Kush është Ministri i Putin që ka në dorë kodin e dytë bërthamor

Pas pushtimit të Krimesë në vitin 2014, pa gjuajtur asnjë plumb, ministri i Mbrojtjes ruse, Sergey Shoigu, ndoshta është ndjerë si Aleksandri III, babai i Carit të fundit, Nikolla II.

“Sovraniteti i Rusisë garantohet nga ushtria dhe flota e saj”, tha ai, duke përsëritur frazën e Carit, i cili u kishte thënë bashkëpunëtorëve të tij se ato të dyja ishin të vetmet aleate të vërteta mbi të cilat mund të mbështetej vendi i tij.

I lindur dhe i rritur në BRSS, Shoigu është mësuar gjithmonë të kënaqë vullnetin e atyre që drejtojnë makinën (shtetin).

Ai vjen nga Republika Autonome e Tuva-s, nga një familje e përzier, babai i fisit indigjen turk dhe nëna ukrainase.

Pas një karriere në Partinë Komuniste, me Presidentin Jelcin, u bë Ministër i Mbrojtjes Civile.

Falë pasionit të tij të përbashkët për peshkimin, ai u promovua në rolin e ministrit në vitin 2012, kur Putin u kthye në presidencë. Dhe që atëherë ai nuk ka lëvizur.

Sot, Sergey mban kodin e dytë bërthamor të nevojshëm për lëshimin e raketave atomike ruse – një nga çelësat është në duart e Presidentit, një në të tijin dhe i treti në atë të shefit të përbashkët të shtabit. Nëse njëra prej tyre anulohet, procedura është bllokuar.

Për ministrin e Përgjithshëm ushtarak, historia nuk është pika e tij më e fortë, duke pasur parasysh se ai harroi mongolët, që dominuan Rusinë për më shumë se dy shekuj dhe japonezët që bllokuan flotën perandorake në 1905-n.

Si për t’u dalluar, Shoigu shkoi më tej, teksa u shpreh se “ata do të jenë gjithmonë bastioni kundër të cilit, gjatë 1 mijë e 152 viteve të ekzistencës së shtetit tonë, më shumë se një perandor ua ka pasur nevojën”.

Por, sigurisht, ai është më besniku i Vladimir Putinit, tek i cili “Shefi” mund të mbështetet në çdo kohë.

66-vjeçari Sergey nuk vjen nga Shën Petërburgu, si shumica e miqve të Vladimir Vladimirovich Putin.

Ai nuk ka qenë kurrë në radhët e demokratëve dhe reformistëve, ai nuk përfaqëson një klan pushteti.

Ai mund të zëvendësohet në çdo kohë dhe mund të mbështetet vetëm në dashamirësinë e numrit një, vendimet e të cilit i zbaton pa diskutuar asnjë direktivë.

Në të vërtetë, si një shërbëtor ekspert i shtetit, ka zhvilluar aftësinë për të pasur intuitë të fortë, t’i ndiejë thellë dëshirat e tij dhe, për rrjedhojë, t’i paraprijë ato.

Për shembull, pavarësisht se nëna e tij kish lindur në Ukrainë, nuk e mendoi dy herë organizimin e “stërvitjeve paqësore, jo agresive në territorin rus”, në mënyrë që t’u mundësonte trupave të pushtonin Ukrainën.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të një jave më parë, të gjithë të tjerët thjesht thanë se ishin dakord me Putinin për miratimin e njohjes së pavarësisë së dy republikave të Donbasit.

Ai, ministri i papërkulur i Mbrojtjes, shkoi më tej, duke krijuar skenën për akuzën më të largët kundër Kievit, atë se po përgatitej të bëhej “bërthamore”.

Duke shmangur komentin për njohjen e republikave – ndoshta, sepse nesër zoti i Kremlinit do të ndryshonte mendje – Shoigu hodhi deklaratat e tij se “në Ukrainë ka më shumë teknologji, specialistë dhe kapacitete prodhuese sesa në Iran apo Korenë e Veriut”.

Tani krerët e Shërbimeve Sekrete, shefi i Punëve të Jashtme dhe të gjithë të tjerët e kanë të pamundur të tërhiqen. /“Corriere della Sera”

About Redaksia

Check Also

Arrestohet i dyshuari për vrasjen e biznesmenit të kompanive të sigurimeve në qendër të Nju Jorkut

Një burrë është arrestuar për vrasjen e një shefi të kompanisë së sigurimeve të SHBA-së …

Leave a Reply