Lideri historik i PD, Sali Berisha ishte i pranishëm sot në një tryezë të organizuar nga shoqata “Durrësi”, ku ishte i ftuar edhe kandidati i Shtëpisë së Lirisë për Durrësin, Ardian Muka.
Në qendër të diskutimeve ishte afera e Portit të Durrësit. Berisha tha se në këtë aferë korruptive është i implikuar Edi Rama dhe Lulzim Basha.
Sipas tij, kjo është afera më e madhe korruptive ndoshta edhe në planet. Berisha tha se do shqyrtohet edhe mundësia e protestave për aferat e qeverisë.
“Ne do të konsiderojmë protesta shumë të fuqishme edhe për inceneratorët, edhe për Portin e Durrësit, ne jemi në një revolucion dhe ky revolucion, do të përballet me regjimin për aferat e tij më të zeza. Nuk ka aferë më të zezë se kjo. Nuk mund të ketë. Mendja nuk mund të shkojë kund.
E thashë edhe njëherë: inceneratorët duken nënfish. Gjetën një mafioz, që i thoshin ne do të japim kaq, ne do të marrim kaq nga buxheti i shtetit, ti me çelësa në dorë do të na e dorëzosh me kaq dhe… Ishte pazar ai. Gjysmën e parave e merrte qeveria, gjysmën e merrte ai që sillte hekurishtet dhe që tani s’funksionoi në Fier.
Tani fare, kanë kaluar në një stad krejt tjetër. Tani jemi offshore, nuk merret vesh kush është. Paratë i kemi, paratë janë të varrosura në Shqipëri, ua them unë. Në Shqipëri ka kontejnerë me para të atyre që jetojnë me para të mafias. Se ajo që u kap në Toyota Yaris, ajo është vetëm të themi “kafeja” e tyre. Po vërshojnë euro lumenjsh eurosh droge në Shqipëri dhe kompanitë e tyre do të fshihen në offshore”, tha Berisha.