Bardhi thekson se kërkesa e opozitës, e depozituar prej më shumë se tre javësh, duhej të shqyrtohej në Kuvend më 5 tetor, në përfundim të afatit ligjor, por sipas tij mazhoranca po kërkon shtyrjen e diskutimit.
Reagimi i deputetit demokrat vjen pas kontrolleve të zhvilluara nga SPAK në banesa dhe kompani, në kuadër të hetimeve penale që lidhen me “KAYO”.
Bardhi e cilëson qëndrimin e mazhorancës si shkelje të ligjit dhe të të drejtave kushtetuese të opozitës, ndërsa i kërkon kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, të respektojë detyrimet ligjore dhe të garantojë transparencën parlamentare.
Postimi i plotë:
Për më shumë se tre javë, opozita ka kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor për verifikimin e veprimtarisë së kompanisë shtetërore “KAYO”. Mazhoranca nuk dha dakordësinë për ngritjen e këtij Komisioni në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, më 17 shtator 2026.
Ligji përcakton se, pas shqyrtimit në Konferencën e Kryetarëve, çështja duhet të kalojë për diskutim në seancë plenare jo më vonë se 15 ditë. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve u vendos, me dakordësinë e Niko Peleshit, që kjo çështje të shqyrtohej në seancë plenare më 5 tetor 2026, pikërisht ditën e fundit të afatit.
Por edhe këtu, mazhoranca zgjedh ta shtyjë diskutimin, në mënyrë arbitrare dhe të paligjshme. Kjo për shkak se, është bërë publike se SPAK ka ushtruar kontrolle në banesa dhe kompani në kuadër të hetimeve penale lidhur me kompaninë “KAYO” sh.a., dhe Kuvendi duhet t’I shmanget kesaj teme këtë të hënë.
Në fakt, në këtë moment, kur transparenca parlamentare do të duhej të ishte më e madhe se kurrë, Kryetari i Kuvendit zgjedh të shmangë një çështje me rëndësi publike dhe, të mos respektojë detyrimet ligjore që lidhen me shqyrtimin e kërkesës për Komision Hetimor.
Kur Kryetari i Kuvendit zgjedh që, përballë një çështjeje me interes të lartë publik, të mos zbatojë detyrimet që burojnë nga ligji, lind një pyetje themelore: si garantohet funksionimi demokratik i institucioneve?
Kur në Kuvendin e Shqipërisë injorohen të drejtat kushtetuese të pakicës parlamentare, lind një tjetër pyetje: cili është realisht roli i opozitës në Parlament?
Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, dënoj me forcë shkeljen e ligjit nga Kryetari i Kuvendit dhe i kërkoj të zbatojë ligjin dhe të garantojë të drejtat kushtetuese të opozitës.
Kryetari i Kuvendit nuk duhet të jetë zbatues i vullneteve politike të mazhorancës, por garant i funksionimit të rregullt të institucionit që drejton. Niko Peleshi, duhet të dijë, që nga përgjegjësia personale e shpëton respekti ndaj ligjit, dhe jo zbatimi i urdhrave të verbër të Taulant Ballës apo Edi Ramës, për kalkulime ditore politike.
Gazeta RD