Ky është i riu që u sulmua nga Rama në avion

Personi që shihni në foto është Fabjan Peka, shqiptari që u përball këtë të hënë me kryeministrin Edi Rama gjatë fluturimit me linjën Tiranë-Napoli dhe që më pas u shoqërua nga policia italiane.

Pak orë më parë, JOQ Albania publikoi ekskluzivisht një video të dërguar në redaksi nga një qytetar, i cili ndodhej si pasagjer në avionin me të cilin Rama udhëtoi drejt Napolit.

Në pamje, Rama dhe i riu shihen duke zbritur së bashku nga shkallët e avionit. Gjatë zbritjes, kryeministri shihet teksa i vendos dorën në pjesën e qafës së të riut dhe vijon ta mbajë deri në fund të shkallëve, ku ndodhen efektivë të policisë italiane. Menjëherë pas zbritjes, Rama ia dorëzon të riun policëve, të cilët e shoqërojnë drejt një automjeti.

Në videon e siguruar nga JOQ Albania nuk dëgjohet komunikimi mes tyre, ndaj nuk mund të përcaktohet nga pamjet se çfarë i është thënë kryeministrit apo çfarë ka ndodhur përpara momentit të filmuar.

Sipas dëshmitarit që na dërgoi videon, Fabjan Peka e ka sharë Ramën gjatë zbritjes nga avioni. Ndërkohë, në media po qarkullon edhe një tjetër version, sipas të cilit i riu i ka thënë kryeministrit: “Shpresoj të mos kthehesh më në Shqipëri”.

Pikërisht për këtë pjesë, JOQ Albania i bën thirrje Fabjan Pekës të na kontaktojë dhe të japë versionin e tij për atë që ka ndodhur. Nëse dëshiron, redaksia jonë është e gatshme t’i japë hapësirë të plotë për të shpjeguar se çfarë i ka thënë Ramës, çfarë ka ndodhur në avion dhe përse u shoqërua nga policia italiane.

Në këtë mënyrë, përtej asaj që shihet në video dhe dëshmisë së pasagjerit që e dërgoi atë, vetë personi që ndodhet në qendër të ngjarjes ka mundësinë të tregojë se si qëndron e vërteta.

Fabjan Peka, i riu që pati guximin të përballej me Ramën gjatë fluturimit, është gjithashtu kushëriri i gazetarit Çim Peka.

JOQ Albania mbetet e hapur për reagimin e Fabjan Pekës dhe do ta publikojë versionin e tij, nëse ai vendos të kontaktojë redaksinë.

About Krye Redaktor

Check Also

Safet Butka, patrioti që nuk pranoi vëllavrasjen

Safet Butka, Patrioti që nuk Pranoi Vëllavrasjen! Shkëlqim Hysaj Lepenica Më 19 shtator 1943, në …