Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u është drejtuar pa përshëndetje eurodeputetëve, të cilët e kanë pritur me duartrokitje. Kjo e sotmja nuk është ditë e mirë, tha ai, transmeton Gazeta Express.
Zelensky po u adresohet deputetëve të Parlamentit Evropian, përmes një lidhjeje direkte nga Ukraina, ku po qëndron gjatë gjithë kohës, prej se vendi i tij është sulmuar nga forcat ruse.
Presidenti ukrainas fjalimin e tij e nis pa përshëndetje.
“S’mund të them mirëmëngjesi, ose mirëdita, ose mirëmbrëma. Sepse kjo nuk është ditë e mirë. Për disa njerëz, është dita e fundit”, ka thënë Zelensky.
[13:17] Fjalët e para prekëse të Zelenskyt para eurodeputetëve: Dëshmojeni se nuk do të na lini të vdesim
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy po merr pjesë virtualisht në seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit Europian, ku është pritur me ovacion të jashtëzakonshëm.
Në fjalën e tij para eurodeputetëve që e duartrokitën aq gjatë, Zelensky tha se BE-ja duhet të dëshmojë se është me Ukrainën, raporton The Guardianm.
Duke iu drejtuar Parlamentit Evropian, Zelenskiy tha:
“Pa ty, Ukraina do të jetë e vetmuar… Ne kemi dëshmuar forcat tona. Ne jemi saktësisht të njëjtë me ju… Pra, dëshmojeni se jeni me ne. Dëshmoni se nuk do të na lini të vdesim. Dëshmoni se jeni vërtet europianë dhe se jeta do të fitojë mbi vdekjen dhe drita do të fitojë mbi errësirën.”
Presidenti ukrainas shtoi se “askush nuk do të na thyejë”. Zelensky tha para Pralamentit Europian se vendi i tij “po i jep njerëzit më të mirë” për t’u trajtuar si të barabartë dhe për çmimin e lirisë.”
[13:16] Të paktën 10 persona u vranë nga sulmi i trupave ruse në qendër të Kharkiv
Në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, si pasojë e granatimeve 10 persona humbën jetën, ndërsa më shumë se 20 u plagosën, raporton Ukrinform, përcjell Express.
Në deklaratë thuhet se ekipet e shpëtimit dhe vullnetarët shpëtuan rreth 10 persona nga rrënojat, teksa shkallet dhe korridoret në të gjitha katet janë shkatërruar plotësisht.
[12:53] Gjashtë ditë të agresionit rus në Ukrainë, OKB del me numrin e viktimave civile deri tani
Të paktën 136 civilë janë vrarë, përfshirë 13 fëmijë dhe 400 janë plagosur që kur Rusia ka nisur agresionin e saj ndaj Ukrainës javën e kaluar sipas Zyrës për të Drejtat e Njeriut të OKB-së.
Zëdhënësja e kësaj zyre Liz Throssel tha se 253 nga viktimat janë në Donets dhe në Lugans rajone në lindje të Ukrainës, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
[12:48] OKB: Më shumë se 660 mijë refugjatë ikën nga Ukraina
Më shumë se 660,000 refugjatë i kanë ikur luftës në Ukrainë për të kërkuar strehim në shtetet fqinje, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë.
“Ne kemi tani 660,000 refugjatë që kanë ikur në shtetet fqinje të Ukrainës në gjashtë ditët e fundit”, ka thënë zëdhënësja, Shabia Mantoo para gazetarëve në Gjenevë.
[12:41] Shefi i NATO’s nga Polonia çon mesazh për Rusinë dhe Ukrainën
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka bërë thirrje Rusisë që t’i jap fund luftës në Ukrainë, duke shtuar se nuk do të dërgojë trupa apo avionë luftarakë për ta mbështetur Kievin, pasi pohon se alenaca që udhëheq nuk dëshiron të bëhet pjesë e konfliktit.
Këtë deklaratë kreu i NATO-s e ka dhënë pas takimit me presidentin polak Andrzej Duda.
[12:34] Njëri nga pilotët më të mirë, rusët vrasin “Ujkun Gri” të Ukrainës
Koloneli ukrainas Oleksandr Oksanchenko, i konsideruar si piloti më i mirë i Ukrainës, është vrarë nga rusët në një betejë në ajër gjatë natës së të premtës së javës së shkuar.
Presidenti Volodymyr Zelensky i dha atij pas vdekjes titullin Hero i Ukrainës, njoftoi komanda e Forcave Ajrore të Forcave të Armatosura të Ukrainës në Facebook.
[12:30]Mbi 20 të plagosur në sulmin në Kharkiv dhe disa të mbetur nën rrënoja
Më shumë se 20 persona janë plagosur në një shpërthim në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, tha Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës në një video të postuar në llogarinë e tij zyrtare në Facebook të martën, raporton CNN.
Gjithashtu, raportohet se ka persona të cilët kanë mbetur nën rrënoja, përcjell Gazeta Express.
“Si pasojë e granatimeve me artileri, një ndërtesë e administratës shtetërore dhe godina ngjitur u dëmtuan. Njerëzit janë bllokuar nën rrënoja. Shefi i operacioneve të shpëtimit mësoi se mbi 20 persona janë plagosur”, tha një pjesëtar i shërbimit në video.
[12:14] Zelensky emëron një gjeneral ushtarak për ta udhëhequr Kievin gjatë luftës
Kryeqyteti ukrainas Kiev, që po synohet të merret nga forcat ruse tani do ta ketë për kryetar një ushtarak, njoftoi parlamenti i Ukrainës.
Presidenti Zelenskyi ka caktuar Gjeneral Mykola Zhernov si kryetar të administratës ushtarake të Kievit, raporton Gazeta Express.
“Gjatë luftës, Volodymyr Zelensky ka caktuar Gjeneral Mykola Zhernov kryetar të administratës ushtarake të Kievit. Kryetari i Kievit Vitaly Klitschko do të punojë me kryetarin ushtarak”, thuhet në njoftim.
[12:07] Fëmijët jetimë të strehuar në një bodrum nga frika e bombardimeve
“Një foto që duhet ta shohë e gjithë bota!”. Kështu e përshkruan Parlamenti i Ukrainës një fotografi të fëmijëve jetimë të strehuar në një bodrum, përcjell Gazeta Express.
Teksa shumë fëmijë me familjet e tyre janë larguar nga Ukraina, janë disa fëmijë jetimë që mbeten nën mëshirën e përkujdesësve të tyre, përveçse nën mëshirën e fatit për të mos u vrarë nga forcat ruse.
[11:55] Rusët kryen krim lufte duke përdorur bombën me vakum, reagon zëdhënësi i Putin
Sanksionet e Perëndimit nuk do ta bëjnë kurrë Rusinë ta ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Ukrainës, kanë thënë sot nga Rusia, raporton The Guardian.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se ndërsa negociatat e drejtpërdrejta midis Moskës dhe Kievit kanë nisur, nuk ka plane për bisedime midis presidentëve të të dy vendeve, përcjell Gazeta Express.
Peskov hodhi poshtë akuzat për sulme nga Rusia ndaj objektivave civile dhe përdorimin e bombave me
[11:38] Raketa ruse në qendër të Kharkivit, Zelensky: Rusia është shtet terrorist
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se raketa ruse që ka rënë në mes të sheshit të qytetit Kharkiv tregon se Rusia është një shtet terrorist.
Ai thotë se një akt të tillë s’do ta harrojnë dhe nuk do ta falin.
“Raketa në sheshin qendror të Kharkiv është një terror i hapur. Pas një akti të tillë, Rusia është një shtet terrorist. Askush nuk do ta falë, askush nuk do ta harrojë”, ka shkruar Zelensky në profilin e tij zyrtar.
[11:36] Ushtria ukrainase i rrëzon edhe dy helikopterë rusë
Ushtria ukrainase ka hyrë në ditën e gjashtë të luftimeve për mbrojtjen e vendit teksa Rusia duket se e ka intensifikuar pushtimin.
Megjithatë, autoritetet ukrainase vazhdojnë të flasin për fitore. Në një video të publikuar nga “Nexta”, shihen dy aeroplanë rusë teksa rrëzohen, ndërsa aksioni komentohet me entuziazëm: “Yes, yesss!”.