Berisha: Rama vazhdon të mbrojë “Ballkanin e Hapur”, ka marrë pasaportën e zezë të antishqiptarit

Nga Vora ku takoi banorët e Domjes, në mbështetje të kandidatit të ‘Shtëpisë së Lirisë’, Lulzim Vrana, lideri historik i PD, Sali Berisha iu përgjigj deklaratave të Edi Ramës, i cili pak ditë më parë tha nga Uashingtoni se Rusia nuk është armiku i lirisë.

Berisha tha se, Rama vazhdon ende të mbrojë “Ballkanin e Hapur”, në një kohë kur Serbia s’ka dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës si dhe ka kundërshtuar sanksionet ndaj Moskës.

Berisha tha se me vendimet e tij, Rama ka marrë pasaportën e zezë të antishqiptarit.  Rusia, tha Berisha, ndër shekuj ka luftuar kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve.

“Këto zgjedhje janë një vendim i rëndësishëm i juaji dhe ju ftoj të votoni Lulzim Vranën. Do të keni te Lulzimi një shërbëtor të përkushtuar tuajin, votën dhe besimin tuaj ai do ta shndërrojë në shërbime ndaj jush. Taksat tuaja, buxhetin e bashkisë do ta shndërrojë në investime në infrastrukturë dhe në plotësimin e nevojave tuaja.

“Përballë tij gjendet kandidati i Edi Ramës, çdo votë për Edi Ramën është absolutisht votë kundër idealeve tuaja, kundër dinjitetit tuaj, kundër karakterit tuaj. Nuk votohet një njeri që vetëm urren, një njeri i cili ka fituar pasaportën e zezë të antishqiptarit. Ka një luftë në zemër të Europës, Rusia ka sulmuar fqinjin e vet, Ukrainën. Edi Rama vazhdon akoma mbron ‘Ballkanin e Hapur’ të kryesuar tërësisht nga Serbia si vasal i Serbisë.

Serbia jo që s’ka dënuar agresionin ndaj Ukrainës, përkundrazi ka kundërshtuar pezullimin e Rusisë nga KiE, përkundrazi shprehet e hapur ndaj saj. Dhe Edi Rama që do të na thoshte ne gjatë vizitës së tij në Uashington se Rusia nuk është armiku ynë. Por nëse nuk është Rusia armiku ynë, mbi tokë nuk ka armik më të madh për ne se Rusia. E tillë ka qenë në shekuj dhe është përpjekur me pushtetin e saj që t’i bëjë çdo të zezë Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që janë”, u shpreh Berisha.

Berisha e akuzoi Edi Ramën se protestoi me fotografitë e Enver Hoxhës, kundër anëtarësimit në NATO.

“Rruga nuk ka qenë e thjeshtë po vota juaj, besimi juaj u shndërrua në një zhvillim të vërtetë për vendin në vitet e qeverisjes së PD. Ajo u shndërrua në një transformim të paparë të infrastrukturës së vendit, nga Rruga e Kombit deri në 11 mijë km rrugë të tjera në të katër anët e Shqipërisë. Dyfishuam rrogat dhe pensionet. Në rritje të shpresës për të rinjtë tanë që të ndërtojnë në Shqipëri të ardhmen e tyre.

U shndërrua në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ju e mbani mend, ditën e anëtarësimit të vendit, Edi Rama do të organizonte në Tiranë mitingjet e protestës me fotografitë e babait të tij shpirtëror, Enver Hoxhës, në protestën kundër NATO-s.

Sot, ajo mbështetje juaj, ai anëtarësim në një kohë lufte për Europën e bën territorin e Shqipërisë në një territor të garantuar nga aleanca më e fuqishme e të gjitha kohërave e udhëhequr nga SHBA”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Foto-lajm, vërshim popullor në bulevard

Dhjetra mijëra protestues kanë mbushur bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Protesta kombëtare e opozitës po zhvillohet …

Leave a Reply