Berisha: Do të kërkojmë në Kuvend faljen e të gjitha gjobave dhe kamatë vonesave

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar tha se, do të kërkojmë në Kuvend faljen e të gjitha gjobave dhe kamatë vonesave që ekzistojnë për energjinë elektrike.

“Siç e shihni, narkoqeveria është angazhuar e tëra në përdorimin e shtetit elektoral për qëllime elektorale.

Me një procedurë mashtruese, të paligjshme, radhën e kaluar donin të kalonin ligjin e blofit.
Ligji i blofit ishte ligji i faljes së gjobave që nuk janë gjoba sepse asnjë gjobë e vendosur mbi atë nen të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, jo vetëm që nuk mund të kërkohet, por detyrohet shteti, dhe i garantoj ata që i kanë paguar se qeveria e PD do t’i rikthejë ato gjoba. Përderisa gjykata e ka gjetur antikushtetues nenin, qindarkë për qindarkë, kushdo që paguar gjobë mbi atë nen, do marrë gjobën mbrapsht.

Së dyti, Gazi ka përgatitur një amendament dhe është dorëzuar në parlament, ne do kërkojmë faljen e të gjitha gjobave dhe kamatë vonesave që ekzistojnë për energjinë elektrike, për të gjitha shtresat në nevojë dhe bizneset e vogla pa përjashtim.

Është një vendim, ju e patë se për çfarë i përdor OSSH dhe KESH paratë, i ndajnë njëri me tjetrin, në një kohë që atyre që nuk kanë realisht për të paguar, u presin dritat, i arrestojnë dhe e përdorin si një mjet dhune dhe presioni ndaj tyre.

Kjo përputhet plotësisht me angazhimin tonë që në 100 ditët e para do përcaktohet kuadri ligjor i çmimeve të energjisë elektrike në përputhje me rrogat dhe pensionet.

Nuk mund të paguajë kurrë një rrogëulët apo qoftë edhe rrogëmesëm sa paguan rrogëlarti apo ai që merr 5 mijë dhe 10 mijë euro në muaj. Nuk ndodh kjo. Ndaj edhe atij do i garantohet minimumi bazë i enegjisë për funksionimin e familjes.

Mos harroni se e kemi pasur dhe e kemi pasur me Bankën Botërore, fashoja në të cilën paguhej me 7 lekë energjia përfshinte shumicën dërrmuese të familjarëve në Shqipëri. Por kjo do jetë edhe më e ulët.

Do t’u proporcionohet se ju e patë, u merren 3 pensione me TVSH-në e ushqimeve dhe gjërave të tjera bazë. 2 pensione u merren më ujë, drita dhe këto shpenzimet, jo, nuk mundet kjo. Kjo do marrë fund.

Ndaj dhe ne e propozojmë nesër dhe e bëjmë këtë për të dërguar një mesazh të qartë për shqiptarët se e kemi detyrim ndaj jush në 100 ditët e para të qeverisjes tonë për ta shndërruar në ligj”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Të shtëna me armë në Vlorë, ka të plagosur

Të shtëna me armë raportohen në qytetin e Vlorës. Raportohet se një person ka mbetur …