Nga Bujar LESKAJ
Sot, datë 5 dhjetor 2024 bëhet 1 vit nga ndarja nga jeta e Artistit të Madh Shqiptar, gjakovarit Mirush Kabashi.
Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Origjina e tij është nga Gjakova.
Në vitin 1970 ai u diplomua si aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993. Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, ndërsa nga 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar.
Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë se Aktorit” pranë Akademisë së Arteve. Ai është nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
Mirush Kabashi, Nderi i Kombit, i madhi në Panteonin e kulturës kombëtare, mbylli sytë në moshën 75 vjeçare, mbas një lufte 3 vjeçare me një sëmundje të rëndë.
I quajtur “Sokrati Shqiptar”, Mirush Kabashi ka luajtur mbi 100 role në teatër dhe 20 role në kinematografi, duke patur një karrierë gjysëm shekullore.
Trashëgimia e tij artistike është e gdhendur në altarin e kohës, si e pavdekshme, me artin që e përjetëson.
Poezia, interpretimi i tyre, duke dhënë mesazhe të fuqishme, ishte arma e tij më e fortë, ishte ajo që emociononte të madh e të vogël.
Emri i Mirush Kabashit është gdhendur me shkronja të Arta në Panteonin e Kombit!
I paharruar mik i shtrenjtë, Nderi i Kombit Shqiptar!