Pa Liri! Poezi nga poeti i madh ukrainas Taras Shevçenko

TARAS G. SHEVÇENKO
(1814 – 1861)

Poeti i e piktori i madh akademik ukrahinas Taras Shevçenko një pjesë të jetës e kaloi si ushtar i thjeshtë në repartet e ushtarake ruse, në stepa e shkretira, i fyer dhe i munduar nga oficerët e kapterët rusë. Me urdhër nga lartë iu hoqën gradat oficerit dhe u ndalua të shkruante e të pikturonte. Por në fshehtësi ai krijoi poezi nga më të dhimbëshmet përmallimi për atdheun e dashur, Ukrainën.

Shënim: Taras Shevçenko në disa krijime poetike, nuk rimon, por ritmi është i
pranishëm në çdo poezi.

Përktheu Agim Xh. Dëshnica

MENDIMET E MIA

Mendime, mendimet e mia,
Mjerë, me ju!
Ç’u shtruat nëpër letër
Me radhë të zymtë ashtu?
Pse era s’u shpërndau,
Si pluhur në hapësirë?
Pse, mjerimi s’u shtroi të flinit
Si fëmij të mirë?
Mos u lindëm nga mjerimi?
E lotët i derdhëm çurk … Si s’u mbytëm?
Si s’vërshuam si det e nuk gërryem fushat?
Njerëzit s ‘pyetën se ç’më dhimbte në gji,
E përse mallkoj fatin tim të mbrapsht,
Përse mundohem… “S’prish punë, ec!”
As me të qeshur nuk më thanë.

Lulet e mia, fëmijtë e mi,
Pse ju kam ledhatuar
e pse ju kam mbrojtur?
A qan një zemër në botë,
Ashtu siç kam qarë unë me ju?
A mund të gjendet një vashë
Zemra e saj e sytë e zi,
Të qajnë me ju mendime?
A lypet më tepër?
Vetëm një lot të binte….
Mendime, mendimet e mia.
Mjerë, me ju!

LART NË MAL KUJTOJ UKRAINËN

Kur vjen e diela, ia mbaj pas shkëmbinjsh
Në fusha, si kusar në fshehtësirë,
Përmes shkuresh zallit të Uralit*
E dal te stepë e gjerë dhe shfreh i lirë…

Zemra e tronditur, përpëlitet
Si peshku mbi ujë e sëmurë.
Qesh në heshtje e fluturon
Si pëllumb ashtu si dikur.

Në liri në hapësirën e huaj
Përtërihem, gjaku më gufon,
Ngjitem e ngjitem
Malit lart vrapoj,
Të shoh, tej në mjegull Ukrainën,
Tmerr kur e kujtoj!

Stepat këtu- të kuqe e gjembore,
Të kaltra e qiellore atje.
Livadhe të endur me blerim,
Lugina në muzg në perëndim.
Këtu- gëmusha, driza, rërë e shkretë,
Një kodër-varr,
Për të shkuarën flet.

Ndoshta prej fillimit të jetës
Frymë njeriu s’ka pasur askund
E kjo shkreti fshihej nga bota.
Gjithsesi mbërritëm këtu
E ngritëm fortesa – qyteza kudo,
Pra edhe varre do të ketë
E punët do të ecin më shpejt!

O vendi i dashur, fati im,
Kur do të kthehem në Ukrainë?
O Zot, medet, do të kalbem,
Larg te kjo greminë!

Fortesa Orska 1847

*Pranë lumi Ural në stepat përtej Kaspikut, ndodhej
Fortesa Orska, ku poeti e piktori i madh ukrainas Taras
Shevçenko ishte internuar për një kohë të gjatë, si ushtar
i thjeshtë, me urdhërin e Carit, i ndaluar rreptësisht të
shkruante apo të pikturonte.

PA LIRI

Mos nëm, mos i jep askujt
Atë që fati i jep plakut.
I dëbuar larg e në vetmi
Vitet ikin kot e pa liri.

Tej në stepa do të vete
Të harroj çdo trishtim më vete.
Por oh! ç’ prapësi e sa mëzitje!
Kapterët, të ndalin në çdo shetitje.

MIRË MBETSH,
O KOS ARAL!

U hapën velat…
Tartana me sandallin
Si rrëshqitën nëpër ujëra,
Mes kallamesh në Sir Dar,
Lundrojnë tashmë në kaltërsi.

Mirë mbetsh, o Kos Aral i mjerë,
Dy vjet trishtimin tim të thellë,
Sadopak, munde ta lehtësoje!
Faleminderit, krenohu, pra,
Se njerëzit, pasi të gjetën,
Se ç’duhej bërë për ty, e dinin!

Mirë mbetsh, o mik!
Jo, atë vend
As e lëvdoj, as e mallkoj!
E ndoshta brenga,
Do t’më trazojë sërish.
Ajo që njoha te ajo tokë!
Veç tashti prej saj jam larg.

About Redaksia

Check Also

Dy zemra në një sigurim! Dhurata origjinale për Shën Valentin

Për këtë Shën Valentin, Sigal sjell një ofertë të veçantë për dashurinë tuaj: Bli një …

Leave a Reply