Lufta nuk po shkon ashtu siç kishte menduar Putin

Po shënohet dita e pestë prej kur Ukraina u sulmua nga Rusia, ndërsa ukrainasit nuk po e dorëzojnë vendin e tyre. Lufta nuk po shkon ashtu siç mund ta ketë menduar Putini. Palët janë pajtuar që të takohen për të negocionuar sot. Putin nuk po shënon humbje vetëm në terren. Rubla ruse, nga ana tjetër, ka rënë për toke. Më poshtë gjeni të gjitha zhvillimet e ditës së sotme lidhur me luftën në Ukrainë.

Rusia regon pasi BE ashpërsoi sanksionet duke blerë armë për Ukrainën

Rusia e ka akuzuar Bashkimin Evropian për sjellje armiqësore ndaj Rusisë, duke thënë se furnizimi i Ukrainës me armë është “i rrezikshëm dhe destabilizues”. Sipas Rusisë, ata kanë të drejtë në përpjekjet e tyre për ta çmilitarizuar fqinjin e saj, raporton The Guardian.

Perëndimi e ka shtuar furnizimin e Ukrainës me armë për ta ndihmuar atë të mbrohet kundër një pushtimi rus që Moska e quan “operacion special ushtarak” që synon mbrojtjen e civilëve, raporton Reuters.

Kremlini nuk ka pranuar ta komentojë të hënën ecurinë e të ashtuquajturit “operacion special ushtarak” rus në Ukrainë, duke ia referuar ushtrisë pyetjet për këtë çështje.

Ukraina kërkon të anëtarësohet “urgjentisht” në Bashkimin Evropian 

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Bashkimit Evropian të hënën “ta pranojë urgjentisht Ukrainën” në bllok, raporton CNN.

“Ne i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që të pranojë urgjentisht Ukrainën duke përdorur një procedurë të re”, tha Zelensky në video-mesazhin e tij të fundit.

Ai u shpreh i sigurt se kjo “është e mundur”.

“Ne u jemi mirënjohës partnerëve që qëndruan me ne. Por qëllimi ynë është të jemi me të gjithë evropianët dhe të jemi të barabartë me ta. Jam i sigurt që e meritojmë. Jam i sigurt se është e mundur”, tha Zelensky.

Zelensky tregon numrin e ushtarëve të vrarë rusë

Vladimir Putin si duket nuk ishte përgatitur për një rezistencë të fortë nga Ukraina në luftën e shpallur katër ditë më parë. Mediumi “The Kyiv Independent”, citon një statistikë të dhënë nga presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, sipas të cilit 4 mijë e 500 ushtarë rusë janë vrarë.

Sipas këtij mediumi Zelensky është shprehur: “Tashmë 4,500 ushtarë rusë janë vrarë. Pse keni ardhur të gjithë këtu? Hidhni armët dhe largohuni, mos u besoni komandantëve tuaj, mos u besoni propaganduesve tuaj, thjesht shpëtoni jetën tuaj – largohuni”.

Mëngjesin e sotëm delegacioni ukrainas ka mbërritur në kufirin ukrainas-bjellorusi për bisedime me përfaqësuesit e Rusisë. Zyra e presidentit ukrainas tha se çështja kryesore e bisedimeve është një armëpushim i menjëhershëm dhe tërheqja e trupave nga Ukraina. 

About Redaksia

Check Also

Vala “Trump”, liberali Trudeau drejt shkarkimit nga Parlamenti

Kreu i partisë kanadeze në pushtet tha të premten se do të votonte në favor …

Leave a Reply