Deputeti i PD, Agron Shehaj, mbrëmë në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut tha një gjë që është alarmante për këdo, por sidomos për shtetin. Deputeti i PD deklaroi (është e regjistruar) se në zyrat e PD-së ka njerëz me armë të gatshëm të qëllojnë dhe nga kjo gjakderdhje përfiton Lulzim Basha.
Kjo është e tmerrshme kur e dëgjon, sidomos nga deputetë, ndaj duhej që policia e shtetit të hynte për kontroll në zyrat e PD-së.
Nuk është dhunë nga policia nëse ndërhyn për kontroll kur thuhet nga deputetët dhe politikanë se ka njerëz me armë të gatshëm për të vrarë.
Nëse Berisha do të hynte këto ditë në zyrat e PD-së dhe të nxirrte përjashta me njerëzit e tij, Lulzim Bashën si ish-kryetar të PD-së nga zyra ku duhet të ulet Komisioni për Rithemelimin e PD-së, përsonat e armatosur që rrijnë në selinë blu do të qëllonin mbi ish-kryeministrin Sali Berisha.
Kjo gjë do të destabilizonte Shqipërinë më keq se me 14 shtator 1998, kur u vra Lideri i Dhjetorit, Azem Hajdari.
Dhe gjithë përgjegjësia do të binte mbi kryeministrin Rama si dikur mbi Fatos Nanon në 14 shtator 1998.
Policia e shtetit ka për detyrë që të sigurohet nëse ka apo jo njerëz të armatosur në selinë e PD-së siç deklaron ish-kryeministri Berisha dhe deputeti Agron Shehaj.
Dhe nëse ka, t’i arrestojë dhe t’i dërgojë para drejtësisë ata, por edhe kush i ka lejuar në zyrat e një partie politike.
Edhe mbrëmjen e të shtunës kur Berisha dhe deputetja Albana Vokshi shoqëruar me qindra simpatizantë hynë në oborrin e selisë blu u panë (janë filmuar) dhjetëra persona të veshur me të zeza mbi tarracën e PD-së.
U tha në fillim se janë forca speciale të policisë së shtetit, por e vërteta mbetet se Policia e Shtetit nuk ka dërguar asnjeri brenda gardhit të PD-së.
Atëherë kush i ka lejuar persona të maskuar si “forca policie” dhe të armatosur të ngjiten në tarracën e PD-së?
Kryeministri Rama nëse ka informacione zyrtare apo edhe nga deputetë se ka persona të armatosur në një parti politike, duhet të urdhërojë Policinë e Shtetit të ndërhyjë. Ata, kushdo të jenë, duhen arrestuar.
Mbi ligjin nuk ka asnjeri që guxon të dalë.