Dështimi i qeverisë Rama mbi “Paktin për Universitetin”!

Pasditen e sotme, në selinë e Partisë Demokratike, u zhvillua bashkëbisedimi mbi mosmbajtjen e premtimeve ‘mbi paktin e universitetit’ nga qeveria Rama.

Me prezencën e kryetarit të PD, Prof. Dr. Sali Berisha, ky takim mblodhi së bashku pedagogë dhe studentë, ku synoi të hedhë dritë mbi dështimet e qeverisë për të zbatuar paktin e universiteteve, një angazhim që dikur premtoi përmirësime të mëdha në arsimin e lartë në Shqipëri.

Në vitin 2018, pas presionit të protestave, qeveria premtoi një pakt të ri për universitetet, i cili do të adresonte nevojat më urgjente të studentëve dhe të përmirësonte cilësinë e arsimit të lartë. Megjithatë, sot, pas më shumë se pesë vitesh, shumica dërrmuese e këtyre premtimeve nuk janë mbajtur. Diskutimi i studentëve dhe pedagogëve u përqendrua tek dështimi i qeverisë në zbatimin e këtyre pikave kryesore:

1. Reduktimi i tarifave të studimit: Qeveria kishte premtuar uljen e ndjeshme të tarifave për të gjitha ciklet e studimit, por tarifat vazhdojnë të jenë të papërballueshme për shumicën e studentëve dhe familjeve të tyre, duke mbetur një barrë ekonomike e rëndë.
2. Rritja e transparencës financiare të universiteteve: Përfaqësuesit evidentuan se universitetet vazhdojnë të operojnë me mungesë transparence në shpenzime dhe alokimin e fondeve, duke mos ofruar informacione të qarta mbi përdorimin e buxhetit.
3. Përmirësimi i kushteve në konvikte dhe auditore: Ambientet e akomodimit dhe infrastruktura mësimore mbeten në kushte të rënda, duke ndikuar negativisht në cilësinë e jetesës dhe mësimdhënies për studentët.
4. Përfshirja e studentëve në vendimmarrje: Edhe pse një nga kërkesat thelbësore të protestave ishte përfaqësimi i studentëve në strukturat vendimmarrëse, ky premtim është përmbushur vetëm në letër dhe jo në praktikë.
5. Mbështetja financiare për studentët ekselentë dhe ata nga familje në nevojë: Bursa të mjaftueshme dhe ndihma financiare për studentët e varfër apo me rezultate të larta mbeten një premtim i pambajtur, duke rritur pabarazinë në arsim.
6. Rritja e buxhetit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor: Buxheti i arsimit të lartë mbetet ndër më të ulëtit në rajon, duke kufizuar kapacitetet për zhvillim akademik dhe shkencor.
7. Sigurimi i praktikave profesionale për studentët: Mungesa e praktikave profesionale efektive ka krijuar një hendek të madh mes arsimit dhe tregut të punës, duke lënë shumë të rinj të papërgatitur për sfidat profesionale.
8. Eliminimi i korrupsionit dhe nepotizmit në universitete: Korrupsioni dhe praktikat nepotiste vazhdojnë të jenë të përhapura në institucionet arsimore, duke minuar standardet akademike dhe besimin e studentëve në sistem.

Studentët dhe pegagogët shprehën indinjatën e tyre ndaj qeverisë për dështimin në përmbushjen e këtyre premtimeve. Ata argumentuan se kjo mungesë përgjegjshmërie ka ndikuar rëndë në cilësinë e arsimit të lartë, duke nxitur emigrimin e studentëve dhe duke përkeqësuar gjendjen e sistemit arsimor në vend. Gjithashtu, u theksua se mungesa e investimeve serioze në arsim po ndikon në humbjen e besimit të brezit të ri, të cilët nuk shohin të ardhme në Shqipëri.

Ky bashkëbisedim shërbeu si një thirrje për reflektim dhe veprim, duke vënë theksin në nevojën për të transformuar sistemin e arsimit të lartë, jo vetëm si një domosdoshmëri për të rinjtë shqiptarë, por si një shtyllë kyçe për zhvillimin e ardhshëm të vendit.

About Redaksia

Check Also

“New Eastern Europe” : Rama një autokrat që ka zhdukur demokracinë, pasoja të rënda nëse BE e mbështet

Alejandro Esteso Pérez Në pushtet të pandërprerë që nga viti 2013, kryeministri shqiptar Edi Rama …