Zëri i Amerikës: Sali Berisha rifiton lirinë e plotë!

VOA

Ish-kryeminisri Sali Berisha rifiton lirinë e plotë.

Sot Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pranoi kërkesën e avokatit të tij, dhe vendosi revokimin e arrestit në shtëpi, një masë e marrë pasi zoti Berisha kishte refuzuar më herët të zbatonte urdhërin e Gjykatës për t’u paraqitur dy herë në muaj, pranë një oficeri të policisë gjyqësore.

Ish-kryeministri e kishte konsideruar një masë të tillë antikushtetuese, duke këmbëngulur se më parë do të duhej të ishte kërkuar autorizimi i parlamentit. Javën e shkuar Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Prokurorisë së Posaçme duke vlerësuar se masa detyrim paraqitje në policinë gjyqësore “nuk kufizon liritë e tij personale”, ndërsa për masën ndalim i daljes jashtë vendit theksoi se “kërkuesi në cilësinë e deputetit nuk gëzon mbrojtje të veçantë në këtë aspekt”.

Zoti Berisha u vu nën hetim, nën dyshimet për korrupsion në rastin e procedurave të privatizimit të ish-klubit sportiv Partizani.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, ai dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin lulëzoi më pas një grup pallatesh. Duke shfrytëzuar pozitën e tij si kryeministër, sipas hetimit, ai dyshohet të ketë miratuar ligje dhe akte nënligjore duke i përshtatur sipas nevojave të ish-pronarëve, dhe se përmes kontrolleve administrative është ushtruar presion ndaj strukturave shtetërore që të përshpejtonin procedurat si dhe vënien e këtyre strukturave në dispozicion të zoti Malltezi për realizimin e privatizimit.

Në mënyrë të përsëritur, ish-kryeministri ka hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë, dhe gjatë gjithë kohës ka folur për një prapavijë politike, në hetimin e nisur ndaj tij. Pas arrestit në shtëpi, zoti Berisha e ka konsideruar veten një të “dënuar politik nga regjimi i kryeministrit Edi Rama”.

Pak javë më parë Prokuroria e Posaçme njoftoi mbylljen e hetimeve dhe dërgimin e çështjes për gjykim. Në mesin e muajit dhjetor pritet që në seancë paraprake të merret vendimi ndaj kërkesës së Prokurorisë.

About Redaksia

Check Also

Si Balluku mban peng “Palloshin”

Gazment BARDHI Belinda Balluku ka më shumë tituj/pozicione politike/publike se vetë Edi Rama. Ajo rezulton …