Berisha denoncon skandalin e Ramës: Qëndrimi ndaj gazsjellësit TAP ka qenë fund e krye korruptiv

Ish-Kryeministri Berisha, i ftuar në një tryezë të organizuar në PD me ekspertë për krizën energjetike, denoncoi skandalin e Edi Ramës me çështjen e gazifikimit të vendit.

“Qëndrimi i tyre ndaj gazsjellësit TAP ka qenë fund e krye korruptiv në raport me klientelën e gazit në Shqipëri. Kontrata e miratuar në Kuvend në vitin 2013 ka përcaktime të qarta ligjore. Konsorciumi i ndërtimit është i detyruar të lërë dalje në Seman për Shqipërinë. Jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Pikërisht këtu qëndron fakti se Shqipëria bëhet vend nevralgjik i furnizimit të Europës me gaz.

Shqipëria ka fatin të jetë vendi i depozitave më të mëdha të gazit në Europë. Është parashikuar që ato të jenë në Dumre, e shqyrtuar gjerësisht për shpellat e saj në thellësi me kupolë kripe. Kjo e bëri Shqipërinë shumë tërheqëse për TAP-in, pasi rezervat e gazit janë kusht i domosdoshëm”, tha Berisha.

“U bë plani për gazifikimin e Shqiëprisë me kompaninë azere Socar. Por në vitin 2014, Damian Gjiknuri ulet dhe firmos edhe njëherë me kompaninë Socar. Në vitin 2021, ministrja Balluku dhe firmos të njëjtin protokoll që kishte firmosur Gjiknuri 7 vite më parë. Ua dhashë këtë shembull për ta ditur shqiptarët sa joserioze ka qenë kjo qeveri ndaj një problemi që është më themelor për ekonominë e një vendi dhe zhvillimin e një vendi.

Përveç kësaj, ne kishim të ndërtuar në Vlorë një TEC të teknologjisë së fundit, plotësisht të kthyeshëm në gaz. Kjo në një kohë kur nuk flitej për TAP-in. Ky projekt ishte i qeverisë së Fatos Nanos. Kishte rezerva për tenderin, por TEC u ndërtua. Kompania bëri një gabim të pafalshëm dhe ne nuk e morëm në dorëzim. Ne i kërkuam Bankës Botërore, që e financoi, që çështja e portilit të zgjidhej.

Tani pas 9 vitesh, në vend që qeveria shqiptare të shtrinte tubacionin nga TEC i Vlorës deri në Seman ku është detyrimi kontraktual për të krijuar daljen e gazit në Shqipëri, shkon dhe kontrakton një kompani për gaz të lëngshëm, që ka një kosto qartësisht më të lartë se gazi që sjell TAP-i. Kur kjo gjë bëhet publike, në mashtrim e sipër Edi Rama deklaroi se do shtrojnë edhe tubin nga Semani në TEC. Po pse nuk u bë kjo? Asnjë masë në 9 vite për diversifikimin e energjisë, një vend që i kishte të gjitha potencialet.

Tani, në kuadrin e krizës së krijuar, dhe për hir të vërtetës edhe para krizës SHBA dhe Donald Trump kanë insistuar që Europa të shkëputet nga varësia e gazit rus, kjo qeveri që nuk ka asnjë koncept përveç kleptokracisë, pse nuk bëri asnjë progres në gazifikimin e vendit. Sepse kompanitë importuese të gazit diktojnë me zarfa politikën e tyre. Dhe e dini nga e marrin? E marrin nga Rusia. Pra ne jemi vend pranë gazit, pa gaz. Sepse kështu do qeveria, kështu i leverdis asaj”, theksoi Berisha.

About Redaksia

Check Also

Shfokusimi nga inceneratorët, shërbimi më i mirë që mund t’i bësh Ramës dhe Veliajt

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi reagoi duke thënë se nuk duhet shfokusuar vëmendja …

Leave a Reply