Në takimin me fermerët në Shkallnur të Durrësit, të pranishmit i kërkuan disa herë ish-Kryeministrit Berisha, që të rikthehet ndihma ndaj tyre, ashtu siç ishte në kohën kur në pushtet ishte Partia Demokratike.
“Dua t’u garantoj ju se nesër në pushtet, qëndrimin ndaj fermerëve do e ngremë në një nivel të ri, i cili do bazohet tërësisht te qëndrimi që mban BE ndaj tyre. Fermeri nuk ka taksa, fermeri rimbursohet për ato që paguan. Nuk do ketë taksa në shitje. Do ketë rimbursim për të gjithë shpenzimet që bën. Askush nuk humbet nga kjo, asnjë vend. Përkundrazi, fiton dhe vetëm fiton.
Ne do të jemi dhe do të bëjmë subvencione. Këta nuk e bëjnë sepse me skemat e mëdha vjedhin. Ne do e zgjerojmë skemën e financimeve. Por do të përfundojmë infrastrukturën pasi përfundimi i infrastrukturës së fshatit është themelore”, tha Berisha.
“Ju keni dëgjuar këto javë për çështjen e djegësave, me të cilën janë vjedhur 420 milionë euro. Ju informoj se në Ballkan ka vetëm një djegës plehrash. Nuk ekzistojnë. Shqipëria me tre dhe nuk janë asnjë. Një skemë për të vjedhë sa më shumë. Imagjinoni sikur këto 420 milionë euro të ishin investuar në mbështetje të bujqësisë, se ku do ishim? Pra gjithçka bazohet në një skenë abuzimi, shpërdorimi, vjedhje dhe dizinteresi të plotë”, vijoi më tej Berisha.