Banka Botërore: Në Shqipëri problem shpopullimi, nuk po krijohen vende të mira pune!

Banka Botërore vlerëson se Shqipëria përballet me një sërë sfidat që nisin nga tkurrja e popullsisë e deri tek cilësia e ulët e fuqisë punëtore çka nënkupton një produktivitet të ulët në ekonomi.

Në raportin e parashikimit të tetorit për vendin tonë nënvizohen disa aspekte të lidhura me ecurinë e ekonomisë dhe masat që mund të merren për të adresuar problemet që ngrihen.

“Sfidat kryesore të zhvillimit të Shqipërisë janë rënia e popullsisë së saj, pjesërisht për shkak të emigracionit; cilësia e dobët e fuqisë punëtore dhe cilësia e dobët e vendeve të krijuara të punës; ritmi i moderuar i reformave strukturore, veçanërisht në fushat e mjedisit të sektorit privat dhe  qeverisjes; dhe rritja e presioneve fiskale, për shkak të rreziqeve klimatike, detyrimeve kontingjente dhe rifinancimit të borxhit në një kohë me kosto të lartë të financimit të jashtëm.

Për të krijuar hapësirën e nevojshme fiskale dhe për të adresuar këto sfida, Shqipërisë do t’i duhet të zbatojë një Strategji Afatmesme të të Ardhurave për të forcuar të ardhurat e brendshme.

Zgjidhja e ngërçit për rritjen e mëtejshme është e kushtëzuar nga zbatimi i shpejtë i programit të qeverisë, i ankoruar në aspiratën për anëtarësim në BE dhe i ndërtuar mbi reformat që trajtojnë produktivitetin, duke përfshirë përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe zgjerimin e integrimit të Shqipërisë në tregjet e huaja”, thuhet në raport.

I njëjti vlerëson se ekonomia ka pasur gjatë këtij viti një ecuri të qëndrueshme dhe që kjo lidhet kryesisht me lidhet që ka me Bashkimin Europian sa i takon remitancave dhe investimeve teksa edhe turizmi është një nga sektorët që po ndikon në rritje.

“Rritja në vitin 2024 pritet të mbetet e qëndrueshme në 3.3 për qind, bazuar në konsumin privat, turizmit dhe ndërtimit. Presionet mbi çmimet kanë vazhduar të zbuten.

Varfëria pritet të vazhdojë të bjerë ndërsa të ardhurat nga puna rriten. Perspektivat afatmesme varen nga rimëkëmbja e ekonomisë globale dhe ritmi i reformave strukturore. Aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Europian (BE) ofrojnë një spirancë për të përshpejtuar konvergjencën” thuhet në raport./Monitor

About Redaksia

Check Also

Raporti: Rama dhe Veliaj kanë pushtuar mediat kombëtare, zënë 27% të kohës të të gjithë programacioneve

Të dhënat e AMA-s të analizuara nga BIRN tregojnë se kryeministri, anëtarët e kabinetit qeveritar …