Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës ka bërë sërish thirrje për ndalimin e aeroportit të Vlorës në Shqipëri për shkak të ndikimeve të tij negative në biodiversitetin e Lagunës së Nartës dhe deltës së Vjosës.
Gjatë mbledhjes vjetore në Strasburg, komiteti shprehu shqetësim të thellë për vazhdimin e punimeve dhe kërkoi që ndërtimi të pezullohet derisa të kryhet një Procedurë e re dhe e mjaftueshme e Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor (VNM) dhe një vlerësim i duhur i ndikimeve mjedisore”.
Gjithashtu, shprehu “shqetësim të thellë se ligji i ri për Zonat e Mbrojtura mund të bjerë ndesh me parimet dhe detyrimet e përcaktuara në Konventën e Bernës, duke mundësuar potencialisht shkeljen e dispozitave të saj” dhe kërkoi “rishikimin për të siguruar pajtueshmërinë me Konventën”.
Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, projektet e mëdha infrastrukturore në Zonat e Mbrojtura në Shqipëri nuk janë më të ndaluara dhe nuk janë më objekt shqyrtimi nga autoritetet përkatëse. Ligji, i miratuar në shkurt 2024, lejon zhvillime të tilla si ndërtimin e aeroporteve ose hoteleve luksoze, madje edhe në zona me vlerë të veçantë ekologjike, si projekti për marrjen e ujit nga lumi Shushica, një degë e Vjosës dhe pjesë e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa.
Kujtojmë se zona e mbrojtur Vjosë-Nartë është një nga ekosistemet më të rëndësishme në Shqipëri, ligatina e dytë më e rëndësishme në vend dhe strehë për specie të rralla bimore dhe shtazore. Zona përfshin mbi 220 lloje shpendësh të regjistruar dhe ka rëndësi ndër-rajonale për Korridoret e Shtegëtimit të Adriatikut. Në mars 2023, Vjosa u shpall Parku i parë Kombëtar i lumit të egër në Evropë dhe u vu nën mbrojtje nga qeveria shqiptare.