Bozdo: 52% e forcimit të lekut është e pajustifikuar! Në 11 vite, 24 miliardë euro kanë hyrë në Shqipëri nga burime të paligjshme

‘52% e forcimit të lekut është e pajustifikuar’, deklaroi deputeti i PD-së, Eno Bozdo, gjatë prezantimit të analizës së Departamentit të Ekonomisë të Partisë Demokratike mbi rënien e euros, duke akuzuar se faktorët ekonomikë zyrtarë nuk shpjegojnë zhvlerësimin e monedhës europiane.

Sipas përllogaritjeve të ekspertëve të PD-së, në periudhën 2016–2025 në ekonominë shqiptare kanë hyrë rreth 19 miliardë euro të pajustifikuara, ndërsa shifra, duke përfshirë edhe 2026-n, vlerësohet në rreth 24 miliardë euro, të cilat, sipas tyre, vijnë nga burime të paligjshme.

Bozdo tha se analiza, e mbështetur në mbi 60 dokumente dhe 26 seri kohore të të dhënave nga institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare, nxjerr në pah se produktiviteti, turizmi, investimet e huaja dhe faktorë të tjerë zyrtarë nuk justifikojnë rënien e fortë të euros. Ai e cilësoi këtë zhvillim si një fenomen të pazakontë, që po dëmton prodhuesit, eksportuesit, fermerët dhe ekonominë shqiptare.

Fjala e deputetit, Eno Bozdo

Faleminderit për prezencën tuaj. Pa humbur kohë, po kalojmë në prezantimin e materialit të punuar nga ekspertët e ekonomisë, Departamenti i Ekonomisë pranë Partisë Demokratike.

Tema e sotme, apo ajo që duam të prezantojmë, ka të bëjë me elefantin në dhomë, që është rënia e euros: shkaqet, pasojat, përgjegjësia dhe përgjegjësia e mbikëqyrësit.

Në vitin 2013, 1 euro kushtonte mesatarisht 1400 lekë të vjetra. Më lejoni të përmend lekët e vjetra, për të mos krijuar konfuzion për të gjithë ata që na ndjekin. Sot, euro kushton diçka më shumë se 890 lekë të vjetra.

Kjo është tema që i shqetëson të gjithë: prodhuesit, konsumatorët. Pas këtyre dy numrave janë prodhuesit tanë, fermerët, eksportuesit, emigrantët që dërgojnë para në shtëpi, familjet që kursejnë në euro dhe vetë buxheti i shtetit.

Qeveria dhe Banka e Shqipërisë përpiqen të na mbushin mendjen se e gjithë kjo, forcimi i ndjeshëm i monedhës vendase, vjen nga fondamentet e një ekonomie të fortë. Por ne nuk mendojmë kështu.

Për t’i shkuar kësaj të vërtete deri në fund, kemi detyrimin ndaj atyre që na ndjekin, por edhe ndaj vetes, për të bërë një analizë mirëfilli ekonomike dhe matematikore. Cilët janë faktorët që kanë ndikuar në uljen e euros dhe a mund t’i kuantifikojmë ata?

Këto janë shifrat e rënies së euros, siç i shikoni. Në vitin 2013, 1400 lekë, ndërsa tani diçka më pak se 890 lekë. Siç e shikoni, euro zbret pandërprerë dhe, veçanërisht pas vitit 2022, rënia u përshpejtua. Kjo nuk është një lëvizje e zakonshme.

Në studimin e Eurostatit, leku veçohet nga 36 monedhat e tjera, pasi ka fituar më shumë ndaj euros se çdo monedhë tjetër e krahasueshme. Asnjë monedhë tjetër në Europë nuk krahasohet me fuqinë që ka sot monedha shqiptare. Kur një monedhë sillet kaq ndryshe nga të tjerat, atëherë pyetja shtrohet me të drejtë: çfarë qëndron saktësisht pas këtij forcimi, jo vetëm të pazakontë, por ndoshta unik në botë?

Mesazhet kryesore të këtij prezantimi i kemi ndarë në pesë pika. E para: euro është zhvlerësuar më shumë se çdo monedhë tjetër kundrejt monedhave të vendeve përkatëse. E dyta: shpjegimi zyrtar, në rastin më të mirë, nuk mjafton.

Produktiviteti justifikon vetëm një pjesë shumë të vogël të rënies së euros. Ndërsa turizmi, të paktën sipas statistikave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, rezulton të jetë katër deri në pesë herë më i shtrenjtë se në vende të tjera, të cilat kanë çmime dy ose tre herë më të shtrenjta se Shqipëria. Por për këto do t’i kthehemi analizës matematikore në sllajdet e mëvonshme.

Faktorët zyrtarë, në rastin më të mirë dhe bazuar në vetë shifrat e Bankës së Shqipërisë, shpjegojnë më pak se gjysmën e rënies së euros. Për të bërë analizën, ne i jemi përmbajtur strikt të dhënave që vijnë përgjithësisht nga INSTAT-i, Banka e Shqipërisë, Eurostat-i dhe serive kohore të shumë indikatorëve, të cilët do t’i shohim më pas.

Pra, jemi mbështetur strikt në të dhënat që vijnë përgjithësisht nga autoritetet vendase, pavarësisht dyshimeve të forta që mund të kemi mbi këto të dhëna. Megjithatë, analizën duhet ta bazojmë, në përgjithësi, në këto të dhëna.

Për këtë analizë kemi lexuar mbi 60 dokumente dhe kemi matur mbi 26 seri kohore. Janë 37 raporte dhe studime të Bankës së Shqipërisë, ligje, akte nënligjore, deklarata zyrtare të guvernatorit dhe dokumente ndërkombëtare. Këto të fundit përfshijnë tetë dokumente nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Organizata Botërore e Punës, si dhe 26 seri kohore të dhënash zyrtare.

Çfarë përfaqësojnë këto seri kohore? Hyrjet e të huajve, netët në akomodim, lejet e ndërtimit, Prodhimi i Brendshëm Bruto dhe vlera e shtuar sipas sektorëve, punësimi sipas sektorëve, produktiviteti sipas Bankës Botërore, Eurostatit dhe ILO-s, inflacioni, monedhat e tjera kundrejt euros, turizmi dhe krahasimi me vendet e rajonit, ku kemi marrë Greqinë, Kroacinë dhe Malin e Zi, nivelet e çmimeve, censusi i vitit 2023, popullata dhe banesat, si dhe indeksi i prodhimit industrial sipas Eurostatit.

Ajo që vëmë re menjëherë është një ping-pong deklaratash ndër vite mes qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë deklaron se forcimi i lekut përfaqëson një fenomen strukturor, ndërsa kryeministri thotë se e vërteta është që ka rënë euro, por është forcuar leku.

Më tej, qeveria thotë se kryeministri nuk mund të ndërhyjë në kursin e këmbimit, pasi politikat monetare i bën Banka. Ndërsa Banka e Shqipërisë thotë se nuk mund t’i masë paratë e pista, se nuk i rezulton pastrim parash në sistemin bankar, se kjo nuk është detyrë e Bankës Qendrore dhe se kursin e këmbimit e përcakton tregu, jo Banka e Shqipërisë, e kështu me radhë.

Pyetja shtrohet jo vetëm për ne që jemi në politikë, por mbi të gjitha për ata që janë aktorë dhe faktorë në ekonomi: çfarë po ndodh? A mund të ndalet rënia, apo gremisja e euros, që po dëmton të gjithë?

Përgjigjet që vijnë nga të dyja palët, Banka e Shqipërisë dhe qeveria, janë një ping-pong mes tyre, për të përcaktuar se kush e ka përgjegjësinë dhe çfarë duhet të bëjë secili.

Si i kemi testuar këto hipoteza? Me tetë teste të ndryshme: kursi kundrejt ndërtimit, remitancave, turizmit, llogarisë korrente, deficitit tregtar, investimeve të huaja, produktivitetit dhe turizmit neto, krahasuar me çmimet e vendeve fqinje.

Për të kuptuar se çfarë po ndodh saktësisht me euron, kemi kryer dy analiza statistikore: analizën e korrelacionit, për të kuptuar cilat dukuri shoqërohen me njëra-tjetrën, dhe analizën e regresionit, për të kuptuar se sa lëviz kursi me 1 miliard euro e më shumë.

Kombinimi i këtyre dy analizave për një fenomen të caktuar na jep një ndikim dhe prirje të qartë, thuajse me siguri absolute, për të përcaktuar se për çfarë dukurie bëhet fjalë.

Futemi në thelbin e analizës. Shikoni grafikët që janë në tabelë. Grafiku i parë tregon rënien e euros, grafiku i dytë lejet e ndërtimit, të matura në milionë metra katrorë, ndërsa grafiku i tretë tregon hyrjet e të huajve, apo atë që ndryshe qeveria e quan turizëm.

Çfarë na tregojnë analiza e korrelacionit dhe analiza matematikore e regresionit? Në vitet përkatëse, lidhja me lejet e ndërtimit është -0.97. Kjo do të thotë se euro dhe lejet e ndërtimit lëvizin në drejtime të kundërta. Me pak fjalë, sa më shumë metra katrorë ndërtohen, aq më shumë bie euro.

-0.97 është shumë afër shifrës 1. Nëse do të arrinim në 1, nuk do të kishim më të bënim me analizë korrelacioni, por me një funksionalitet të plotë. Ndërsa analiza e regresionit nxjerr koeficientin 1 të mijtë, çka do të thotë se probabiliteti që kjo të jetë rastësi është vetëm 1 në 1000.

Analiza e dytë që kemi bërë është ajo me remitancat. Remitancat nuk i kemi paraqitur këtu për arsye hapësire. Koeficienti R është 0.86, çka do të thotë se edhe ky është shumë afër njëshit. Pra, kemi një lidhje gjithashtu shumë të fortë.

Por duhet kuptuar se, ndërsa Banka Botërore mat remitancat, ajo mat çdo të ardhur që hyn në vend dhe nuk mund të dallojë remitancat e ligjshme nga kanalet e tjera të parave që hyjnë në Shqipëri. Ndikimi, sipas faktorit të regresionit, është 0.01, pra një e qindta.

Ndërsa për turistët nuk kemi lidhje korrelacioni. Koeficienti R është -36%, ndërsa P-ja është 0.43. Kjo do të thotë se nuk ka lidhje mes dy dukurive, rënies së euros dhe turizmit. Këto janë prova matematikore. Edhe një herë, jemi të zhveshur nga politika dhe flasim në matematikë.

Jo vetëm që nuk ka lidhje, por 0.43 është shumë afër probabilitetit normal. Mendoni një monedhë që mund ta hedhim në ajër: 0.5 është probabiliteti që të bjerë në njërën faqe dhe 0.5 që të bjerë në faqen tjetër. Këtu jemi te 0.43.

Prova më e fortë për këtë është viti i COVID-it, kur në vitin 2020 turistët ranë me 60%, ndërsa euro ruajti pothuajse të njëjtin nivel, me një rritje shumë të lehtë.

Por kemi edhe një provë tjetër kur bëhet fjalë për numrin e turistëve. Shikoni numrin e turistëve: kemi krahasuar dy vite, 2007-n dhe 2022-shin. Në vitin 2007, Shqipëria kishte 1.13 milionë turistë, pra 1 milion e 130 mijë, ndërsa në vitin 2022 kishte 7.5 milionë turistë.

Ndërsa numri i turistëve është rritur pothuajse shtatë herë, euro ka zbritur vetëm me 4%. Këtu, besoj, kemi një analizë të mirëfilltë për të thënë se të ardhurat nga turizmi, të cilat qeveria dhe Banka e Shqipërisë i përmendin si faktorin kryesor të rënies së euros, mund t’i përjashtojmë matematikisht nga kjo analizë. Do të kemi edhe argumente të tjera që lidhen me disa aspekte të turizmit.

Por çfarë ndodhi me deficitin tregtar? Shqipëria paraqet një rast të veçantë, pasi deficiti tregtar, nga 1.96 miliardë euro në vitin 2013, është trefishuar, duke arritur në 5.96 miliardë euro.

Ndërsa deficiti tregtar trefishohet, euro vazhdon të zbresë, çka do të thotë se këto dy dukuri lëvizin në drejtime krejt të kundërta. Si rregull, thellimi i deficitit tregtar në tregtinë e jashtme të një vendi me eurozonën duhet të çonte patjetër në forcimin e monedhës së eurozonës, euros. Nuk mund të ndodhë që deficiti tregtar të thellohet kaq shumë dhe euro të zbresë në të njëjtën kohë.

Dhe nuk flas vetëm për deficitin tregtar. Kemi edhe llogarinë korrente, e cila mat një tjetër tregues dhe arrin në 4.7 miliardë euro, ndërsa euro vazhdon të zbresë.

Një ndër argumentet që kemi dëgjuar nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë janë investimet e huaja direkte. Të gjithë e kanë dëgjuar: investimet e huaja, investimet e huaja. Por çfarë rezulton nga investimet e huaja direkte?

Rezulton se 51% e investimeve të huaja direkte të ardhura gjatë kësaj periudhe nuk janë hyrje të reja në euro, por riinvestime.

Shqipëria ka pasur investime të huaja direkte neto prej 700 milionë eurosh në vitin 2013, pra hyrje të drejtpërdrejta në ekonomi, që vinin nga eurozona. Dymbëdhjetë vjet më vonë, kjo shifër është 798 milionë euro.

Diferenca, siç e shikoni, paraqitet në grafik: hyrjet neto janë me kolonat blu, ndërsa riinvestimet me kolonat portokalli. Pra, këtu nuk bëhet më fjalë për euro të reja që hyjnë në ekonominë shqiptare, por për të njëjtat para që qarkullojnë. Për rrjedhojë, edhe faktori i investimeve të huaja direkte është i pamundur të ketë shkaktuar një rënie kaq të fortë të euros.

Produktiviteti. Një nga faktorët që na thuhet është se Shqipëria ka rritur produktivitetin. Shqipëria vërtet mund ta ketë rritur produktivitetin, pasi kanë kaluar 13 apo 14 vite dhe vendi mund të ketë bërë përpara, por mbetet vendi me produktivitetin më të ulët në rajon.

Një punëtor shqiptar prodhon 18.7 dollarë në orë. Vendet e rajonit prodhojnë nga 26 deri në 31 dollarë në orë. Pra, Shqipëria ka produktivitet të ulët dhe ky produktivitet nuk justifikon absolutisht të gjitha shifrat që paraqiten.

Por ka disa shifra shumë interesante që duhet t’i përmendim lidhur me produktivitetin. 29% e rritjes së produktivitetit, aq sa ka qenë, pra rreth një e treta, vjen vetëm nga zhvendosja e brendshme e punonjësve nga një sektor në tjetrin.

Në një kohë kur industria nxjerrëse dhe industria prodhuese janë ulur me 3.7%, ndërsa bujqësia ka rënë me 2.5%, këta janë sektorët ku produktiviteti mund të shtojë prodhimin.

Ndërkohë, 52% e të punësuarve shtesë, me të cilët mburret qeveria për periudhën 2013–2025, janë, për fat të keq, mbi moshën 65 vjeç. Kjo do të thotë se vendet e punës mund të jenë hapur, por, për shkak të largimit të të rinjve nga vendi, janë plotësuar nga pensionistë, të cilët duhet të punojnë sërish, sepse, me pak fjalë, pensioni nuk u mjafton.

Por çfarë mund të justifikojmë me produktivitetin? I kthehemi studimeve, sepse nuk do të shpikim gjëra. Ekziston një studim i Bankës së Shqipërisë i vitit 2011, sipas të cilit, në një strukturë ekonomike që praktikisht nuk ka ndryshuar shumë, një rritje prej 1% e produktivitetit e forcon lekun me 0.27 pikë përqindjeje deri në 0.58 pikë përqindjeje.

Pra, përkthimi një me një është i pamundur. Por kemi edhe një studim tjetër shumë të rëndësishëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar për vendet me të ardhura të ulëta, sipas të cilit ky forcim lëviz nga 0.19 deri në 0.27. Të dy studimet përputhen te shifra 0.27.

Kjo do të thotë se një rritje prej 1% e produktivitetit sjell forcim të monedhës vendase vetëm me rreth 0.27%.

Dhe ja ku i kemi shifrat për të parë se çfarë do të ndodhte. Forcimi real i lekut është 48.2%, jo nominali. Nominali është 36%, ndërsa reali 48.2%.

Çfarë do të justifikonte, nëse përkthimi i produktivitetit në forcim do të ishte një me një? Vetëm 24.9%. Sipas kufirit të lartë të vlerësimit të Bankës së Shqipërisë dhe FMN-së, vetëm 6.2% nga 48.2% mund të justifikohen nga produktiviteti në forcimin, apo mbivlerësimin, e lekut.

Por kemi edhe studime të tjera të rajonit. Përmenda studimin për Shqipërinë, por ka edhe një studim për 16 ekonomi në zhvillim, po nga FMN-ja, sipas të cilit 1% rritje e produktivitetit rrit çmimet relative ose të ardhurat në vendet me të ardhura të ulëta me 0.17 deri në 0.19%.

Pra, këtu bëhet fjalë për një kufi edhe më të ulët. Ka edhe një studim tjetër të Bankës Botërore për 11 vendet e Europës Lindore dhe një studim për Kroacinë. Kroacia mund të merret ndoshta si një kampion, një model për ekonominë tonë, pasi studimi bën një gjetje tjetër shumë interesante.

Nga viti 1998 deri në vitin 2006, kur qeveria kroate bëri mjaft reforma, rritja e produktivitetit nuk pati asnjë ndikim domethënës statistikisht mbi forcën e monedhës së saj, kunës kroate. Në Maqedoninë e Veriut rezulton e njëjta gjë.

Po çfarë pranon FMN-ja për Shqipërinë? FMN-ja pranon se produktiviteti mbeti i dobët. Prodhimi për orë pune ka pasur rritje të kufizuar gjatë dekadës së fundit. Pagat reale kanë tejkaluar rritjen e produktivitetit, çka do të thotë se kemi hyrë në inflacion pagash, dhe kjo vjen sepse Shqipëria është zbrazur, siç mund të kuptohet.

Forcimi i lekut ul eksportet e mallrave dhe gërryen konkurrueshmërinë e industrisë. Por ka një të dhënë tjetër shumë interesante në raportin vjetor të FMN-së të vitit 2025, e cila ka përdorur një model të quajtur EBA-lite, ndryshe modeli i vlerës së vërtetë të monedhës.

Sipas FMN-së, leku është mbivlerësuar me 38.4%. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se, po në të njëjtin studim të FMN-së, një analizë tjetër e bazuar mbi llogarinë korrente thotë se leku, në fakt, është nënçmuar me 12%.

Dy studime brenda të njëjtit raport, dy modele që japin drejtime të kundërta, dhe FMN-ja ndalet duke thënë se duhet pasur kujdes në interpretimin e asaj që po ndodh me ekonominë shqiptare. Pra, edhe FMN-ja vetë nuk arrin dot në konkluzione të forta, pavarësisht se Banka e Shqipërisë dhe qeveria e përmendin FMN-në si mbështetëse të faktit se leku është mbivlerësuar për shkak të faktorëve fundamentalë të ekonomisë.

Shikoni çfarë ndodh tani me turizmin, sepse qeveria dhe Banka e Shqipërisë i referohen sektorit të turizmit për të shpjeguar boshllëkun që krijohet në llogaritë ekonomike. E hapin dhe e mbyllin si fizarmonikë për të shpjeguar çfarë ndodh.

Kemi 5.72 miliardë euro të ardhura nga turizmi në vitin 2025, sipas Bankës së Shqipërisë, në një kohë kur kemi 9.67 milionë net-fjetje në akomodim, sipas INSTAT-it.

Po të bëjmë një pjesëtim të thjeshtë, rezulton se për një natë fjetje një turist në Shqipëri ka shpenzuar 592 euro. Shikoni sa është kjo shifër për Greqinë: 151 euro. Për Kroacinë: 139 euro. Për Malin e Zi: 96 euro.

A është e mundur që një turist në Shqipëri të shpenzojë pesë herë më shumë sesa në Greqi dhe Kroaci? Kjo është statistika që na serviret për të na mbushur mendjen se fondamentet e ekonomisë janë shumë të forta.

Po sa shpenzon turisti në vendet e tjera? Greqia ka deklaruar të ardhura prej 23.6 miliardë eurosh vitin e kaluar nga turizmi. Nëse do të përdorte statistikat shqiptare, do të deklaronte 92.5 miliardë euro.

Kroacia ka deklaruar 15.3 miliardë euro, ndërsa me statistikat shqiptare do të rezultonte me 65.2 miliardë euro. Mali i Zi ka deklaruar 1.5 miliardë euro, ndërsa me të dhënat që ofron qeveria shqiptare dhe Banka e Shqipërisë do të rezultonte me 9.1 miliardë euro.

Kjo për të kuptuar se sa e fryrë është statistika e turizmit dhe se si përdoret për të justifikuar të ardhurat që hyjnë në ekonomi, pa u kuptuar qartë se nga vijnë.

Për të kuptuar më shumë edhe lidhur me turizmin, kemi bërë një analizë regresioni. Çfarë kemi bërë? Kemi marrë të dhënat e Bankës së Shqipërisë, duke analizuar skenarin sipas të cilit ato të dhëna janë të sakta, siç pretendon Banka e Shqipërisë dhe qeveria.

Shikoni çfarë rezulton nga analiza e regresionit: edhe me të dhënat e vetë qeverisë, vetëm 40% e forcimit të lekut mund të justifikohet. 60% tjetër vjen nga faktorë që ne nuk i masim dot. Pra, edhe sipas të dhënave të vetë qeverisë shqiptare.

Kthehemi tani për të bërë një përllogaritje se sa janë eurot që hyjnë në ekonomi dhe që kanë ndikuar në uljen e euros në këtë nivel. Për këtë kemi marrë të gjitha të dhënat që ofron Banka e Shqipërisë dhe INSTAT-i.

Për llogaritjen e të ardhurave nga turizmi nuk mund të përdorim të dhënat tona, pasi i konsiderojmë të pasakta. Atëherë, çfarë do të përdorim? Do të supozojmë se Shqipëria është vendi më i shtrenjtë në rajon. Në fakt, vendi më i shtrenjtë në rajon është Kroacia.

Do të supozojmë se një turist në Shqipëri shpenzon aq sa shpenzon në Kroaci. Pse Kroacia? E keni të shpjeguar në sllajdin përkatës, sepse, sipas indeksit të nivelit të çmimeve, në raport me mesataren 100 të Bashkimit Europian, Kroacia është rreth 91, Greqia 85 dhe Mali i Zi 63. Kjo do të thotë se Kroacia, në tërësinë e vet, është më e shtrenjta edhe se Greqia.

Dhe kemi marrë këtë si bazë. Të ardhurat nga turizmi, sipas Bankës së Shqipërisë, janë 5.7 miliardë euro. Nëse një turist do të shpenzonte aq sa shpenzon në vendin më të shtrenjtë të rajonit, i cili është më i shtrenjtë se Greqia, me të njëjtat të dhëna, në turizëm do të na hynin vetëm 1.7 miliardë euro.

Teprica e pajustifikuar, bashkë me gabimet dhe harresat që janë pjesë e gabimit statistikor, është 4.2 miliardë euro vetëm në vitin 2025.

Sa do të ishte vlera e lekut sot, nëse do ta llogarisnim sipas niveleve të ndryshme të produktivitetit? Thamë se edhe në raportin një me një, që justifikon qeveria, leku do të justifikonte vetëm 48% të forcimit. 52% është e pajustifikuar.

Ndërsa në raportin e produktivitetit që vlerësojnë Banka e Shqipërisë dhe FMN-ja, leku shqiptar sot duhet të ishte 129 lekë. Pra, maksimalisht, në 12 vite, mund të kishim pasur një ulje prej 110 lekësh të vjetra.

Atëherë, çfarë na mbetet? Na mbetet t’i kuantifikojmë të gjithë faktorët që kemi marrë dhe t’i vlerësojmë, për të kuptuar se cili është faktori X, ai faktor që ne e dimë se sjell të ardhura në ekonomi, por të cilit nuk mund t’i vëmë një emër, të paktën në këtë analizë. Më vonë do t’ia bëjmë edhe emrin patjetër, por për momentin e kemi me pikëpyetje.

Shikoni: në rastin më të mirë, nëse marrim të gjitha të dhënat që ofron Banka e Shqipërisë, INSTAT-i dhe gjithçka që na servir qeveria, vetëm 48% e forcimit do të ishte e justifikuar. 52% e forcimit të lekut është e pajustifikuar. Ndërsa, në rastin e analizës reale, kjo shifër shkon në 100%.

Në analizën reale, asnjë pjesë e rënies së euros nuk justifikohet nga një faktor i vetëm apo nga kombinimi i faktorëve të analizuar. Absolutisht asgjë.

Tashmë kemi mundësinë të bëjmë një analizë tjetër, për të përcaktuar shumën e eurove të faktorit X të shpërndara ndër vite.

Nga viti 2016 deri në vitin 2025, sipas të dhënave statistikore, kemi afërsisht 19 miliardë euro hyrje të pajustifikuara në ekonominë shqiptare. Nëse marrim edhe të dhënat e vitit 2026, për të cilin nuk kanë dalë ende të gjitha seritë kohore dhe kemi vetëm gjashtëmujorin e parë, por edhe prirjen, atëherë në këtë periudhë 11-vjeçare arrijmë në një diapazon prej afërsisht 24 miliardë eurosh të hyra në ekonominë shqiptare, të cilat, sipas analizës, vijnë nga burime të paligjshme.

Por të mos harrojmë edhe diçka tjetër: në tre vitet e fundit, Banka e Shqipërisë ka humbur rolin dhe funksionin e saj në lidhje me stabilitetin e çmimeve dhe mbajtjen nën kontroll të inflacionit. Ajo ka dalë në treg dhe ka blerë euro sa ka mundur, me gjithë fuqinë që ka pasur.

Në tre vite, nga 2024-a, 2025-a dhe 2026-a, ka blerë afërsisht 3 miliardë euro. E megjithatë, nuk ka mundur të ndalojë rënien, apo më saktë, gremisjen e euros.

Kjo situatë ka shkaktuar, vetëm për këtë vit, në këmbimin e viteve 2024–2025, humbje prej 300 miliardë lekësh, ose ndryshe 3 miliardë euro. Në euro, për shkak të rënies së euros, humbja totale është 800 milionë. Për herë të parë, bilanci është -300 milionë euro. Dhe çdo 10 lekë të vjetra përkthehen në 90 milionë euro.

Kjo është e vërteta e ekonomisë shqiptare.

About Redaksia

Check Also

Dhuna nga daja i Zegjine Çaushit, 39-vjeçarja: E denoncova, por Policia më tha fale!

Ish-bashkëshortja e Bledar Bakajt, Eljona Shpataraku, ka rrëfyer në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live” …