109 vite nga lindja e filozofit, shkrimtarit dhe poetit Isuf Luzaj

Nga Bujar LESKAJ

Isuf Luzaj lindi më 21 shkurt 1913 në Kaninë të Vlorës. Shkollën fillore e kreu në Vlorë ndërsa gjimnazin në Shkodër. Në vitin 1933 u regjistrua në Universitetin e Sorbonës në Paris, por për shkaqe ekonomike i ndërpreu studimet e tij. Në vitin 1936 u kthye në Shqipëri për të punuar si mësues i gjuhës franceze në Elbasan e në Korçë.

Nga viti 1940 deri në vitin 1941 u burgos në Itali, por më pas u kthye në Shqipëri ku spikat si antifashist.

Ka qenë drejtues i Ballit Kombëtar në zonën e jugut të Shqipërisë dhe përfaqësues i Ballit në Konferencën e Mukjes, në gusht 1943.

Ai ka një kontribut të madh në vitin 1944 në themelimin e Partisë Social-Demokrate në Shkodër, Tiranë e Vlorë së bashku me Musine Kokalarin, Skënder Muçon etj. Në 1944 largohet nga Shqipëria drejt Italisë.

Në vitin 1948 u largua në Argjentinë ku punoi në Ministrinë e Arsimit si përkthyes dhe në 1957 u diplomua në letërsi dhe filozofi.

Gjatë periudhës 1960-1970 mbajti poste të rëndësishme: si drejtor i Institutit Francez “La France à l’étranger”, si këshilltar i Ministrisë së Arsimit në Argjentinë.

Në SHBA punon profesor i filozofisë dhe gjuhës franceze në Universitetin e New Hampshire, shef katedre në po të njëjtin universitet; Drejtor i Përgjithshëm i Gjuhëve të Huaja në Barat College-Lake Forest, Ilinois si dhe shef katedre në Universitetin e Indiana-s.

U vlerësua me tituj të rëndësishëm si: “Professor emeritus” në SHBA dorëzuar nga Presidenti Ronald Regan, me medalje “Për shërbime të jashtëzakonshme akademike” në SHBA dhe medalje ari nga Universiteti i Buenos Aires-it.

Disa nga veprat e tij janë: “Rrëfimet”, “Ideologjia Falimentuese si interpretim materialist i historisë”, “Lumenjtë derdhen të kuq”,”Metodologjia për studimet e filozofisë”, “Lamtumira e yjeve”, etj.

Isuf Luzaj ndërroi jetë në 25 nëntor 2000 në Çikago.

U varros, sipas amanetit të lënë, në vendlindjen e tij, në Kaninë.

Vepra e tij u bë e njohur në Shqipëri pas viteve ’90.

Mijëra faqe të veprës së tij janë prezantuar përpara lexuesit shqiptar nga puna pasionante dhe e përkushtuar e shkrimtarit Xhevat Beqiraj.

Në vitin 2007, presidenti Bamir Topi e nderon me titullin e lartë, “Mjeshtër i Madh”.

Më 19 qershor 2017 Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, i akordoi Isuf Luzajt, dekoratën “Nder i Kombit” me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm shumëvjeçar, të dhënë në Shqipëri dhe jashtë saj për Pavarësinë dhe demokracinë e vendit, përmes luftës antifashiste e antikomuniste të pareshtur, si dhe për aktivitetin e gjatë e të shquar intelektual e pedagogjik në fushën e shkencave letrare e linguistike, duke u vlerësuar me tituj nderi dhe akademikë nga shumë universitete të njohura në botë, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

About Redaksia

Check Also

Një vit nga ikja e “Sokratit Shqiptar”!

Nga Bujar LESKAJ Sot, datë 5 dhjetor 2024 bëhet 1 vit nga ndarja nga jeta …

Leave a Reply