Opozita ka nisur mosbindjen civile, e dyta radhazi pas asaj të 7 tetorit. Opozita paralajmëroi bllokimin e gjashtë segmenteve kryesore të lëvizjes së automjeteve në Shqipëri, duke nisur nga ora 17.00. Deputetët e PD-së u shpërndanë në 6 akse kryesore dhe është parashikuar të paralizohet qarkullimi për tre orë.
Drejtuesit e automjeteve kanë fikur makinat e tyre në shenjë solidarizimi me qytetarët, të cilët shprehen kundër këtij regjimi dhe situatës në të cilën ndodhet vendi.
Në rrethrrotullimin e Levanit, siç raporton gazetari i Syri Tv në terren, Xhemil Beharaj, është bllokuar nënkalimi, ndërkohë, kalimi sipër për në autostradë është i hapur.
Është bllokuar nën dhe mbikalimi i Levanit që lidh me zonën e Vlorës dhe Gjirokastrës.
Protestuesit janë të shumtë nga zona e jugut, nga Fieri, Vlora, Gjirokastra, Tepelena. Po bëhet gati 20 minuta që është bllokuar kalimi, por kalimi sipër është i lirë, bllokimi është bërë tek nënkalimi. Nuk ka pasur konfrontime, policia është pozicionuar ë distancë.