Lideri historik i PD, Sali Berisha ka dënuar dhunën e ushtruar nga policia mbrëmjen e kaluar në Durrës, në biznesin e një mbështetësi të “Shtëpisë së Lirisë”, pasi kishte marrë pjesë në takimin elektoral.
Berisha tha se, qeveria është e tronditur nga kandidatët e koalicionit opozitar “Shtëpia e Lirisë” të cilët sipas tij do të jetë fitues në 6 mars.
Ish-kryeministri akuzoi edhe drejtorin e OSHEE, Ardian Çela se po përdor detyrën shtetërore për të mbledhur vota.
Berisha e quajti atë kriminel elektoral, ndërsa denoncoi se ndërmarrja e tij po terrorizon dhe dhunon qytetarët me gjoba.
“Mbrëmë policia bashkiake dhe narkopolicia e narkoshtetit, dhanë shenjat e para. Unë iu them durim se s’keni parë gjë akoma, 6 marsi është fitorja e sigurt dhe fillimi i kthesës së madhe për Durrësin dhe mbarë Shqipërinë. Tronditje e madhe në të katër anët.
Një kriminel elektoral vjen si hije e zezë nga rruga në rrugë në Durrës dhe ky është Ardi Çela, kudo që ta shihni i vini një tabelë, ‘kriminel elektoral’. Ka të drejtë ky njeri të shkelë ligjet? Ndalohet me ligj veprimtaria e tij.
Shkon në Rrashbull dhe shkarkon një pjesë të punonjësve sepse nuk marrin përsipër t’i votojnë. Nëse është përdorur një ndërmarrje për dhunë dhe terror ndaj qytetarëve, është përdorur ndërrmarrja e tij.
Gjobat që ka vendosur ky njeri përmes ndërmarrjes elektrike janë dhjetëra milionë euro dhe në fund e dorëzoi me 450 mln euro borxh, të falimentuar. Tronditje e madhe!”, u shpreh Berisha.
Ish-kryeministri Berisha ka reaguar ashpër pas deklaratave të ambasadores amerikane Yuri Kim gjatë ditës së sotme.
Sipas Berishës, ajo në vendin tonë përfaqëson mafien e George Soros dhe është një përpjekje e pashpresë për të prishur imazhin e ShBA-ve te shqiptarët, por që kurrë nuk do ta realizojnë.
“Në fakt, e gjithë kjo përpjekje është e pashpresë. Si guvernatore i lejon vetes të ndërhyjë në proceset e brendshme elektorale dhe këtu ajo përfaqëson mafien e George Soros, shkelmon mbi ligjet dhe parimet e vendit të saj të lirë dhe të Shqipërisë.
Të mos harrojmë se një nga qëllimet e mafies sorosiane është të prishë imazhin e SHBA te shqiptarët, këtë kurrë nuk do ta realizojë. Jo. Ne do të ecim të vendosur të votojmë të lirë, të zgjedhim të lirë përfaqësuesit tanë. Të zgjedhim të lirë brenda partisë ata që duam, siç kemi zgjedhur Ardi Mukën, të zgjedhim të lirë qytetarët e parë dhe këshilltarët tanë me votën e lirë”, u shpreh Berisha.