Sa vlen lëkura në Shqipëri

Nga Luçiano BOÇI

Ikja e Liljanës u bë lajm.

Lajmi u bë gjëmë. Dhe gjëma mori dhenë.

Kapërceu fusha e male. S’u ndal as nga ngrica dhe i ftohti. Drithëroi opinionin. Ngriu zemra njerëzish.

Po nuk depërtoi dot në Pallatin e Rilindjes.

As në Pallatin e supozuar të drejtësisë – siç e quanin Ministrinë e padrejtësisë, për pompozitet rilindasit.

Asnjë kanat i shtetit tonë me buxhet miliarder nuk ndjeu gjë.

Asnjë ministër nuk vuri dorën në zemër sa për të gënjyer për formalitet me një gjest “mea culpa-n”.

Akullsia e reagimeve të tyre depërtoi trupin e ngrirë të jetës dhe i njohu pushtetin e padiskutueshëm vdekjes makabre.

Portat e ministrive të tyre nuk u hapën kurrë dhe kur Liljana ishte gjallë dhe kur ajo kapërceu nën peshën e ftohtësisë kufirin e vetë jetës.

Portat e qeverisë s’ka tufan që i tund e jo më një drithërimë shpirti.

Qetësia e saj kristal-boshe shpërndahet e imponohet me dhunë deri në skutat ku jeta bën betejën e fundit me vdekjen.

Shshsht! Mos bëni kaq shumë zhurmë….Atje në Pallat merr frymë Ai!

Ai që punon ditë e natë për “hallet e popullit”.

Ai që të rrjep.

Ai që të thotë plaç po punove me djersë.

Ai që të thotë aferim po vrave, preve e grabite.

Tjetër gjëmë kjo.

E për atë populli nuk është shpirt. As jetë.

Populli është statistikë. Deri votë e kaq.

Liljana është 1…2…100… e ç’rëndësi ka.

Shteti hijerëndë nuk pati as reagimin më të vogël për Liljanën e bërë kallkan, sepse ai nuk e njeh përgjegjësinë. As turpin nuk e njeh.

Njeh vetëm paranë. Atë direkt e në xhep. Të tjerat e të tjerët janë letra, pretendime, lukse.

Madje dhe vetë jeta është pretendim për të.

Për këto arsye, ajo pyetja stërmunduese “Sa vlen jeta e njeriut të thjeshtë në Shqipërinë e rilindur?”, bie menjëherë.

Ajo nuk ka vlerë. Nuk kuotohet. Nuk matet. Nuk mbështetet, nuk parashtrohet.

E ta bësh këtë pyetje për kryeministrin tonë nuk je as dramatik dhe as tragjik.

Je thjesht komik.

Sepse kryeministri ngrirjen vdekjeprurëse nga i ftohti të Liljanës, e cila nuk kishte mundësi të përballonte me para ngrohjen, e quan fat të keq. Jo faj të vetin. Fare përgjegjësi të tij.

Madje ai nuk jep as solidaritet njerëzor, sepse dhe ky i duket i tepërt dhe stërmundues për rehatinë e kolltukut dhe harxhim fryme.

Ndjeshmëria e tij për jetën e qytetarit është zero.

Më i alarmuar do ishte për ndonjë qytetar jo shqiptar. Jo se këto i dhimbsen më shumë.

As i plas fare.

Por sepse këto mund t’i dëmtojnë “reputacionin ndërkombëtar” dhe për këtë nuk kursen as lotët e as shoën.

Sa e sa Liljana përgjatë këtyre viteve janë braktisur nga shteti, janë lënë pa mbështetje, të përcmuar, pa bukë, pa ngrohje, të vdesin të vetmuar nga privacionet më të ndryshmet!?

Ndërkohë që po ky regjim disburson miliona për prostatat e të mykurve me pushtet e qe bredhin me çanta të zeza për “të bërë lëmsh” kundërshtarin.

Ndërkohë që le pa ndihmë ekonomike e mbështetje të pamundurit, nuk kursen milionat për lukset e udhëtimet e veta e skotës që i vjen pas, për pensionet shpërblyese për ato që i kanë shërbyer me devocion politik e për ata që çajnë ekranet me mashtrime.

Hapni dhe lexoni njëherë të vetme VKM-të shpërblyese të Ramës e për nder s’do të gjeni asnjë Liljanë aty.

Prandaj kjo pyetja “Sa vlen jeta e njeriut në Shqipëri?!”, duket sikur nuk ka kuptim, sepse në Shqipërinë nën regjimin e antihumanizmit nuk ka jetë!

Po reagim, a ka reagim?!

Me ndihmoi për këtë dhe njëherë si dikur Migjeni: “Në prakun e çdo banese/ ku ka ndonj’ shenj jetese/ valon nga një flamur/

melankolie të trishtueshme”.

About Redaksia

Check Also

E vërteta e kundërshtarit të diktatorit, nga dritarja e të burgosurit politik

Nga Ndriçim KULLA Sali Berisha, lideri historik i PD, e cila bëri të mundur vendosjen e pluralizmit politikë …

Leave a Reply