CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

“Shqipëria dhe Dilema e Demokracisë: Një Betejë mes Opozitës dhe Autokratëve”

Nga Neada STANA
Anëtare e Departamentit Brain Gain dhe Ekselenca në Partinë Demokratike

Në një botë ku regjimet autokratike shpesh operojnë nën maskën e institucioneve demokratike, pyetja kryesore është: Pse sunduesit jodemokratikë qeverisin me institucione demokratike? Shqipëria ilustron qartë se si një parlament me pamje demokratike mund të shndërrohet në një vegël për legjitimizimin e veprimeve të një kryeministri, duke minuar çdo përpjekje të opozitës për të rikthyer demokracinë.  Historia dhe studimet kanë treguar papërfillshmërinë e institucioneve demokratike, de jure formale nën regjime që duken demokratike. Institucionet nominalisht demokratike përbëjnë vetëm një fasadë që autokratët/diktatorët mund t’i përdorin si dëshmi të kredencialeve të tyre. Këto janë një farsë e manipuluar nga propaganda, ku Parlamenti nuk ka fuqi reale dhe qytetarët humbin besimin se kanë ndonjë ndikim të vërtetë në politikë.

Kur autokratët kanë nevojë të ndërtojnë mbështetje brenda shoqërisë, ata përdorin legjislaturën dhe Parlamentin, në dukje demokratik, për të legjitimuar veprimet e tyre jo demorkatike. Në rastin e Shqipërisë, kemi një Parlament që përdoret si një fiksion nga maxhoranca socialiste, ku opozita duhet të “luftojë” me të gjitha armët demokratike për të mbrojtur demokracinë në çdo institucion shtetëror.  Kryeministri Edi Rama, duke pasur shumicën e deputetëve, përdor këtë armë demokratike kundër vetë demokracisë, një paradoks, por i vërtetë.

Është krijuar një sistem që unë do ta quaja “Iluzioni i zgjedhjes së lirë.” Ky sistem i bën njerëzit të besojnë se ata kanë fuqinë për të vendosur përmes votës, kur në realitet veprimet e tyre janë të kontrolluara paraprakisht, të manipuluara nga media dhe nga varfëria ekonomike që ka mbërthyer shoqërinë shqiptare. Ky regjim ushqen një ndjenjë frike dhe pasigurie, duke i detyruar njerëzit të pranojnë status quo-në, nga frika e humbjes së vendit të punës ose të ardhurave financiare për familjet e tyre.

Dallimi midis demokracisë dhe sistemeve diktatoriale qëndron në mundësitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në Meksikë, për gati shtatë dekada, nga viti 1929 deri në vitin 2000, Partia Revolucionare Institucionale (PRI) mbajti pushtetin në mënyrë të vazhdueshme, duke fituar çdo zgjedhje presidenciale. Edhe pse zgjedhjet zhvilloheshin rregullisht çdo gjashtë vjet dhe në dukje ishin demokratike, procesi ishte shpesh i manipuluar për të garantuar fitoren e kandidatit të PRI-së. Kjo parti përdorte një kombinim të kontrollit të mediave, patronazhimit politik dhe manipulimeve zgjedhore për të ruajtur pushtetin, duke e bërë sistemin një autokraci me fasadë demokratike. Vetëm në vitin 2000, me fitoren e Vicente Fox nga Partia Veprimi Kombëtar (PAN), u shënuan zgjedhje të lira që ndërprenë sundimin e gjatë të PRI-së. Ose merrni parasysh Singaporin, ku Lee Kuan Yew shtypi konkurrencën politike për më shumë se tridhjetë vjet. Megjithatë, matjet e vazhdueshme të regjimit e vlerësojnë atë diku mes “më autokratikut” dhe “më demokratikut”. Shumë ngjashmëri me qeverisjen Socialiste në Shqipëri apo jo?!

Një pjesë e problemit qëndron te kreativiteti i sundimtarëve autokratë në mënyrën si e organizojnë sundimin e tyre. Kreativiteti institucional është më i dukshëm kur ata përdorin institucione nominalisht demokratike, si legjislaturat dhe partitë politike. Rama përdor shumicën parlamentare socialiste si një vegël për të miratuar ligje që duken demokratike në sipërfaqe, por që në thelb forcojnë kontrollin e tij dhe dobësojnë çdo përpjekje të vërtetë të Opozitës. Kjo nuk është demokraci e vërtetë, por një sistem i korruptuar që pengon zhvillimin e shoqërisë shqiptare dhe krijon një rreth vicioz ku qytetarët manipulohen dhe përdoren pa e ndjerë dhe pa e kuptuar.

Në Shqipëri, një vend kandidat për Bashkimin Europian, sistemi është i korruptuar në çdo qelizë të tij saqë njerëzit duket se kanë humbur aftësinë për të njohur ose dalluar liritë dhe të drejtat e tyre. Nga frika e varfërisë, ata shesin lirinë e fjalës duke u bërë skllevër të një sistemi të korruptuar. Është e habitshme se si, sapo një popull bie nën kontrollin e regjimit e harron aq shpejt lirinë e tij. Populli bindet me aq lehtësi kur është i varfër, sa duket sikur nuk e ka humbur lirinë, por ka fituar skllavërinë e vet. Është krijuar një kurth i padukshëm, ku njerëzit kanë ngecur, dhe ky kurth propagandohet gjithnjë e më shumë si liri dhe prosperitet, kur në fakt është çdo gjë tjetër përveç kësaj.

Autokratët nuk kanë asnjë fuqi tjetër përveç asaj që u japin ata që i nënshtrohen. Ata mund të dëmtojnë vetëm aq sa njerëzit janë të gatshëm ta durojnë. Ky regjim ushqen pasiguri dhe frikë, duke i bërë njerëzit të ndihen të pafuqishëm për të sjellë ndryshim. Përmes kontrollit të medias dhe manipulimit të informacionit, njerëzit nuk ndjekin dot ëndrrat ose pasionet e tyre, por mbeten të ngujuar në këtë kornizë të padukshme në dukje demokratike. Ky manipulim e bën të vështirë, nëse jo të pamundur, dallimin mes së vërtetës dhe gënjeshtrës, duke i bërë njerëzit pasivë ndaj ndryshimit dhe realitetit që po jetojnë.

Partia Demokratike e Shqipërisë, si opozita kryesore, ka një rol kyç për të luajtur në thyerjen e këtij cikli të manipulimit dhe në rikthimin e demokracisë së vërtetë. Ajo është e angazhuar për të forcuar institucionet demokratike duke ofruar transparencë, përgjegjshmëri dhe reformim të thellë të sistemit. Kjo nënkupton garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku qytetarët të ndihen të fuqizuar dhe të përfaqësuar. Më tej, Partia Demokratike do të luftojë për një shtet ligjor ku drejtësia është e pavarur nga ndikimet politike dhe ku të drejtat e qytetarëve mbrohen me vendosmëri. Për të mbrojtur demokracinë ajo gjithashtu do të kundërshtojë fuqishëm manipulimin e medias dhe të promovojë lirinë e fjalës si një themel i pashmangshëm për një shoqëri demokratike. Duke përballur frikën që është instaluar në shoqëri, ajo do të ofrojë zgjidhje konkrete për varfërinë ekonomike që ka mbërthyer shumë shqiptarë, në mënyrë që ata të mos jenë më të detyruar të bëjnë kompromis me liritë dhe të drejtat e tyre për hir të sigurisë ekonomike.

Lufta për një Shqipëri demokratike nuk është një betejë e lehtë, por është e domosdoshme për të ardhmen e vendit. Në fund të fundit, demokracia nuk është vetëm një sistem zgjedhjesh; ajo është një mënyrë jetese, një mentalitet, një angazhim për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e çdo qytetari, ajo përfaqëson thelbin e një procesi të bazuar në vlera, të mbështetur nga institucione të forta dhe një ndjenjë e thellë përgjegjësie qytetare.

Ne, si trashëgimtarë të një beteje të pa përfunduar me rërien e komunizmit në vitet ‘90, duhet të vazhdojmë të luftojmë për një Shqipëri ku mbizotërojnë liria, drejtësia dhe demokracia.

Demokracia duhet të fitojë!

About Redaksia

Check Also

Sali Berisha është sot në misionin e tij më të rëndësishëm!

Nga Nikola KEDHI Sali Berisha është padyshim figura kryesore politike e tri dekadave të fundit, …