Paralajmërimi i Berishës: Do fitojmë çdo betejë, pas qeverisë teknike, drejt fitores më të thellë në histori

Sali BERISHA

Përshëndetjet më të përzemërta.

Mirënjohjen më të pakufishme, ju qëndrestarëve dhe qëndrestareve të pamposhtur.

Ditën e djeshme, kryefjala e çdo shqiptari, diskutimet në çdo studio, ishte vetëm një;

Paralizimi 3 orë i Shqipërisë. Nga veriu në jug.

Për këtë më duhet të bëj një korrigjim.

Në pamje të parë, vërtetë dje Shqipëria ishte e paralizuar për 3 orë.

Por e vërteta është se… mbrëmë Shqipëria u çlirua për 3 orë.

Dje Shqipëria rifitoi dinjitetin për 3 orë.

Dje Shqipëria rifitoi sovranitetin për 3 orë.

3 orët e çlirimit

Por më e rëndësishmja. Fitorja më e madhe e ditës së djeshme, është mesazhi i shpresës që ne i dërguam shqiptarëve, që mbrëmë mendja dhe zemra e tyre ishte tek ne.

Ky mesazh ishte një dhe vetëm një;

Opozita nuk ka frikë nga narkoshteti, por narkoshteti duhet të ketë frikë nga opozita dhe për këtë, falënderimin më të pakufishëm, për gjithë heronjtë, për gjithë guximtarët.

Falënderim për gjithë burrat, gratë, të rinjtë e të rejat. Pensionistët dhe pensionistet, që mbrëmë me aktin e tyre të mosbindjes civile, çliruan për 3 orë kombin shqiptar.

Ky falënderim nuk vjen vetëm nga unë.

Ju keni falënderimin dhe mirënjohjen e çdo pensionisti dhe pensionisteje.

Atyre pensionistëve zemërthyer që i besuan Edi Ramës në 2013, dhe që për 11 vite jo vetëm që nuk panë rritje pensioni, por panë rrogat e qeveritarëve të tre dhe pesëfishohen. Panë rritjen më monstruoze të çmimeve, për ushqimet dhe ilaçet e tyre. Dhe në fund u poshtëruan me 3-4 mijë lek të vjetra rritje pensioni.

Ju keni falënderimin e çdo biznesmeni të ndershëm. Të cilët punojnë dhe sakrifikojnë, dhe etiketohen nga Edi Rama si hajdutë. Sepse sipas narkodiktatorit, pensionistët vidhen nga biznesmenët dhe jo nga Edi Rama që djeg 21 milionë euro për udhëtime me avion taksi, që blen 4 milionë euro vazo e saksi pë oborrin e tij.

Ju keni falënderimin e çdo mjeku, sepse ashtu si Edi Rama sot shfryn ndaj biznesmenëve dhe i quan hajdutë, ashtu para tre muajsh ai i quajti mjekët kriminelë, që kanë bërë krime ndaj njerëzimit.

Sepse ky monstër, është i gatshëm të fajësojë këdo, për krimet e tij.

Ju keni falënderimin e çdo qytetari, nga veriu në jug.

Ju keni falënderimin e kombit shqiptar.

Sepse po të lexosh raportin e fundit, të projektit botëror të drejtësisë, aty kuptohet se kombi shqiptar është në një pushtim të egër.

Një pushtim i cili i ka shkatërruar drejtësinë.

Një pushtim që e ka renditur Shqipërinë 10 shkallë më keq se Vietnami, në të cilin monizmin e është i sanksionuar në kushtetutë.

Një pushtim që ka zbrazur Shqipërinë me të paktën 38% vetëm në zonën e Shengenit të

banorëve të saj, sipas raportit të fundit të Eurostat.

Një pushtim që krerët e opozitës i rrëmben, i tërheq zvarrë në burg. Që denoncuesit e krimit i burgos nga frika dhe tmerri i narkodiktatorit prej tyre.

Që denoncuesit e krimi i burgosur, dhe që bosët e krimit i lumturon duke i shpallur investitor strategjik.

Prandaj miqtë e mi, 3 orët e djeshme që narkoshteti u paralizua, ishin në fakt 3 orë çlirimi për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ato 3 orë, mbrëmë hynë në historinë epike të përpjekjes së shqiptarëve për liri dhe demokraci dhe beteja nuk ndalet

Ne nuk ndalemi!

Ne nuk tërhiqemi!

E provuan dje dhe dështuan.

Narkopolicia ndërhyri dje ndaj protestuesve paqësor.

Narkopolicia kishte urdhër të qartë për të ndërprerë protestën. Por dështuan. Dështuan sepse mosbindja vazhdoi aq sa ishte paralajmëruar.

Narkopolicia nuk na e shkurtoi dot as me 1 sekondë mosbindjen tonë civile.

Edi Rama e di mirë.

Që dje ishin vetëm 3 orë. Por herën tjetër do të jenë 3 ditë. 3 javë po të jetë nevoja. Dhe jo bllokim rrugësh. Por okupim të atyre institucioneve pa të cilat narkoshteti nuk do mund të funksionojë.

Prandaj Edi Rama ke vetëm një mundësi!

Së pari, të ndërpresë dhunën dhe terrorin ndaj demokratëve, se për çdo akt që po ndërmerr do të bëhet përgjegjës, po ai vetë.

Së dyti të krijojë qeverinë teknike.

Të rikujtoj se kemi ezauruar vetëm 2 nga 77 mënyrat e mosbindjes civile.

Kemi 75 mënyrë të tjera dhe do përshkallëzohen si në impakt dhe në kohë, si në destinacione ashtu dhe në revoltë dhe në zemërim.

Prandaj krijo qeverinë teknike!

Shqiptarët të sfidojnë! Pse ke frikë Edi Rama?

Krijo qeverinë teknike, dhe të shohim kush i fiton zgjedhjet!

Të shohim kë do votojnë pensionistët që i mashtrove.

Të shohim kë do votojnë biznesmenët që i lakon hajdutë.

Të shohim kë do votojnë rinia që i cilësoni me epitetet më fyese dhe i përzë nga Shqipëria.

Të shohim kë do votojnë mjekët që i akuzon për krime ndaj njerëzimit.

Të shohin kë do votojnë familjarët, që sot i kanë shtëpitë bosh se ju përzure fëmijët e tyre

nëpër botë.

Ja pse ka frikë Edi Rama nga vota e lirë.

Ja pse nuk e do qeverinë teknike.

Por qeveria teknike nuk është më kërkesë e opozitës. Është kusht.

Ne qeverinë teknike do ta arrijmë.

Thonin se është e pamundur që Partia Demokratike të bashkohej.

Thonin se është e pamundur që Partia Demokratike të marrë flamurin e saj.

Thonë sot, se qeveria teknike është e pamundur.

Por ashtu siç fituam çdo betejë deri më sot, ju garantoj se do të fitojmë çdo betejë sot dhe në të ardhmen.

Ne opozita jemi të vendosur tu rikthejmë shqiptarëve votën e lirë, sepse sot opozita është në këmbë.

Çdo opozitar e kupton, se është më mirë 7 muaj sakrifica, deri në zgjedhjet e ardhshme, se sa 4 vite të tjera me Edi Ramën.

Sot çdo opozitar e kupton, se ne jemi shpresa e fundit e shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Prandaj sa të fitojmë betejën për qeveri teknike, Partia Demokratike niset pa frena drejt fitores së saj më të thellë, në historinë e saj si forcë politike.

Shqiptarët do kenë së pari, minimumin jetik prej 200 eurosh, siç e ka parashikuar avokati i popullit.

Mbi këtë minimum, çdo pension do të rritet me 20% brenda mandatit të parë.

Ndërsa rrogat minimalisht do të dyfishohen.

Sepse paraja në xhepat e qytetarit është gjithmonë më e vlefshme.

Sepse vetëm po kthyem paratë ne xhepat e qytetarit, shpopullimi frenon.

Vetëm duke kthyer paratë në xhepat e qytetarit, Shqipëria shpëton.

Dhe për gjithë skeptikët dhe kritikët, që me të drejtë pyesin “nga do dalin këto para”?

Ne kemi përgjigjen më të thjeshtë.

Nga kontot e Edi Ramës dhe hajdutëve të tij!

Bëni një kërkim të vogël dhe shikoni sa para vidhen në vit.

Janë këto para që vidhen, këto grabitje që frenohen, me të cilat ne do vendosim minimumin

jetik. Rritjen e pagave. Rritjen e pensioneve.

Prandaj opozita do të vazhdoj mosbindjen e saj civile.

Sa vjen më fuqishëm.

Sa vjen më e vendosur.

Sa vjen më e përshkallëzuar.

Sepse fati i Shqipërisë varet vetëm nga ne.

Sepse kauza jonë është e drejtës. Sepse misioni ynë është historik!

Rrofshi ju. Rroftë Partia Demokratike. Rroftë Shqipëria.

Është radha jonë. Është radha jonë. Është radha jonë!

O sot o kurrë, fitore!

About Krye Redaktor

Check Also

“Kam 10 vite pa fjetur në krevat”, Pareshqevi Simaku u gjet duke fjetur mbi valixhe

Elvira Tata, gruaja që gjeti në rrugët e Amerikës ikonën e muzikës shqiptare, Parashqevi Simakun, …