I mori qytetares 72 milionë lekë dhe i kaloi në llogarinë e saj, kush është noterja e arrestuar

Një notere është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “vjedhje të kryer duke shpërdoruar detyrën”.

Në pranga përfundoi Rezarta Koçi, 40 vjeç, pas një operacioni policor të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se kjo shtetase, gjatë ushtrimit të detyrës si notere, në vitin 2021, duke shpërdoruar detyrën, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme monetare nga qytetarë të ndryshëm. Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme”, tha Policia.

Në nëntor të vitit të kaluar, makinës së saj të parkuar iu vendos tritol. Nga shpërthimi, i ndodhur në makinën e parkuar në Komunën e Parisit, pati vetëm dëme materiale, dhe nuk pati të lënduar.

Pak javë më parë, më 26 Janar 2022, edhe emisioni Stop në Tv Klan transmetoi rastin e një qytetareje e cila akuzonte noteren Rezarta Koçi se i kishte marrë mijëra Euro, shuma e parave nga kontrata e shitjes së shtëpisë. Sipas denoncimit të bërë në Stop, noterja nuk i kishte kaluar 72 milionë Lekë pronares që kishte shitur shtëpinë, por shumën e parave e kishte kaluar përmes transaksionit bankar në llogarinë e saj.

Vite më parë, Rezarta Koçit i ishte hequr licenca nga Dhoma e Noterëve, por më pas përmes vendimit të Gjykatës Administrative Tiranë licenca iu rikthye. Pasi rifitoi licencën, noterja Rezarta Koçi nuk gjendej se ku e kishte zyrën e saj të noterisë, pasi edhe në adresën që kishte deklaruar, shkruhej se ambienti jepet me qira.

Pas ngjarjes, u bë publik një mesazh kërcënues mbërritur në profilin e saj në një rrjet social.

Sipas raportimeve mediatike, ajo është kallëzuar disa herë në polici.

Sipas CV-së së publikuar në faqen e saj në FB, Rezarta Koçi, nga viti 2005 deri në vitin 2008 ka punuar si asistente e Zv.Ministrit të Drejtësisë Eduard Halimi. Më pas pranë Avokatutës së Përgjithshme të Shtetit në periudhën 2008 – 2009, si dhe inspektore e profesioneve të lira në Drejtorinë e Inspektimit pranë Ministrisë së Drejtësisë në periudhën 2011 – 2013. Prej vitit 2013, ushtronte profesionin e noteres.

About Redaksia

Check Also

Zbulohet e-maili skandaloz në USAID: Digjni dhe zhdukni dokumentat sekrete

Zyrtarët e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) kanë nisur një shkatërrim në shkallë të …

Leave a Reply