Ish-Kryeministri Berisha ka marrë fjalën në parlament, por e ka nisur me një replikë me kryetaren e parlamentit Lindita Nikolla. Kjo e fundit duke iu drejtuar Berishës tha se, ishte i turpshëm akti që ai bëri. Por Berisha tha se, i turpshëm ishte akti i saj që nuk i dha fjalën dhe i dha një paralajmërim.
“I turpshëm ishte akti yt, kërkova fjalën për replikë. Hera e dytë që përdor fyerje, por po vazhdove në këtë mënyre do marrësh përgjigjet më të merituara”, tha Berisha.
Më pas ai iu drejtua kryeministrit Edi Rama.
“Jam sot këtu për të falënderuar për herë të parë Edi Ramën, i cili i tmerruar, në panik deklaroi se, nuk bashkëpunon me mua. E siguroj se, është nder i veçantë, por do të vazhdoj betejën time deri kur të marrësh vendin që meriton.
Por jam këtu për të thënë se, në një proces mafioz, njësoj si tenderat sekretë që zhvillon në kryeministri, nuk mund të përlyhet opozita dhe të marrë pjesë.
Së treti, ky është kryeministri i vetëm në Europë dhe botë që nxirret forcërisht nga avioni. A e dini se çfarë tmerri panë pasagjerët? Nga avioni me policë nxirren vetëm të burgosurit. Kur e panë që nuk kishte hekura në dorë, u tmerruan edhe më shumë, e morën për Abu Al Kasam. E morën për përfaqësues të një organizate terroriste. Shkoni dhe pyesni po të doni. Ja, ky është kreu juaj”, tha Berisha.