Deklarata e fortë e Spiropalit/ “Rama manipuloi zgjedhjet me krimin dhe korrupsionin”

Elisa Spiropali ka ashpërsuar kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama pas përjashtimit nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, duke ngritur akuza për deformimin e votës, ndikimin e krimit dhe korrupsionit në proceset zgjedhore, si dhe përdorimin e burimeve të pushtetit.

Gjatë një interviste sonte në emisionin “Opinion”, Spiropali tha se sistemi politik dhe zgjedhor në Shqipëri ka nevojë për ndryshime të thella, ndërsa i atribuoi Ramës përgjegjësi për problematikat që, sipas saj, janë krijuar dhe vazhdojnë të ndikojnë në funksionimin e demokracisë.

Ish-kryetarja e Kuvendit u shpreh se mazhoranca duhet të kishte zgjedhur dialogun me protestuesit dhe t’i kishte dhënë më shumë hapësirë opozitës. Ajo kërkoi gjithashtu një reformë zgjedhore që të mundësonte kalimin drejt një sistemi proporcional me lista të hapura.

Duke folur për zgjedhjet, Spiropali pranoi se ekziston deformim i votës, për të cilin bëri përgjegjës edhe presionin që, sipas saj, ushtron pushteti, veçanërisht në zonat periferike.

“Deformimi fillon nga sistemi elektoral. Deformim të votës ka, sepse forca e pushtetit është aq e madhe, dhe mbi të gjitha në periferitë e largëta, presioni i pushtetit është shumë i madh”, u shpreh ajo.

Spiropali përmendi gjithashtu ndikimin e krimit, korrupsionit dhe përdorimin e mjeteve shtetërore, përfshirë tenderët, si elemente që, sipas saj, ndikojnë në sistemin politik dhe zgjedhor.

“Ka elementë të krimit, korrupsionit, ka elementë të përdorimit të mjeteve të pushtetit, të tenderëve dhe shumëçka tjetër në këtë sistem”, deklaroi ajo.

Përgjegjësinë për përballimin dhe ndryshimin e këtyre problematikave Spiropali ia atribuoi drejtpërdrejt kryeministrit dhe kryetarit të PS-së.

“Edi Rama ka përgjegjësinë si për të parë problematikat, ashtu edhe për t’i ndryshuar ato. Është kryeministri dhe kryetar i PS. Atdheu të mos trajtohet si pronë private”, theksoi ajo.

Spiropali e cilësoi përqendrimin e pushtetit në duart e një individi si një prej problemeve kryesore të modelit aktual të qeverisjes, duke deklaruar se do të vazhdojë përpjekjet për ndryshimin e sistemit.

“Jam në betejë për ta ndryshuar dhe për ta evoluar sistemin. Unë jam ajo që kam qenë dhe do jem. Përgjegjësia më e madhe është modeli i personalizimit ekstrem të pushtetit”, u shpreh deputetja.

Ajo foli disa herë për zgjidhje politike dhe theksoi se dorëheqja e Edi Ramës është pikërisht zgjidhje politike.

Kritikat e saj u përqendruan edhe te gjendja e brendshme e Partisë Socialiste. Spiropali tha se PS mbetet një forcë e rëndësishme politike, por ka nevojë për reformim dhe reflektim, duke kundërshtuar atë që e cilësoi si modelin e “partisë-shtet”.

“PS është një aset kombëtar i Shqipërisë. Është një parti progresiste, pulsi i së cilës rreh nga e ardhmja. A ka tendenca të kthehet në kohë mbrapa? Po, ka dhe ka nevojë për reformim”, deklaroi ajo.

Në përfundim, Spiropali paralajmëroi se socialistët nuk mund të vazhdojnë të mbështeten vetëm te dobësia e kundërshtarëve politikë për të qëndruar në pushtet.

“Duhet të marrë fund partia-shtet. Nuk mund të vazhdojmë që të mbahemi në pushtet nga dobësia e opozitës. PS ka nevojë për një reflektim”, tha ajo.

Deklaratat vijnë pas vendimit të 24 nëntorit për përjashtimin e Spiropalit nga Grupi Parlamentar socialist, vendim që ajo e ka kundërshtuar publikisht.

About Krye Redaktor

Check Also

“Zyrtarët e korruptuar po fshehin paratë në llogari offshore”/ Deklarata e Ambasdorit Wendt dhe ajo e OSBE për Ramën

Ambasadori amerikan Wendt deklaroi dje nw SPAK mënyrat se si zyrtarët e korruptuar dhe grupet …