Në Hamallaj ku zhvilloi një takim me banorët, në mbështetje të Ardian Mukës, kandidatit të koalicionit opozitar “Shtëpia e Lirisë”, lideri historik i PD, Sali Berisha akuzoi Edi Ramën se po shtetëzon shtëpitë e rindërtuara në zonat e tërmetit.
“Qytetarët u trajtuan nga qeveria për t’u plaçkitur votën nëpërmjet dëmshpërblimeve të tërmetit. Dhe së fundmi ka bërë ligjin, shtëpitë e rindërtuara nga fondet e tërmetit, banorët që i kanë ndërtuar në trojet e veta, de facto nuk i kanë të tyre, nuk mund t’i shesin, nuk mund t’ua lënë as trashëgim kujt. Ky është një formë shtetëzimi i fshehtë i shtëpive. Të moshuarit e kujtojnë këtu tërmetin e vitit 1978 që rrafshoi me qindra banesa në Bushat dhe zonën e Nën Shkodrës. Diktatura i ndërtoi shtëpitë dhe askujt nuk i tha se shtëpinë nuk mund ta shesësh”, u shpreh Berisha.
Ish-Kryeministri akuzoi qeverinë dhe Edi Ramën se diskriminon dhe ka urrejtje ndaj të ardhurve.
“U ndala në këtë aspekt sepse tregon fytyrën e shëmtuar të kësaj qeverie, një nga aspektet, për të mos thënë pastaj diskriminime të tjera, racizmin që tregon kjo qeveri ndaj të ardhurve, mund të shkosh në Itali, Greqi, Gjermani, Britaninë e Madhe të gjesh një punë, një shtëpi dhe punon si qytetar, kurse në Shqipëri nëse kalon nga një rreth në një tjetër, apo nëse vjen në Tiranë apo Durrës, Edi Rama ka vendosur sistem të tërë diskriminimi ndaj të ardhurve, për të mos thënë pastaj për taksën e Rrugës së Kombit dhe taksën që do t’i vendosë Rrugës së Arbrit sikur të mos ishin zona të Shqipërisë, por të një shteti tjetër”, tha Berisha.