Ish-Kryeministri Sali Berisha, ishte i pranishëm në një tryezë të organizuar në Selinë e PD për çështjen e krizës së rëndë energjetike.
Berisha tha se, Shqipëria e ka potencialin për të mos e ndjerë shumë krizën në Ukrainë. Por ai shtoi se çmimet janë rritur nga vjedhja dhe babëzia qeveritare.
“Tani ky problem, në hijen e agresionit rus ndaj Ukrainës, ka marrë përmasa edhe më të mëdha. Shqipëria është vendi i vetëm në Europë që ka tre katërfishuar çmimin e energjisë për bizneset dhe premton të rrisë në mënyrë absurde çmimin e energjisë edhe për konsumatorët.
Shqipëria është vendi i vetëm që takson naftën mbi 1 euro dhe prodhon 1 milion dhe ka një prej çmimeve më të larta në Europë. Sigurisht Shqipëria nuk është një ishull, është pjesë e kontinentit. Me gjithë këtë, në rrafshin e energjisë dhe prodhimit të saj, Shqipëria është vendi që duhet të ndjente më pak se çdo vend tjetër, ndikimin mbi energjetikën e kontinentit të agresionit rus mbi Ukrainën.
Kjo mbasi energjia e saj në masën 96 deri 98 përqind është tërësisht ujore. Jo vetëm është ujore, por ajo prodhohet me kosto më të ulët se në çdo vend tjetër të kontinentit.
Së treti, prodhimi i energjisë në Shqipëri, gjatë vitit 2021 është më i larti në rekord historik, është rreth 9.8 miliardë kilovat/orë. Pra, duke pasur parasysh këto faktorë, dhe nëse analizojmë qëndrimin në menaxhimin e rezervës ujore të kaskadës, konstaton lehtësisht se shkaku më themelor i krizës energjetike në Shqipëri nuk është moti, nuk është lufta, por është absolutisht plaçkitja, grabitja, vjedhja në këto sipërmarrje.
Nuk besoj të ketë një vend tjetër që zbraz digat dhe shet energji me 42 euro në të njëjtën ditë kur në bursë ajo është 130 euro. Apo blen energji me 300 euro, në një kohë kur në bursë atë ditë është 150 euro. Pra kemi të bëjmë me një rritje çmimesh të diktuara tërësisht nga keqmenaxhimi dhe vjedhja.
Ai që shiti energji me 42 euro, ka ndarë para me blerësin. Sepse ky i fundit e ka shitur diku me çmimin e bursës. Pra kemi të bëjmë me një menaxhim kleptokratik të këtyre sipërmarrjeve publike, që de facto janë të falimentuara, pasi borxhi i tyre i ka kaluar 1 miliard euro.
Por çfarë qëndron tjetër në themel të kësaj krize? Në themel të saj qëndron qëndrimi i papërgjegjshëm i kësaj qeverie, e cila në 9 vite, nuk ka siguruar një burim të vetëm energjie, përveç burimeve ujore të kontraktuara më parë. Në një kohë kur potencialet ishin të jashtëzakonshme. Në një kohë kur kjo qeveri trashëgoi kontrata për ndërtimin e 432 hidrocentraleve në mbarë vendin. Përparësia e saj absolute duhej të ishte diversifikimi i burimeve të energjisë elektrike. Rrallë të ketë një vend me potencial të tillë për diversifikimin e burimeve të energjisë elektrike”, tha Berisha.