Anulohet për herë të dytë tenderi 4 milionë euro për godinën e re të SPAK

Nga Boldnews.al

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka anuluar për herë të dytë tenderin për ndërtimin e godinës së re të institucionit. Fondi limit për këtë procedurë ishte parashikuar në shumën 395 milionë lekë të reja pa TVSH ose rreth 4 milionë euro.

Sipas njoftimit zyrtar nga SPAK-u, të shpallur në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 11 nëntor 2024, tenderi është anuluar për shkak se “nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme”.

Në foto: Njoftimi për anulimin e tenderit të godinës së SPAK-ut

Kjo është hera e dytë që anulohet ky tender. Më herët, Prokuroria e Posaçme shpalli të njëjtën procedurë në gusht të këtij viti. Por, në përfundim të afateve ligjore, SPAK-u u detyrua ta anulojë tenderin e parë në fund të shtatorit, me të njëjtin argument, se “nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme”.

Duket se edhe procedura e dytë ka pasur të njëjtin fat-pra atë të dështimit.

Për momentin është e paqartë se për çfarë arsye konkrete nuk arrin të finalizohet kjo procedurë dhe ende nuk dihet nëse ka pasur oferta ose jo, pasi argumenti zyrtar i anulimit është i paqartë në këtë pikë.

Godina e re

Tenderi synon përshtatjen e një godine të sapo-ndërtuar, e cila fillimisht ishte përcaktuar për administratën e Ujësjellësit të Tiranës, në një zonë shumë pranë Gjykatës së Posaçme.

Godina disa-katëshe, e cila ka kushtuar mbi 4 milionë euro për ndërtim, iu kalua nën administrim Prokurorisë së Posaçme, pas një marrëveshjeje mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Bashkisë së Tiranës.

Në foto: Projekti i tunelit mbitokësor në godinën e re të SPAK-ut

Objekti, megjithëse i ri, nuk ka një arkitekturë të brendshme shumë funksionale për t’u shndërruar në zyra të Prokurorisë së Posaçme. Për këtë arsye, qeveria shqiptare miratoi kërkesën e SPAK-ut për buxhet, me qëllim, rikonstruksionin e saj dhe përshtatjen për ambjente për prokurorët dhe oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Pjesë e projektit të përshtatjes është edhe ndërtimi i një tuneli mbi-tokësor, i cili do të lidhë godinën e re të SPAK-ut me ambjentet e Gjykatës së Posaçme.

About Redaksia

Check Also

Dosja që do të çojë Ramën në qeli!

Një protestues gjatë fjalës së tij para Kryeministrisë tha se, libri “Albanian Files”, do të jetë …