Drejtësia popullore e Noc Rrokut përballë demokracisë shekullore – Rast krahasimor mes Francës dhe Shqipërisë

Nga Ted KOPLIKU

Në Francë është hapur një proces gjyqësor ndaj Marine Le Pen, kandidatja potenciale e të djathtës në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, dhe me shumë mundësi presidentja e parë femër. Ajo hetohet për shpërdorim të fondeve për asistentët parlamentarë në Parlamentin Evropian, të cilat pretendohet t’i ketë përdorur për partinë e saj, dhe për të kërkohet 5 vite heqje lirie, dy prej të cilave me burg të mbyllur. Përveç kësaj kërkohet të jetë e pa kandidueshme për 5 vite me ekzekutim të menjëhershëm. Por çfarë ndodh në Francë ndryshe nga në Shqipëri?

Franca ka të shenjtë ndarjen e pushteteve dhe vendimet e drejtësisë nuk para vihen në pikëpyetje. Megjithatë, ndryshe nga vendi ynë, ku non-gratat pa asnjë peshë juridike, apo mbajtja nën arrest pa provë që tundeshin nga banaqet mediatike tek ata të mejhaneve, klasa politike franceze kundërshtoi me forcë ndërhyrjen e drejtësisë në politikë. Nga mbështetësit kryesorë të Le Pen tek kundërshtarët më të përbetuar të saj thanë një zëri që nuk mund të vendosin prokurorët, pa u kaluar gjitha hallkat e gjykimit, se kush duhet të kandidojë ose jo. Më të spikaturat ishin reagimet e Gérald Darmanin (ish-ministër i brendshëm i Emmanuel Macron) apo përfaqësuesi i të majtës ekstreme Mélenchon që nuk zgjodhën as heshtjen përballë këtij procesi, por ju bashkuan kritikave të gjithë klasës politike franceze duke e quajtur skandaloz, rrezik për demokracinë, apo diktat i një qeverie prokurorësh.

Klasa politike në Francë, pavarësisht bindjeve, nuk heziton ta quajë këtë fenomen konfiskim të demokracisë dhe ta kritikojë si të pamoralshëm dhe të pa drejtë privimin e miliona francezëve të votojnë. “Ajo duhet të mundet në kutinë e votimit, jo në banakun e të akuzuarit”, “popullit dhe jo prokurorëve i takon të vendosin nëse ajo votohet”, “ndalim i vullnetit të popullit”, “pengesë për debatin politik”, “pa vendos në pyetje gjykimin, metoda është e rrezikshme”, “drejtësi ideologjike” dhe të tjera kritika bënë bashkë klasën politike franceze, ku pa përjashtim insistonin të kaloheshin të gjitha shkallët e gjykimit para se të impaktohej demokracia.

Sali Berisha dhe e djathta shqiptare janë përballur me një realitet krejt të ndryshëm. Tashmë edhe partitë e djathta në Evropë dhe më gjerë, apo mediat prestigjoze ndërkombëtare bien dakord për persekutimin e opozitës dhe liderit të saj në këto tre vite. Liderë të burgosur e të izoluar, si në asnjë vend tjetër evropian me këto shifra, kanë pasur përballë një drejtësi që jo vetëm nuk krijon kushte të barabarta garimi apo nuk heton krimin elektoral që del qartazi në dosjet e ardhura nga partnerët evropianë, por edhe një drejtësi të mitizuar nga mediat apo ambasadat, që i ka lënë vend një kulture të gjyqeve popullore.

Lënia në dy palë zgjedhje pa sigël, vulë, simbole dhe fonde, humbja e bashkisë së Himarës, izolimi i liderëve të opozitës, janë vendime, të cilat kanë shkaktuar dhe vazhdojnë të shkaktojnë një dobësim të opozitës. Drejtësia vazhdon si një kërbaç kundër opozitës dhe askush nuk mendon për dëmet e pa zhbëshme që i bëhen opozitës dhe jetës politike në vend.

Drejtësia popullore, mediat apo mbështetësit e pushtetit në Shqipëri vazhdojnë t’i tundin opozitës dhe mbështetësve të saj kartën e purifikimit të “politikës së vjetër” nga instrument anti-demokratikë në emër të demokracisë. Ndryshe nga Franca që brenda vitit ndryshoi dy qeveri, Shqipëria vazhdon të mbetet peng i drejtësisë popullore dhe grushtit të shtetit institucional duke treguar edhe një herë që nuk kemi mbërritur akoma as adoleshencën e demokracisë si shoqëri.

Ted Kopliku – Anëtar i departamentit Brain Gain në PD – Në kuadër të laboratorit të ideve.

 

About Redaksia

Check Also

Kuçana: Rama dhe Veliaj po uzurpojnë pronën e Universitetit të Tiranës ku janë 30 mijë studentë!

Deklarata e anëtares së Këshillit Kombëtar, Ilirjana Kuçana Studentët shqiptarë, bijat dhe bijtë tuaj, do …