Rama, i bërë i tëri pis me plehrat kimike!

Bujar LESKAJ

Duhet të mbajë kush përgjegjësi në skandalin e rradhës të mbetjeve kimike?

Kryeautokratit të Ballkanit, Edi Ramës, nuk i mjaftoi skandali i vitit 2017, me importin e plehrave kimike, të zbuluar nga mediat italiane, ku 2600 kontenierë me seicili nga 22 tonë mbetje me destinacion Maqedoninë e Veriut, u “reduktuan” ndjeshëm në Shqipëri. Nga mediat italiane mësuam se vetëm 1130 kontenierë mbërritën në Shkup, ndërsa 1470 kontenierë të tjerë “humbën” rrugës në Shqipëri.

Ku shkuan këta 1470 kontenierë me 32 mijë e 340 tonë plehra kimike? Mediat italiane raportuan se kontenierët me mbetje janë zhdukur në doganën e Qafë Thanës dhe mund të jenë groposur ose djegur në Shqipëri. Asnjë strukturë e jona qeveritare nuk bëri zë ndaj këtyre akuzave dhe skush nuk doli përgjegjës.

Ramës nuk i mjaftoi as skandali i vitit 2018, i zbuluar në vitin 2021, me importin nga Kina të mijëra kutive me pesticide të paçertifikuara nga Bashkimi Evropiane. Edhe kësaj rradhe, asnjë nga strukturat tona shtetërore nuk u vu përpara përgjegjësisë.

I mësuar të ketë një tërheqje fatale ndaj plehrave, Rama kësaj rradhe e provoi me eksportin e paligjshëm të tyre. Në prill dhe në korrik të këtij viti, dy ngarkesa të klasifikuara si oksid dhe hidroksid hekuri lanë portin e Durrësit, për destinacione në një port në Kinë dhe një në Tajlandë. Dyshimin për eksport të paligjshëm mbetjesh kimike me këto ngarkesa, e denoncoi më 5 gusht 2024 organizata mjedisore “Basel Action Network”, me qendër në SHBA, e cila ngriti alarmin se një anije gjigante kontejnerësh e linjës “Maersk” u zhduk në fund të korrikut nga radarët afër Cape Town në Afrikën e Jugut, pas një sinjalizimi të bërë nga ajo tek autoritetet vendase.

Për herë të tretë, Rama dhe sekti i tij në qeverisje mbulohen nga turpi i megaskandalit, kësaj rradhe të eksportit dhe jo të importit, të 2100 tonë mbetje kimike të rrezikshme, të kthyera sot në Durrës dhe të përmbajtura në bordin e anijes “Moliva”, e ankoruar 1.5 km larg Durrësit, mbetje kimike këto të vendosura nën sekuestro nga Prokuroria e Durrësit.

Dy ministre dalin njëra pas tjetrës në publik,  për të justifikuar qëndrimin e qeverisë në këte megaskandal, të përbërë qartazi nga abuzimi shtetëror me lejen e dhënë për eksport për këto mbetje të rrezikshme kimike, të larguara përmes portit të Durrësit, si dhe nga mungesa skandaloze e kontrollit nga ana e Doganës së Durrësit, për përmbajtjen reale të ngarkesave të deklaruara si oksid dhe hidroksid hekuri, kur në fakt ishin mbetje te rrezikshme kimike.

Qytetarët shqiptarë me të drejtë ngrejnë pyetjen: a do të mbajë kush përgjegjësi nga strukturat e shtetit, për këto mbetje të rrezikshme kimike, për mënyrën se si u çertifikuan ato si mbetje jo të rrezikshme nga Ministria e Mjedisit, si dhe për mënyrën se si nuk u kontrolluan për përmbajten e tyre reale nga Dogana e Durrësit dhe se si u larguan nga porti i Durrësit, për t’u refuzuar nga autoritetet portuale të vendit të destinacionit përfundimtar dhe për t’u kthyer prapë në Durrës?

Kush do të dalë përgjegjës për njollosjen e rëndë të emrit të Shqipërisë, si një vend i kontrabandës së plehrave kimike nga e gjithë botasi dhe i importit dhe eksportit të paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme kimike?

Në një vend tjetër normal dhe demokratik, për shumë më pak dhe për skandale shumë më të lehta, japin dorëheqjen titullarët e institucioneve shtetërore të përfshira dhe ngrihet gishti i rëndë i akuzës edhe ndaj kryeministrit për papërgjegjësi. Por këtu tek ne, institucioni i dorëheqjes ka kohë që është harruar dhe vihet në funksion, vetëm kur Ramës i intereson të largojë disa klonë të djegur të tij në piramidën qeveritare, përpara se sa drejtësia t’i akuzojë.

Rama e ka ngritur në piedestal antikulturën e papërgjegjshmërisë ndaj korrupsionit galopant shtetëror, edhe sa herë ai dhe sekti i tij kapen me presh në duar në korrupsion dhe abuzim.

Faji dhe përgjegjësia shtetërore në Shqipëri, për sa kohë në pushtet do të vazhdojë Rama dhe sekti i tij, do të ngelen gjithnjë jetime.

About Krye Redaktor

Check Also

Berisha, takim me diasporën në Londër me 17 nëntor

Kryetari i PD, Berisha do të takoje demokratët në diasporë. Takimi është planifikuar për diasporën …