Deklarata e drejtueses së Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula
Teatri i ministres së kobit, Ogerta Manastirliu, dhe i kryeministrit të gjëmave të shqiptarëve për të mbyllur tik-tokun, në vend që të ngrinin lart duart e dështimit të arsimit, është kartolina e fundvitit – kartolina e larjes së duarve, e mosanalizimit dhe mosmarrjes përgjegjësi për vitin më të errët të arsimit.
Heshtja vrastare e partisë-shtet për ikjen nga kjo jetë e nxënësit Martin Cani në mes të Tiranës, brenda orarit mësimor e në derë të shkollës, dhe bishtnimi i gjetjes së fajtorit tek tik-toku dhe censurimi i tij, shoqëruar me një turr takimesh propagandistike të Manastirliut nëpër qytete me mësues të vënë në rresht, është kapaku me i frikshëm për të nesërmen e fëmijëve tanë.
Për këtë vit shkollor rezultojnë rreth 27 000 nxënës më pak të arsimit parauniversitar, krahasuar më një vit më parë. Nëse opozita prej kohësh flet për shpopullim në kufij të zhbërjes kombëtare, zinxhiri i drejtimit të sistemit arsimor nuk ka gojë. Në këto 12 vite u është vënë dryni 750 shkollave dhe janë në proces mbylljeje edhe shumë të tjera, ndërkohë që devijimi i analizës dhe heshtja mbeten rruga e vetme e rilindjes.
– Me gjithë premtimin e para 12 vitesh për buxhetin e arsimit 5 % PBB , qeveria, edhe për vitin 2025 miratoi një mbështetje financiare vetëm 2.6 % PBB – shumë më pak se financimi i periudhës së qeverisjes së Partisë Demokratike.
-Auditorët universitarë janë më të boshatisur, krahasuar me një vit më parë: mbi 4000 studentë më pak në universitete, dhjetëra degë studimore të mbyllura jo vetëm në universitete rajonale por edhe në Tiranë. Mashtrimit për bursa të degëve prioritare i doli boja ndaj edhe numri i studentëve të degëve të mësuesisë, jo vetëm të shkencave të natyrës por edhe si histori, gjeografi, gjuhë- letërsi këtë vit ka rënie.
– Skema mashtruese ‘Klea Rama’ vetëm me një e-mail, mbërtheu, me bekimin e ministres qindra maturantë e dhjetëra mësues duke i përfshirë në konkurse dhe marrje certifikatash maturantë nga gjithë Shqipëria dhe qeveria heshti.
– Nxënësit shqiptarë u renditen të fundit të botës për aftësitë e të menduarit krijues, 4 vende më poshtë se Palestina, me 13 pikë, shumë më ulët se mesatarja e OECD që është 33 pikë. Më shumë se gjysma e nxënësve 15 vjeçarë janë nën nivelin bazë të të menduarit krijues – tregues i situatës të sistemit tonë arsimor dhe alarm për aftësitë e nxënësve në jetë nesër.
– Dalja e të gjitha testeve të maturës shtetërore në minutat e para të provimit, duke e përmbysur procesin e testimit dhe të vlerësimit të maturantëve, dhe njëherësh përzgjedhjen e degëve të studimit që projektojnë të ardhmen e të rinjve, u pasua me vlerësime ministrore.
– Trafiku ndërkombëtar i 8000 diplomave false, të lëshuara nga kolegji universitar Uisdom, ku mijëra italianë janë diplomuar dhe kanë fituar tituj akademikë pa marrë pjesë në provime dhe pa e parë ndonjëherë me sy universitetin.
-Skandali i shpërndarjes së drogës nxënësve nga drejtori i shkollës artistike në Durrës, nuk ishte problem për drejtuesit e arsimit dhe u pasua nga heshtja.
– Udhëzimi i ministrisë së arsimit dhe sportit nr 8, datë 3 maj 2024 ‘Për procedurat e pranimit, të pezullimit, dhe të largimit të mësuesit nga një vend pune si dhe të administrimit të portalit Mësues për Shqipërinë’’ shkel në mënyrë flagrante të drejtat e fituara të ushtrimit të profesionit të mësuesit si dhe centralizon e politizon proceset e punësimeve.
Partia Demokratike ka denoncuar vijimisht politizimin, papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e Ministrisë së Arsimit dhe rrjetit të patronazhimit nëpër drejtori arsimore. Partia Demokratike e vlerëson arsimin si prioritet mbi prioritetet, dhe nuk do të lejojë që fëmijët shqiptarë të jenë peng i një bande në arsim.
Arsyet për të ngritur zërin dhe për tu revoltuar janë shumë ndaj u ftojmë sot qytetarë, prindër, mësues studentë e pedagogë, të bëhemi bashkë në orën 17:00 në Marshimin në Tiranë në emër të fëmijëve, për të garantuar sigurinë në shkolla nesër dhe jetën në atdhe.