Në seancën e sotme të Komisionit Hetimor për Shëndetësinë, përfaqësuesja opozitare Ina Zhupa bëri thirrje për qartësi dhe përgjegjësi në hetimin e procedurave të koncensioneve në shëndetësi.
Zhupa theksoi rëndësinë e dëshmitarëve kyç, duke argumentuar se hetimi nuk mund të quhet i plotë pa praninë e tyre. Ajo kërkoi veçanërisht thirrjen e kryeministrit Edi Rama, duke vënë në dukje se çdo akt i buxhetit, vendim administrativ apo VKM kalon përmes miratimit të tij.
Sipas saj, miratimi i Ramës është vendimtar për zbatimin e akteve të tilla dhe për rrjedhjen e fondeve publike. Duke përmendur hetimet për inceneratorët, Zhupa vuri theksin në kontratat e ngjashme të sterilizimit dhe check-up-it, për të cilat kërkoi transparencë të njëjtë. Ajo pyeti pse Rama është thirrur për njërën aferë dhe jo për tjetrën, duke sugjeruar një standard të dyfishtë në hetime. Sipas Zhupës, për të njëjtat veprime dhe përgjegjësi, komisioni duhet të trajtojë të gjitha çështjet me të njëjtën logjikë dhe seriozitet.
“Unë e kërkova fjalën për procedurë për dy momente të rëndësishme, të cilat në fakt janë bërë strumbullari i debatit këto dy ditë. Së pari, për thirrjen e dëshmitarëve kyç, pa të cilët hetimi parlamentar nuk është i plotë. Pikë së pari, për thirrjen e Edi Ramës. Pse i duhet këtij komisioni Edi Rama? Sepse nuk ka asnjë akt të buxhetit të shtetit, akt administrativ, VKM apo kalime fondesh publike, të cilat nuk marrin miratimin e Edi Ramës.
Të gjitha marrin miratimin e Edi Ramës dhe më pas kalojnë në hallkat e tjera të shtetit. Pra, është personi që jo vetëm është në dijeni, por është personi pa firmën dhe miratimin e të cilit këto akte nuk bëhen efektive dhe nuk vihen në funksion.
Pa Edi Ramën nuk jepet asnjë para; kështu që sigurisht që ai ka dijeni dhe është pjesë e aferës, pasi nuk i jep paratë ai nga burgu.
Si ka mundësi që Edi Rama pyetet nga komisioni hetimor për inceneratorët dhe ka bërë të njëjtat veprime që ka bërë me kontratat e sterilizimit dhe të check-up-it? Pse në atë rast pyetet dhe në këtë rast nuk pyetet? Ma shpjegoni dot? E njëjta logjikë, i njëjti kryeministër, me të njëjtat detyra”, u shpreh Zhupa.