Erion Veliaj monopolizojnë mediat audiovizive kombëtare

Të dhënat e AMA-s të analizuara nga BIRN tregojnë se kryeministri, anëtarët e kabinetit qeveritar …