Drejtori me 4 shtëpi, pasi u emërua te “Patentat” bleu banesë 200 mijë euro!

Nga Boldnews.al

Ilir Mëngra, i cili prej pak muajsh mban postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), ishte pronar i tre apartamenteve, kur në vitin 2022, kohë që ishte në krye të “Targave” të Tiranës vendosi të shpenzojë 200 mijë euro për të blerë një banesë të katërt.

Duket se jeta financiare e Mëngrës ka ecur shumë mirë, pavarësisht se mënyra se si i ka deklaruar pasuritë e tij pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) ka shumë boshllëqe, ndoshta për shkak të plotësimit të pasaktë.

Të dhënat e vetëdeklaruara ndër vite nga Ilir Mëngra referojnë se ai ka punuar vetëm në sektorin publik, ndërkohë që ka disa periudha kohore, për të cilat drejtori i rëndësishëm nuk jep informacion konkret, të cilat krijojnë “xhepa” mbi sigurimin e të ardhurave dhe pasurisë.

Rikthehemi në kohë, në vitin 2003, kur u vendos për herë të parë detyrimi i zyrtarëve të mesëm dhe të lartë drejtues administrativ që të deklaronin pasurinë dhe burimet e tyre.

Në vitin 2003, Ilir Mëngra mbante detyrën e Drejtorit të Ndërmarrjes Publike nr.2 në varësi të Bashkisë së Tiranës, e cila në atë kohë drejtohej nga kryeministri i sotëm, Edi Rama.

Në formularin e pasurisë fillestar, Mëngra deklaron se zotëron një apartament modest, rreth 43 metra katrorë, të blerë për vlerën 1.4 milionë lekë të reja. Burim për këtë blerje kanë shërbyer të ardhurat e tij si inxhinjer në “Albpetrol”, pagat e bashkëshortes si mësuese, të ardhura nga emigracioni deri në vitin 1997 dhe kontribute familjare.

Në foto: Ilir Mëngra deklaron një apartament 43 m2 në vitin 2003

Në këtë formular fillestar, Mëngra deklaron se ka marrë edhe një kredi në shumën 5 milionë lekë (37 mijë euro) për blerje apartamenti, por nuk jepen detaje.

Informacioni i munguar në formularin fillstar, gjendet në deklaratën e pasurisë për vitin 2004. Ai deklaron se ka porositur një apartament me sipërfaqe 105 metra katrorë në Tiranë, për shumën 42 mijë euro. Burimi për këtë shumë është kredia e marrë pranë një banke të nivelit të dytë në shumën 37 mijë euro, si edhe 5 mijë euro i mbetej detyrim kompanisë ndërtuese dhe do të paguheshin kur të përfundonin plotësisht punimet.

Në foto: Në vitin 2004, Ilir Mëngra deklaron apartamentin e dytë, me sip. 105 m2

Nga ky moment, Ilir Mëngra shkëputet nga detyrimi për deklarim për një periudhë disa-vjeçare. Ai rikthehet si subjekt deklarues në vitin 2019, kur plotëson formularin “para fillimit të detyrës”, si zv.Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR).

Në atë formular, të dhënat për apartamentin e blerë në vitin 2004 ndryshojnë disi. Sipërfaqja nuk është 105 metra katrorë, por 111 metra katrorë. Po ashtu, edhe vlera e këtij apartamenti nuk është më 42 mijë euro, por më tepër.

Në foto: Në deklarimin e vitit 2019, të dhënat ndryshojnë nga ato të vitit 2004

Më konkretisht, në formularin e vitit 2019, Ilir Mëngra deklaron për këtë apartament: “Burimi i krijimit; 37 mijë euro kredi, 5 mijë euro nga kursimet familjare, kur pjesa e mbetur, 4308 euro janë siguruar nga një vendim gjyqësor civil i vitit 2012.

Pra, mes dy deklarimeve, rezulton se sipërfaqja e apartamentit është pak më e madhe, ndërkohë që vlera është rreth 4300 euro më shumë se sa ajo që është shënuar në formularin e pasurisë së vitit 2004.

Vijohet më tej. Në vitin 2020, Mëngra, i cili tashmë ishte drejtor rajonal i “Targave” për Tiranën, përfiton nga trashëgimia ligjore një apartament me sipërfaqe 60 m2, për të cilën ka shënuar si vlerë 4 milionë lekë të reja.

Në foto: Ilir Mëngra përfiton një apartament nga trashëgimia ligjore

Pra, në vitin 2021, Ilir Mëngra zotëronte 3 apartamente. Por, duket se ka vlerësuar që të ketë hapësirë më të gjerë banimi.

Në vitin 2022, Ilir Mëngra, i cili vijonte të mbante postin e Drejtorit Rajonal të Shërbimit të Transportit Rrugor për Tiranën, blen një apartament me sipërfaqe 50.54 metra katrorë, me vlerë 200 mijë euro. Nisur nga vlera e madhe dhe sipërfaqja e vogël, duket se ky apartament është në zonë të preferuar.

Në foto: Ilir Mëngra blen në vitin 2022 apartament me vlerë 200 mijë euro

Gjithësesi, për këtë apartament, Ilir Mëngra deklaron se ka marrë një kredi në shumën 16.9 milionë lekë të reja. Ndërsa pjesa tjetër, 5.9 milionë lekë të reja dhe 4750 euro janë të siguruara nga të ardhura ndër vite.

Vlera e lartë e kredisë duket si një investim shumë i guximshëm për një zyrtar, i cili ka si burim kryesor të të ardhurave vetëm pagën.

Megjithatë, ai duhet të ketë një siguri financiare pasi, deklaron se ka përfituar rreth 10 milionë lekë të reja nga një vendim gjyqësor civil në vitin 2012 dhe kjo shumë, së bashku me të tjera, është përdorur për fonde investimi në një bankë të nivelit të dytë.

About Redaksia

Check Also

Rama merr vendimin për kthimin e stadiumit “Selman Stërmasi” në kullë

Rama dhe qeveria kanë marrë vendimin për kthimin e stadiumit “Selman Stërmasi” në kullë. Qeveria …