Mbledhja e grupit parlamentar të PD po zhvillohet me replika të forta mes deputetëve të pranishëm dhe Lulzim Bashës, pas humbjes shkatërruese në zgjedhjet e 6 marsit.
Deputetët që deri dje mbështesnin Lulzim Bashën i kanë quajtur dëshpërues dhe të tmerrshëm rezultatin e PD në zgjedhjet e të dielës.
Ferdinand Xhaferraj, Dash Sula, Ilda Dhori dhe Helidon Bushati janë disa nga deputetët që në mbledhjen me dyer të mbyllura i kanë kërkuar Lulzim Bashës dorëheqjen.
Edhe Agron Gjekmarkaj kërkon largimin e Bashës dhe bërjen e zgjedhjeve të reja në parti.
Helidon Bushati ka propozuar edhe kongres pajtimi mes demokratëve.
Por, Basha ka vazhduar me refrenin e paradites, se nuk ka humbur asnjë garë elektorale, por që e kanë vjedhur.
Përsëritja e kësaj deklarate nga Basha është konsideruar fyerje nga deputetët Ferdinand Xhaferraj dhe Dash Sula.
Debatet
Ferdinad Xheferraj: Jam më i vjetri dhe me eksperiencë, s’kam ambicie, por përgjegjësi për PD. Berisha s’është zgjidhje dhe e ka mbyllur me PD, por t’i na ke fyer kur thua s’kam humbur asnjë garë. Duhet të largohesh si kryetar.
Lulzim Basha: S’kam humbur asnjë garë, i kanë vjedhur.
Dash Sula: Cila është zgjidhja kryetar? Se kështu mund të na thuash përsëri. Si i jep zgjidhje? Ke përgjegjësi ti dhe ne. Nuk na beson më asnjë kështu.
Ilda dhori: Të hapen zgjedhjet në parti. Duhet të ikesh, duhet të hapet gara në PD. Berisha e ka mbyll duhet të zgjedhin demokratët cili na bashkon.
Helidon Bushati: Duhet të jemi përtej egos, e shkatërruat PD ju dhe Berisha. Duhet të ikësh. Duhet Kongres pajtimi. Të bashkohemi! Duhet Kongres pajtimi me pjesëmarrjen e të dy rrymave ku për të mirën e përgjithshme disa duhet të bëjnë një hap prapa.
Agron Gjekmarkaj: Të ngrihet një komision dhe PD të shkojë në zgjedhje të reja.
Lulzim Basha: Dy rrugë ka. Ose rrimë bashkë e bëjmë riorganizim ose ia dorëzojmë Sali Berishës. Synimi i Berishës është të marrë PD për t’u mbrojtur nga non grata.