Kryetarja e Gjykatës së Apelimit në PD, Adriana Kalaja ka zbuluar një tjetër skemë 5D në Bashkinë e Tiranës, kësaj radhe me shkarkimet e punonjësve të kësaj bashkie.
Pas depozitimit të kallëzimit në SPAK, Kalaja tha se Bashkia e Tiranës pushonte nga puna punonjësit e saj dhe i ndihmonte ata të dëmshpërbleheshin nga gjykata përmes drejtorit juridik, Alban Dokushi.
Ky i fundit, të gjithë listën me rastet e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore për dëmshpërblimin e pagave të punonjësve të Bashkisë së Tiranës, ia delegonte të vëllait përmbarues, Besnik Dokushi.
Kalaja tha se kanë paraqitur në SPAK të gjitha provat e kësaj skeme të mirëmenduar nga drejtori juridik në këtë bashki, nën dirigjimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Skema e korrupsionit që ne e kemi njohur si 5D, është ngritur në institucion, në Bashkinë e Tiranës edhe me punonjësit e larguar nga puna. Kur shkarkoheshin punonjës dhe këta fitonin procese gjyqësore me ndihmën e bashkisë, me ndërhyrjen e punëdhënësit, ekzekutimi i pagave bëhej nga përmbarimi Besnik Dokushi, që është vëllai i drejtorit juridik në Bashkinë e Tiranës, Alban Dokushi. Kemi sjellë prova dhe bilance të zyrës përmbarimore dhe dëmi në buxhetin e bashkisë për përiudhën 2018-2024 është 6.3 mln euro.
Ekzekutimi i tyre bëhej nga vëllai i drejtuesit juridik të bashkisë Tiranë, Alban dokushi. Kemi sjellë certifikatën familjare të lidhjeve të tyre dhe vendimin që është marrë nga bashkia për ndjekjen e këtyre problematikave të bëhej nga drejtori Dokushi. Është tjetër provë për SPAK për të dhënë drejtësi e për të luftuar korrupsionin dhe të tregojë se do të veprojë bazuar në ligj e Kushtëtutë. Betejën tonë kundër instalimit të korrupsioni për 5D s’do ta ndalim. SPAK të arrestojë Veliajn dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij”, tha Kalaja.