Lajmet për një platformë nga ana e deputetit Enkelejd Alibeaj qarkulluan si një fantazmë nëpër redaksitë e Tiranës. Askush nuk e dinte se çfarë bëhej fjalë konkretisht. Pikërisht në ditën kur ambasadori gjerman kërkonte që çdo zhvillim në PD, të bëhej në mënyrë transparente, Alibeaj po punonte në hije.
Në mbrëmje u bë e ditur se Alibeaj mund të mos dilte përpara medieve pasi ende nuk dihej se çfarë ishte gatuar në të ashtuquajturën platformë të bashkimit.
Të nesërmen ai doli paturpërsisht përpara medieve dhe shpalli se kishte një platformë, duke folur edhe në emër të deputetëve demokratë, të cilët nuk dihet kur ishin mbledhur, çfarë kishin diskutuar dhe kur kishin firmosur.
Ishte i njëjti Alibeaj që kishte tentuar në një mbledhje të hapur të grupit të niste diskutime të këtij lloji por ishte përbuzur nga shumica dërrmuese.
Tashmë nuk është barsoletë e korridoreve se atij i ka mbetur pas vetes vetëm Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi. Por skandali u shfaq hapur të shtunën, kur ai nisi të numëronte emrat e deputetëve që ishin dakord me platformën e tij.
I pari që e rrëzoi të gjithë këtë mashtrim në emër të grupit parlamentar ishte Ervin Salianji. Ai tha se dokumenti që ka paraqitur Alibeaj ka për qëllim ndarjen e PD-së në dy parti, një synim i kahershëm i Edi Ramës.
Më pas ishte deputetja shkodrane Greta Bardeli që tha se, jo vetëm nuk kanë firmosur atë dokument që paraqet Alibeaj, por as nuk janë diskutuar në grupin parlamentar të tilla çështje.
Bardeli u vendos direkt nën sulmin e medieve të Edi Ramës, që thanë se ajo kishte ndërruar mendim. Por ajo u përgjigj duke thënë se ky është një mashtrim dhe se nuk është hedhur firmë në asnjë dokument.
Më tej, mashtrimin e Alibeajt vazhduan ta denoncojnë të tjerë deputetë si Zef Hila. Ai tha se e ashtuquajtura platforma e Alibeajt vetëm sa e përkeqëson situatën brenda PD-së.
Se çfarë e ka shtyrë Alibeajn të mashtrojë, kjo dihet. Historia nis që kur bëri ankimim personal ndaj PD-së. Për deputetin Xhelal Mziu, pika prej nga nis bashkimi i PD duhet të jetë heqja dorë nga ankimimi skandaloz.
Platforma e mashtrimit vetëm sa e shton më shumë dyshimin se qëllimi i treshes Basha-Alibeaj-Bardhi është përçarja e demokratëve. Siç e tha vetë hapur Basha për mediat të enjten.