Banorët e “5 Majit” depozituan në SPAK një kallëzim në lidhje me shqetësimin e tyre për prishjen e banesave. Pas kallëzimit, Nënë Liza, banore e kësaj zone, në një komunikim me gazetarët zbardhi pjesë nga biseda me kryeministrin Edi Rama një ditë më parë.
Nënë Liza tha se nuk ka marrë asnjë garanci nga Kryeministri. Ajo tha se, i kishte thënë Ramës se, banorët nuk pranojnë të trajtohen si ata të tërmetit.
Çfarë garancie u dha Kryeministri për shtëpinë?
Nënë Liza: Nuk na dha asnjë garanci, unë kërkova që shteti të më kompensojë aq metra katror sa kisha në banesën që m’u shemb. E kisha vilë, nuk kërkova vilë, nuk kërkova as më shumë, por nuk pranoj as më pak kompensim. Isha në proces legalizimi dhe Kryeministri nuk na dha asnjë garanci. Fjalët e tij i merr era. Unë dua të lidhet kontrata mes Bashklisë dhe ne familjarëve me noter, na kanë sjellë një letër bakkali për të na mashtruar. Nuk e kam firmosur, ne duam shtëpi aq metra sa kemi.
Sa metër ka qënë banesa jote?
Nënë Liza: Banesa ime ka qenë 440 e ca metra. Sipas qeverisë do marrim 300 e ca metra. Asnjë premtim nuk kemi.
A keni kontratë të lidhur me shtetin për ta marrë banesën?
Nënë Liza: Asnjë kontratë nuk kemi.
Çfarë ju propozuan dje?
Nënë Liza: Dje nuk na thanë asgjë, aty do ta japim shtëpinë me taksat e shqiptarëve. Por unë nuk kam nevojë ta marr me taksat e shqiptarëve sepse ma kanë bërë fëmijët e mi. Unë nuk i bie në qafë shtetit. Nuk kam dalë për sevap, nuk kam dalë për të më ndihmuar shteti, por ndihmoj veten unë, por shteti nuk po na le.
A keni patur shkresa me institucionet dhe çfarë i keni kërkuar?
Nënë Liza: Ne i kemi kërkuar të na vijnë për të na sqaruar, por nuk kanë ardhur. U kemi shkuar atje, na kanë mbyllur derën.
Keni ndërmarrë akte ligjore para se të vinte policia?
Nënë Liza: Kanë kërkuar urdhër-mbrojtje, por nuk ka ardhur asnjë, atë ditë që janë prishur shtëpitë, kanë ardhur shumë policë. Urdhër-mbrojtje për të mos na nxjerrë zvarrë.
Unë nuk kam firmosur kontratë. Dje sapo kam dalë prej parlamentit prej kryeministrit, më tha ti mos u merr me këtë punë se do marrësh shtëpinë. Më pas më mori telefon bashkia me tha që na ka thënë kryeministri të firmosim kontratën.
Policia është sjellë si më zi nuk ka, djalin e madh e morën zvarrë, të voglin e futën në furgon. Edhe mua 4 policë më morën zvarrë, nuk më lanë të marr as rrobat dhe ilaçet. Lekët e bukës i kisha brenda. Të nxjerrin zvarrë një plakë 78 vjeçe, turp i Zotit. Shkoj e rri aty te shtëpia, nën rrënoja.