Skandali 3 milionë euro i Ujësjellësit, kush është firma që fitoi pa garë fazën e dytë

Pak ditë më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi penalisht 6 zyrtarë të Bashkisë së Kurbinit, nën dyshimet se kanë shkelur barazinë në tendera gjatë procedurës për ndërtimin e Ujësjellësit të Laçit, faza e parë, me fond limit rreth 4.2 miliard lekë të vjetra.

Tenderi u fitua nga bashkimi i operatorëve “Senka” dhe “2T”. Në këtë garë morën pjesë 5 konkurentë, nga të cilët 3 u skualikuan.

Ndërkohë, të dhëna të siguruara nga “Boldnews.al” tregojnë se edhe faza e dytë e tenderit për ndërtimin e Ujësjellësit të Laçit shoqërohet me “flamuj të kuq”, indicje që ngrenë pikëpyetje mbi procedurat.

Në maj të vitit 2020, Bashkia e Kurbinit përfundoi procedurën me objekt ““Ndërtimi i rrjetit të jashtëm dhe të brendshëm të qytetit Laç, Faza II”.

Fondi limit për këtë procedurë ishte parashikuar në vlerën 365.7 milionë lekë të reja ose pak më shumë se 3 milionë euro.

Në bazë të të dhënave zyrtare, rezulton se në këtë procedurë ka marrë pjesë vetëm një operator ekonomik, i përbërë nga bashkimi i kompanive “Senka”, “Egland” dhe “GPG Company”.

Referuar dokumentave publikë, ky bashkim operatorësh përfaqësohej në konkurim nga kompania “Senka”, e njëjta që ishte fituese në tenderin e hetuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Në përfundim, Bashkia e Kurbinit shpalli fajtor grupin e operatorëve, të cilët ishin të vetëm në këtë procedurë.

Oferta e paraqitur nga “Senka-Egland-GPG” ishte 363.692.924 lekë të reja, ose 99.5 përqind të fondit limit.

Kjo procedurë e zhvilluar nga Bashkia e Kurbinit është e shoqëruar me së paku dy “flamuj të kuq”, të cilat janë indikatorë të ekspertëve të prokurimeve publike për të ngritur dyshime mbi mënyrën se si veprojnë institucionet shtetërore.

Së pari, në tenderin me vlerë mbi 3 milionë euro për ndërtimin e ujësjellësit të Laçit, faza e dytë, nuk ka pasur garë reale.

Në tender ka marrë pjesë vetëm një konkurrent, i cili është shpallur edhe fitues.

Po ashtu, flamuri i kuq i dytë ngrihet për ofertën ekonomike të paraqitur nga konkurrenti i drejtuar nga “Senka” shpk.

Oferta është shumë pranë fondit limit (99.5 përqind), duke ngritur dyshime se bashkimi i operatorëve ka qenë i bindur që do të ishte fitues në procedurën e zhvilluar nga bashkia e Kurbinit. /BoldNews.al

About Redaksia

Check Also

Kërcënimi mafioz i Ramës për Ahmetajn: Po fole…

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj do të flasë sërish nga arratia. Gazetari Çim Peka ka publikuar disa …

Leave a Reply