Mike Huckabee
Pak kohë ka kaluar nga hera e fundit kur dhamë detaje në lidhje me atë që quajmë “historinë e gjatë dhe krenare të FBI-së”, që perifrazon një kombinim historish mashtrimesh dhe spiunazhi. Sa për rifreskim – i cili vjen në kohën e duhur, pasi momenti i reformimit të agjencive tona të inteligjencës është pranë -ju kujtojmë monologun e Mark Levin mbi shkeljet e Kushtetutës nga njerëzit e veshur me pushtet.
Kundërshtarëve politikë të Presidentit të zgjedhur Tramp, të cilët parashikojnë se ai padyshim do të abuzojë me pushtetin, Levin u vë në dukje se pikërisht në këtë pikë Tramp ka rezultuar si njëri nga Presidentët më të kujdesshëm, dhe se shkeljet e kësaj natyre në historinë e SHBA kanë nisur shumë herët, duke filluar nga Presidenti e dytë Xhon Adams, një qenie e shkëlqyer njerëzore, por jo pa të meta.
Menjëherë pas themelimit të SHBA, në vitin 1798, Presidenti Adams nënshkroi ligjin famëkeq të “Kundër rebelimit”, i cili e konsideronte si vepër penale kritikën ndaj… vetë Presidentit Xhon Adams.
Ligji diktonte me gjuhë të ashpër: “Nëse dikush shkruan, boton, artikulon, porosit… ose me vetëdije dhe dëshirë ndihmon publikimin, botimin, promovimin apo diskutimin e ndonjë shkrimi apo artikulli të rremë, skandaloz dhe keqdashës kundër qeverisë së Shteteve të Bashkuara…me qëllim për të hedhur baltë mbi qeverinë në fjalë…ai do të dënohet me gjobë prej jo më shumë se 2000 dollarësh dhe me burgim për jo më shumë se 2 vjet.”
Bashkëpunëtorët “komplotistë” që përfshiheshin në një veprimtari të tillë mund të burgoseshin deri në pesë vjet!
Amerikanët mund të ndiqeshin penalisht sipas dispozitave të “Ligjit kundër Rebelimit” madje edhe nëse kritikonin vetë “Ligjin kundër Rebelimit”.
Kundërshtari politik i Xhon Adamsit, Tomas Xhefersoni (i cili me shumë dëshirë pranonte të kritikohej ligjërisht pa asnjë limit) NATYRISHT ishte kundër këtij ligji dhe e shfuqizoi me tu zgjedhur President.
Por para shfuqizimit, mbi bazën e këtij ligji u ngritën 17 aktakuza dhe u dhanë 10 dënime, “disa prej të cilave,” shprehet Peter McNamara nga Qendra e Fjalës së Lirë, “bazoheshin mbi akuza aq të dobëta, sa nëse nuk do të rezultonin në dënime me burg, do të ishin padyshim komike”. Themelimi i kombit tonë të madh u njollos nga shtypja e fjalës së lirë dhe lirive politike. Jo më shumë se dhjetë vjet pas ratifikimit të lirisë së shprehjes në dokumentin e Kushtetutës, ne e nëpërkëmbëm atë pa mëshirë.
Mos të harrojmë Presidentin Abraham Lincoln, i cili në 1861 pezulloi të drejtën për gjykim të drejtë “habeas corpus” nga Uashingtoni në Filadelfia, çka do të thotë se në këto dy jurisdiksione ai mund të burgoste cilindo pa qenë e nevojshme të ngrinte padi, mjaft ta dyshonte për ndonjë krim. Në vitin 1862, në kundërshtim me një vendim të gjykatës federale të apelit, ai e zgjeroi jurisdiksionin e këtij pushteti arbitrar në të gjithë kombin. Nën autoritetin e ushtrisë, mijëra shtetas amerikanë u burgosën, përfshirë këtu edhe kundërshtarët politikë. U mbyllën mbi 300 gazeta opozitare. Vërtet, ishte kohë lufte, por lufta për të cilën po flasim ishte politike dhe si e tillë ajo mbetej antikushtetuese.
Në vitet 1917 dhe 1918, presidenti demokrat Woodrow Wilson nënshkroi përkatësisht Ligjin kundër Spiunazhit dhe Ligjin kundër Rebelimit, ligje të cilët, sipas Levin, “do të hynin në historinë amerikane si sulmet më skandaloze ndaj lirisë së fjalës”. Mijëra persona u ndoqën penalisht sipas dispozitave këtyre ligjeve, përfshirë këtu kundërshtarin më të madh politik të vetë Presidentit Wilson, socialistin Eugene Debs, dënimi i të cilit u zbut më vonë nga pasardhësi i Wilson, republikani Warren G. Harding.
Wilson ngriti në këmbë një regjim të ashpër censure. Ligji kundër Spiunazhit i vitit 1917 vazhdon të mbetet në fuqi. Të mos harrojmë se Prokurori “Special” Jack Smith përdori pikërisht dispozitat e këtij ligji për të akuzuar Presidentin Tramp për “fshehje të qëllimshme të informacionit sensitiv për sigurinë kombëtare”.
Pastaj vjen Autoriteti i Mbledhjes së Taksave (IRS). Dokumentet vërtetojnë se Presidenti Franklin Ruzvelt dhe administrata e tij e përdorën IRS për të shkatërruar karrierat e armiqve të tij politikë, si në rastin e ish-sekretarit të Thesarit Andrew Mellon, një republikan, i cili dihej se ishte i pafajshëm. IRS e Ruzveltit shënjestronte botuesit e gazetave, mes tyre William Randolph Hearst dhe Frank Gannett, të cilët shprehën kundërshtimin e tyre ndaj programit qeverisës së Ruzvelt.
IRS e Presidentit Kenedi (JFK) i dha këtij të fundit kontroll mbi informacionin tatimor, që supozohej që duhet të ishte konfidencial, për individët, bizneset dhe grupet që radhiteshin në krah të kundërshtarit politik. Organizatat konservatore u audituan nën “Programin e Auditimit të Organizatave Ideologjike” (pra, Lois Lerner nuk ishte e para në këtë fushë). JFK e shfrytëzoi FBI-në për të spiunuar Martin Luther King, Jr., për të përgjuar telefonat e tij, shtëpinë e tij, për të vëzhguar rreptësisht çdo lëvizje të tij. Presidenti Lyndon Johnson shkoi akoma më tej, duke përdorur FBI-në, IRS dhe CIA për të spiunuar kundërshtarin e tij në zgjedhjet presidenciale, Barry Goldwater, duke i përgjuar selinë e fushatës.
Sipas Levin, përgjimet e agjencive të inteligjencës zbuluan se njëri nga punonjësit e fushatës presidenciale të Barry Goldwater ishte homoseksual. Sipas përgjimeve, Goldwater ishte në dijeni të faktit. Ata e kërcënuan Goldvwater se do ta bënin botërisht të ditur homoseksualitetin e punonjësit të tij. Në këtë pikë Goldwater kontaktoi njërin nga drejtuesit të fushatës presidenciale kundërshtare dhe i tha: “Ju lutem mos ia shkatërroni jetën këtij njeriu”. Në fund, ata pranuan të mos ta bënin këtë fakt publik.
Në vijim të paranojës ndaj kundërshtarit të tij Robert Kenedi, Presidenti Johnson dërgoi spiunë të FBI-së në Konventën Demokratike të vitit 1964, ku ata vazhduan të vëzhgojnë aktivistin Martin Luther King dhe udhëheqës të tjerë të të drejtave civile. Në vitin ’68, kur Hubert Humphrey fitoi nominimin si kandidat për president, Presidenti Johnson i kërkoi FBI-së të përgjonte telefonat e tij, për të kuptuar qëndrimin e kundërshtarit në lidhje me Luftën e Vietnamit. Dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut të spiunazhit.
Levin nuk merret me administratën e Presidentit Nikson, ndoshta sepse rasti i tij është tejet i njohur (por mos harroni se si demokratët asokohe pretendonin se ishin të tronditur prej përgjimeve të Nikson.) Ai kalon tek Presidenti Obama dhe Prokurori i Përgjithshëm i tij Eric Holder, në lidhje me të cilët vetë gazetari i njohur i CNN Jake Tapper është shprehur: “Administrata e Obamës e ka përdorur Ligjin kundër Spiunazhit për të spiunuar vetë sinjalizuesit që u jepnin informacione gazetarëve…më shumë se të gjitha administratat e mëparshme të marra bashkë…” Sipas llogarive, ai i përdori këto dispozita të paktën shtatë herë më shumë.
Kujtojmë se në vitin 2013, Departamenti i “Drejtësisë” sekuestroi, pa asnjë njoftim apo justifikim, tabulatet e 20 telefonave të përdorur në zyrat e Associated Press, si dhe linjat e telefonave të shtëpive të gazetarëve, duke shënjestruar më shumë se 100 gazetarë. Vetëm një javë më vonë, Departamenti i Drejtësisë e shpalli gazetarin e FOX NEWS, James Rosen, si bashkëpunëtor të krimit në një rast rrjedhjeje informacioni, duke gjurmuar lëvizjet e tij, duke sekuestruar regjistrat e emaileve të tij dhe madje duke spiunuar prindërit e tij. Spiunimi politik në kohën e Obamës ishte një fenomen tejet i përhapur.
Për sa i përket veprimeve të dyshes Obama-Biden kundër Tramp, shumëçka njihet në lidhje me këto abuzime të tmerrshme të pushtetit: këtu përfshihet beteja e pandalshme ligjore kundër Tramp dhe bashkëpunëtorëve të tij; përgjimi i fushatës së Tramp dhe i vetë Shtëpisë së Bardhë; rrjedhja masive e informacionit konfidencial (përfshirë këtu deklaratat tatimore të Tramp); inskenimi i implikimit të Tramp në favor të Rusisë; akuzat e rreme; bastisja e shtëpinë së Tramp; roli i agjencive të inteligjencës në incidentet e 6 janarit dhe spiunimi, gjurmimi, bastisja, arrestimet dhe dënimet që pasuan. Koha nuk na mjafton, por nuk mund të lëmë pa përmendur këtu censurën e internetit nga ana e qeverisë.
SHBA-ja demokratike ka një histori të gjatë abuzimi me pushtetin, të kryer nën urdhrat e vetë udhëheqësve të saj. Por jo nga Tramp – më shumë se abuzues me pushtetin, ai ishte viktimë e tij. Është ironik fakti që pikërisht njeriu që sot po përpiqet ta ndalë abuzimin me pushtetin, me synimin t’i bëjë Shtetet e Bashkuara një vend më të hapur dhe më të ndershëm, vazhdon të përndiqet dhe të quhet diktator.
Kundërshtarët që sot akuzojnë Presidentin Tramp si “shkatërrues të normave”, bëjnë mirë të kuptojnë se nëse ato norma që ai synon të shkatërrojë janë spiunimi qeveritar ndaj qytetarëve amerikanë dhe abuzimi me pushtetin, atëherë Tramp bën mirë të ndezë buldozerin.
Analize e Mike Huckabee, botuar ne 24 Nentor. Huckabee eshte ish Guvernator i Arkansasit, dhe i nominuar i Presidentit Donald Trump per Ambasador ne Izrael