“Kasapi” i tenderave

Ditën që Operatori i Blerjeve të Përqëndruara nisi zyrtarisht punën, kryeministri Edi Rama e cilësoi krijimin e shoqërisë aksionare si një hap kyç në luftën kundër korrupsionit.

“Ne kemi hedhur një hap tjetër para, për të krijuar shoqërinë publike të operatorit të blerjeve të përqëndruara që ka nisur punë zyrtarisht në 25 prill dhe do t’i kryejë ajo të gjitha prokurimet. Pra asnjë ministër dhe asnjë strukturë e varësisë nuk do të ketë më të bëjë me tendera por do merren me politikat sektoriale. Kjo shoqëri do të asistohet nga shoqëri partnere europiane,” deklaroi Rama.

Zyrtarisht Operatori i Blerjeve të Përqëndruara nisi punën në 25 prill të këtij viti, pra vetëm 6 muaj. Por edhe pse ka vetëm 6 muaj që funksionin shoqëria publike ka krijuar tashmë një rekord të ngjeshur, të cilin mund ta kenë zili vetëm zyrtarët që e drejtojnë, por jo qytetarët.

Kapitali konsultoi të gjithë tenderat e mëdhenj të zhvilluar nga Operatori në dy muajt e fundit. Shifrat zyrtare tregojnë një panoramë të shpenzimit të parasë publike thuajse pa garë fare dhe tendera të fituara në kokë të fondit limit.

Kjo më sipër është tabela e tenderave të mëdhenj të Operatorit të mbyllur gjatë tre muajve të fundit. Sipas të dhënave, në këto tre muaj OBP ka zhvilluar 17 procedura prokurimi me një fond total 4.43 miliardë lekë ose 44.3 milionë euro. Vlera mesatare fituese e të gjithë tenderave ka rezultuar sa 98.5 për qind e fondit limit duke u kursyer qytetarëve vetëm 1.5 për qind të fondit nga gara.

Sepse garë në tenderat e Operatorit nuk ka. Ato fitohen nga një grusht kompanish, të cilat janë më pak se sa gishtat e dorës. Sipas të dhënave zyrtare, mesatarja e ofertave për procedurë në tenderat që zhvillon OBP është më pak se 1.3 oferta për tender, praktikisht një batërdi pazaresh.

Arlinda Pogaj, drejtuesja e OBP

Qeveria mund të propagandojë sa të dojë se Operatori i Blerjeve të Përqëndruara u krijua sipas praktikave më të mira europiane. Por rezultati faktik i përqëndrimit të tenderave tek shoqëria e drejtuar nga Arlinda Pogaj pikturon pamjen e një masakre financiare me paratë e buxhetit sipas praktikave më të këqija të zyrtarëve turkoshakë. Ndaj nga sot Shqipëria ka një problem tjetër. Një kasap të parave të buxhetit./Kapitali

About Krye Redaktor

Check Also

Shifra e frikshme/Paguan 140 milionë euro për një incenerator që nuk ekziston, paratë i vodhën

Gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, foli për hetimet …