Nënkryetari i PD, Agron Gjekmarkaj, njëkohësisht nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, reagoi pas dhunës brutale të policisë mbrëmjen e kaluar gjatë mosbindjes civile. Për shkak të kësaj dhune, Gjekmarkaj përfundoi në spital.
Deklarata
Nuk do të kisha reaguar përsa ndodhi dje me mua në proteste nëse Policia e Shtetit nuk do më fyente së dyti me deklaratën e vet publike e dizinformuese!
Nuk e pëlqej, as e kërkoj viktimizimin! Madje kurrë në jetën time nuk kam kërkuar as nxitur ballafaqime fizike!
Nuk kam sulmuar asnjëherë askënd! Dje thjesht jam mbrojtur. I gjindur para një makine të vogël bashkë me shoqëruesin tim, punonjës i gardës, i cili u keqtrajtua gjithashtu ndonëse u tregoi edhe dokumentin identifikues, u rrethova nga një grup i madh policësh!
Ju thashë mos më prekni, jam Agron Gjekmarkaj, nënkryetari i Kuvendit të Republikës, deputet, pedagog universiteti me butësi gati me humor, nuk shquhem për force fizike, nuk bëj palestër, ndaj bëni kujdes!
Më shtynë brutalisht, me shumë forcë, thyen edhe pasqyrën e veturës duke më ngritur gati në ajër mua!
Më tërhoqi shoqëruesi me shumë mundim dhe një djalë nga Lezha përmes policëve teksa ndjeja frymëmarrjen që po më ngadalësohej! Sapo dola nga turma e policëve, duke më tërhequr të tjerët, humba ndjenjat! Nuk u ndjeva keq se kisha probleme me shëndetin, por si pasoje e veprimeve të policisë! Nuk u largova nga protesta se desha të largohem, por me detyruan, nuk u largova për të shkuar në kafe apo shtëpi, por në spital!
Më ka mbetur në kujtesë egërsia në shikim e dy-tre oficerëve të policisë, zelli i tyre si dikur motit kur arrestoheshin deputetët e opozitës në 1946, u dukej e padrejtë që dikush guxon të protestojë kundër pushtetit të tyre se ata e shohin pushtetin si gjënë e tyre, pse jo edhe si instrument dhune!
Gjithsesi ata nuk mund të shtynin një deputet në atë mënyrë pa një urdhër politik!
Përfitoj nga ky rast i trishtë të falenderoj të gjithë ata që m’u gjinden pranë, protestuesit, demokratët e qytetarët e Lezhës, drejtuesit dhe deputetët e PD, mjekët e Spitalit Ushtarak dhe ata të QSUT për ekzaminimet dhe shërbimin, falenderoj qindra miq e të njohur nga vendi e bota për atë lumë mesazhesh që kam marrë prej tyre ende në pamundësi për t’u kthyer përgjigje individualisht!
Shpreh keqardhje të thellë për të gjithë të lënduarit e të ndaluarit, të cilët përpiqen për një Shqipëri më të mirë, që nuk e morën vëmendjen që mora unë! Ne nuk kemi frikë!
Sot jemi në vigjilje të Krishtlindjeve! Qofshin ato të bardha për ju dhe të gjithë shqiptarët! Të tjerat do të jenë më të mira!